Ditën e sotme në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u mbajt aktiviteti “Gjuha shqipe si politikë shtetërore: standardizimi dhe certifikimi në diasporë”, organizim i Qendrës së Botimeve për Diasporën, me pjesëmarrjen e ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, rektorit të Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, profesorë e akademikë.
Në këtë aktivitet, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro shpalli hyrjen në një fazë të re të Qendrës së Botimeve të Diasporës, që sipas saj garanton mësimin e gjuhës amtare në mënyrë të qëndrueshme, të standardizuar dhe certifikuar, si institucioni referencë për ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë.
“Qendra e Botimeve të Diasporës pas unifikimit të kurrikulave dhe teksteve për diasporën, trajnimit të mësuesve, zhvillimit të programeve dhe integrimit të elementeve të dygjuhësisë dhe të mësimit përmes kulturës, kalon në një fazë të re, që garanton përmirësimin e rrugëtimit arsimor të nxënësve shqiptarë përmes gjuhës amtare në mënyrë të qëndrueshme, të standardizuar dhe certifikuar.
![]()
Sipas të dhënave të kësaj qendre, janë regjistruar 326 shkolla/kurse ku mësohet shqip, rreth 850 mësues të gjuhës shqipe si dhe rreth 25,000 nxënës që aktualisht ndjekin mësimin e gjuhës shqipe. Në diasporën tonë, potenciali total i fëmijëve nga mosha 5-14 vjeç është 270 mijë nxënës dhe nga mosha 5-19 vjeç është 424 mijë nxënës, dhe mbetet ende i pashfrytëzuar.
Shqipja nuk mund të jetë më gjuha që mësohet në familje, në komunitet apo në fqinjësi – por na kërkon të përgatitemi për një fazë të re. Në këtë mënyrë, Qendra e Botimeve për Diasporën parashikohet të jetë institucioni referencë për ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Gjuhën Shqipe në Diasporë, si strukturë që do të garantojë vazhdimësinë, cilësinë dhe harmonizimin e politikave arsimore për gjuhën shqipe jashtë vendit, në bashkëpunim të ngushtë me universitetet dhe institucionet kërkimore”, tha ministrja Kumbaro duke saktësuar se është përgatitur edhe një kalendar pune që nis me rishikimin e ligjit brenda vitit 2026.
Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja e Arsimit theksoi rolin e Fakultetit të Histori – Filologjisë në përgatitjen e mësuesve të gjuhës shqipe, ruajtjen e standardeve shkencore të saj, në zhvillimin e mendimit gjuhësor si dhe partneritetin në hartimin e teksteve mësimore të gjuhës shqipe.
Rektori i Universitetit të Tiranës, z. Artan Hoxha, u ndal në nevojën e ndërtimit të një strategjie të re qasjeje shtetërore ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, duke përcaktuar qartë piketat e bashkëpunimit edhe me institucionet universitare shqiptare.
Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Mark Marku, e vuri theksin në rolin e Fakultetit dhe të Departamentit të Gjuhës Shqipe në ndërtimin e politikave për gjuhën shqipe.
Komente











