FIER - Aman ore kusho, po ma marin shpirtin një çik nga një çik…as edhe vetë nuk e di kur do vete…, po e gënjej si atë nënë edhe veten, jo sot po nesër, jo këtë muaj, po muajin tjetër”. Ky është mesazhi që Kudret Kume i dërgon një mikut të tij Spartak Hoxha, kur ky i fundit e pyet se kur do dali dhe të shkojë për të qëndruar afër nënës së tij nëFier.

Mesazhi është postuar në muajin shkurt të vitit të kaluar. Përmbajtja e këtij mesazhi tregon lodhjen e Kudret Kumes në ambientet e burgut, dhe humbjen e shpresës për të dalë jashtë dhe për t’u kthyer në Shqipëri. Kume shprehet se po ja marrin shpirtin çik nga një çik, por nuk përmend asnjë person konkret, por me sa duket nënkupton gardianët e burgut dhe drejtësinë greke.

Një vit pas këtij mesazhi, Kume, vendos të ekzekutojë gardianin që e torturonte në qeli, ndërkohë tre ditë pas kësaj, gjendet i masakruar në një qeli burgu.

E SHPËRFYTYRUAN
Kudret Kume alias Ilia Kareli jo vetëm që është torturuar për vdekje por më pas trupi i tij, është shpërfytyryar nga njerëzit e togës, që kanë kryer procesin e torturës, ndaj tij. Ekspertiza e dytë mjekoligjore e kryer në Fier, pas asaj të Greqisë, ka treguar se në trupin e 40-vjeçarit Kume, janë konstatuar plot 15 plagë, duke filluar nga koka, dhëmbët, shpatullat, gjoksi, kaviljet e këmbëve, hematoma të rënda në syrin e djathtë, hematoma në kyçet e duarve, heqjen e thonjve dhe dëmtim
të organeve gjenetiale.

Ka shumë gjasa që shumë veprime kriminale, janë kryer pas ndërrimit të jetës, ku trupi i pa jetë i Kudret Kumes, është shpërfytyruar. Në një bisedë telefonike prokurori i Fierit Ardian Ylli, u shpreh për gazetën “Shqiptarja.com”, se ende nuk janë kanë një version zyrtar se si ka ndodhur dhe çfarë dinamike ka pasur ngjarja, që solli vdekjen brutale të Kudret Kumes.Ardian Ylli, nënvizoi se në Shqipëri do të merren në pyetje të gjithë të afërmit dhe familjarët e viktimës dhe se shumë shpejt dosje, aktin e eskpertimit të mjekëve Shqiptarë.

HETIME NË SHQIPËRI
Nga ekspertiza e bërë në Greqi për të gjetur pasojat e vdekjes së 40-vjeçarit Ilia Kareli (Kudret Kume), rezulton se është rrahur prej dy javësh dhe dhunuar me elektroshok vazhdimisht në 10 ditët e fundit. Por ekspertiza e bërë në Greqi për vdekjen e shqiptarit nuk është e saktë, pasi mungojnë shumë detaje. Ndaj, po kryhet një riekspertim në Shqipëri.

Për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes së Kudret Kumes, familjarët e të ndjerit i janë drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë së Fierit, e cila që prej mesditës së djeshme kanë rregjistruar procedimin penal për veprën “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës, si dhe: “Tortura me pasoja të rënda”.

Prokurori i Fierit z.Ardian Ylli, u shpreh se në ditët në vijim do të marrin në pyetje të gjithë familjarët e viktimës, dhe do të kërkojnë nga autoritet greke t’u venë në dispozicion të gjitha materialet hetimore që ata kanë administruar në dosje, rreth kësaj çështje. Sipas prokurorit Ylli, hetimi i çështjes kërkon dhe bashkëpunimin e intitucioneve të tjera, jo vetëm prokurorisë.
 
Shkrimi u publikua sot (1.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
 
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)