Mesha e Papës në Tiranë- Bashkia, 50 mijë euro për ndërtimin e altarit

Bashkia e Tiranës ka miratuar fondin prej 50 mijë eurosh, për ndërtimin e altarit ku do të mbahet mesha e shenjtë nga Papa Françesku, të dielën e 21 shtatorit në Tiranë.
Drejtori i Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi, bëri të ditur sot për mediat se "Bashkia e Tiranës, krahas investimeve që po kryen në sheshin "Nënë Tereza" ka marrë përsipër që të mbështesë dhe financojë atë çka është ndoshta edhe pjesa më e rëndësishme e festimeve gjatë vizitës së Papës, altarin ku do të mbahet mesha e shenjtë nga Papa Françesku".

Sipas tij, ky financim prej 50 mijë eurosh ka ardhur në përgjigje të një kërkese të bërë nga Kisha Katolike, e cila i është drejtuar Bashkisë së Tiranës me një kërkesë për financim, duke u gjendur në pamundësi për të përmbushur këtë detyrim.

Bashkia e Tiranës ditën e djeshme aprovoi fondin prej 50 mijë eurosh për ndërtimin dhe mbarëvajtjen e gjithë pjesës ceremoniale të altarit, ku do të mbahet mesha e shenjtë.

Duke iu përgjigjur interesimit të medias pse financohet altari nga Bashkia e Tiranës dhe jo nga qeveria, Skënderi tha se "qeveria ka marrë përsipër vetëm fasadat, Bashkia e Tiranës zbatimin e projektit në sheshin "Nënë Tereza", faza e parë e të cilit do të jetë për mbarëvajtjen e meshës së shenjtë dhe altari iu la Kishës Katolike. Në pamundësi për të gjetur financimin, kisha iu drejtua me një shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës, e cila pas një konsultimi dy javor me Kishën ka arritur të miratojë dje fondin prej 50 mijë eurosh".

Bashkia , vijoi Skënderi, me një fond prej 332,786,906 lekë, po zbaton projektin për rivitalizimin e sheshit "Nënë Tereza".

Po kështu, Bashkia e Tiranës i ka akorduar Atit të Shenjtë dhe titullin "Qytetar Nderi" me motivacionin: "Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë, për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave në krye të Selisë së Shenjtë, si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, pikërisht Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë"./ATSH/

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Michelle Obama ‘thyen’ traditën, ish-zonja e parë nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Trump si president i SHBA-së