Pas dy vitesh kërkimesh në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, si dhe në arkiva e biblioteka në Romë, Napoli dhe Venedik, studiuesi Vehbi Miftari ka realizuar studimin e parë të mirëfilltë tipografik mbi ekzemplarin e vetëm të njohur të Mesharit të Gjon Buzukut. Analiza është përqendruar te elementët fizikë të veprës, si formati, dimensionet, letra dhe filigranët. Sipas studiuesit, këto të dhëna po ndihmojnë në rindërtimin e rrugës që ka ndjekur letra e përdorur për botimin e librit dhe, përmes saj, në identifikimin e mundshëm të shtypshkronjës ku u botua vepra.

“Kam bërë një studim tipografik që trajton elementet fizike të librit, duke nisur nga formati, madhësia dhe prania e filigranëve. Kjo na çon drejt kërkimit për prodhuesin e letrës dhe, ndoshta, edhe për shtypshkronjën ku është botuar Meshari.”, tha studiuesi Vehbi Miftari.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të studimit lidhet me formatin e veprës. Analiza e filigranëve dhe e strukturës së letrës ka sjellë prova të reja që, sipas Miftarit, ndryshojnë disa prej përshkrimeve të deritanishme në traditën studimore shqiptare. Kërkimi ka identifikuar gjithashtu dokumente me shenja të ngjashme letre në arkivat e Napolit dhe në burime veneciane.  Sipas të dhënave, me shumë gjasë ai është botuar në Napoli, megjithatë, ende nuk mund të thuhet me siguri nëse libri është shtypur në Venedik, Napoli, Romë apo në ndonjë qendër tjetër.

“Sot për sot rezervohemi të flasim me siguri për vendin e botimit. Kemi një vizion më të qartë se më parë, por kërkimet duhet të vazhdojnë për të identifikuar përfundimisht shtypshkronjën dhe vendin ku është botuar Meshari.”, vijon Miftari.

Sipas studiuesit, gjetjet e reja nuk përmbysin dijet e deritanishme mbi veprën, por i plotësojnë dhe i forcojnë ato. Ato ndihmojnë në kuptimin më të mirë të rrethanave kulturore dhe fetare në të cilat u botua libri, në një periudhë kur Kisha po nxiste përdorimin e gjuhëve vendase në liturgji.

Kërkimi, i zhvilluar nga viti 2024 deri në maj të vitit 2026, pritet të vazhdojë në arkivat e Venedikut dhe në qendra të tjera evropiane, me synimin për të zbuluar përfundimisht vendin dhe shtypshkronjën ku pa dritën botimi i parë i Mesharit të Gjon Buzukut.

Gjatë aktivitetit u ekspozua edhe kopja e “Mesharit”, veprës së murgut Gjon Buzuku, dhuruar nga Papa Françesku I, pjesë e Koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare. Ndërkohë për të pranishmit u lexua edhe një letër nga prefekti i Bibliotekës apostolike të Vatikanit, Don Mauro Mantovani.

Meshari është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë liturgjik në gjuhën shqipe, botuar më 1555. Libri u përkthye nga prifti Gjon Buzuku në vitet 1554-1555 nga italishtja dhe latinishtja. Ai ka qenë i destinuar për t’u përdorur nga priftërinjtë që vepronin në trojet shqiptare, gjatë shërbesave të tyre. Njihet vetëm një kopje e cunguar që ruhet në Bibliotekën e Vatikanit dhe deri më sot supozohej se është botuar në Venedik, i shkruar në shqipen e kohës me alfabet latin gjysmë-gotik.