Tashmë u bë më shumë se një javë që Gjykata e Posaçme, në seancë paraprake, vendosi kalimin për gjykim të dosjes ndaj ish Presidentit, ish kryeparlamentarit dhe ish Kryeministrit Ilir Meta.
Megjithatë, për GJKKO kjo nuk ishte një arsye që kryetari i Partisë së Lirisë të lirohej, edhe pse ndodhet prej më shumë se 17 muajsh në paraburgim. Një vendim i 24 marsit, ditën e ditëlindjes së tij, e la sërish në qeli Metën, i cili kishte kërkuar një masë më të lehtë, duke vënë edhe garanci pasurore 50 mijë euro.
Në një postim në Facebook të mërkurën, Meta edhe një herë tjetër e evidentonte se trajtimi i tij në “Jordan Misja” në Tiranë, i quajtur ndryshe burgu 313, ka qenë kundër çdo ligji, sipas tij çnjerëzor dhe persekutues. Ndërkohë që një raport i nëntorit të kaluar të Avokatit të Popullit që konstatonte shkelje dhe kërkonte marrjen e disa masave, ende nuk ka gjetur zbatim nga institucionet për t'i respektuar të drejtat.
Përmes ankesave të shumta, edhe me shkresa zyrtare të avokatit të tij, Meta thotë se ai nuk lejohet të takojë fizikisht, por edhe as të komunikojë në telefon me deputetët dhe anëtarët e Partisë së Lirisë; Veçanërisht nuk lejohet të komunikojë me Sekretarin e Përgjithshëm të forcës së tij politike Tedi Blushin; Nuk lejohet të takojë dhe as të komunikojë me mediat dhe gazetarët dhe nuk i lejohen intervistat televizive. Në dy raste ndaj Metës institucioni i Burgut 313 ka marrë masë disiplinore ndaj tij se ka komunikuar në telefon me gazetarë.
Në qershor të 2025-s, Komisioni Disiplinor i burgut i hoqi Ilir Metës të drejtën për ushtrime fizike për 10 ditë pasi kishte komunikuar live në orët e mbrëmjes në një emision televiziv.
Një muaj më pas, korrikun e 2025, pas një tjetër telefonate që zhvilloi LIVE në një tjetër studio televizive, Ilir Metës iu shtuan edhe 14 ditë të tjera privim nga ushtrimet fizike të përbashkëta, me argumentin se shkeli rregulloren pasi nuk lejohej komunikimi me mediat pa leje të posaçme nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Ndërkohë në të njëjtin kontekst, gati 2 muaj më parë, Ilir Metës iu ndalua një intervistë televizive në burg, edhe pse Prokuroria e Posaçme ia kishte dhënë lejen. Pengesë u bë Drejtoria e Burgjeve, e cila nuk e aprovoi kërkesën e gazetarit për të zhvilluar intervistë, me argumentin se realizimi i saj kërkon masa të veçanta shoqërimi, izolimi dhe monitorimit, dhe se burgut 313 do t’i duheshin të angazhonte burime njerëzore dhe logjistike shtesë. Këtë vendim Meta e quajti anti demokratik, më keq se edhe në Rusinë e Putinit, kur përmendi se intervista kanë dhënë edhe Navalny dhe Khodorkovsky e shumë opozitarë të tjerë nga burgjet.
Nga ana tjetër Ilir Meta është ankuar edhe për mungesën e kushteve në burg, mbipopullimin, mungesën e energjisë elektrike (në një rast shkroi se dritat ishin fikur 42 herë brenda ditës), mungesën e ujit etj.
Meta është ankuar gjithashtu se takime me deputetë dhe eurodeputetë të caktuar i janë ndaluar, duke shkelur kështu ligjin. Këtu ai i referohet rastit të 31 janarit 2025, pak muaj pasi ishte arrestuar, kur deputeti Vangjel Dule dhe Fredi Beleri, eurodeputet i Parlamentit Evropian, janë paraqitur pranë "Jordan Misjas" për të takuar Metën. Autoritetet e burgut refuzuan me argumentimin se duhej "miratim paraprak nga prokurori". 3 javë më pas, më 21 shkurt 2025, deputetët e atëhershëm të Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho dhe Petrit Vasili, kanë kërkuar takim me Metën, por edhe në këtë rast, stafi IEVP-së ka sqaruar përsëri deputetët se, nevojitet "miratimi i prokurorit të çështjes" për zhvillimin e takimit.
Sa i përket takimeve me Tedi Blushin, kërkesa e Sekretarit të Përgjihshëm të PL-së ka qenë që këto takime të mos i llogariteshin tek ato familjare, por në funksionin që ka te "Partia e Lirisë". Kjo nuk është pranuar nga burgjet me arsyetimin se kjo kërkesë nuk gjen mbështetje në ligj.
Një raport i Avokatit të Popullit 17 nëntorin e vitit 2025 i jepte të drejtë Ilir Metës për disa shkelje në burg. Institucioni kërkon masa nga ana e burgjeve, për shkak se kemi të bëjmë me një personazh politik, kryetarin e një partie politike, të drejtat e posaçme të të cilit duhen respektuar.
“Në rastin e Presidentit të Partisë së Lirisë Z. Ilir Metaj, kemi të bëjmë me përfaqësues të një subjekti politik dhe takimet e tij me Z. Tedi Blushi, i cili mban funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, janë për më tepër të miratuara me vendimet e datës 16.12.2024 dhe 21.02.2025 të prokurorëve Z. Sotir Kllapi dhe Z. Arben Kraja. Kufizimi i takimeve të Presidentit të Partisë së Lirisë Z. Ilir Metaj, me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë Z. Tedi Blushi, për arsye se legjislacioni për të burgosurit përcakton një minimum vizitash, përbën kufizim të pajustifikuar në ligj të ushtrimit të të drejtës së organizimit”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
“Kufizimi i takimeve të të burgosurve në vetëm 4 takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale të të burgosurve (p.sh. distanca e familjes, nevoja sociale, statusi shoqëror dhe publik, probleme shëndetësore, apo mungesa e kontakteve të tjera), përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të drejtës për t'u organizuar. Ndalimi i vizitave konfidenciale të të paraburgosurve me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe eurodeputetë, duke kërkuar miratimin paraprak të prokurorit, vjen në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Kufizimi i telefonatave nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj. Janë vendosur pengesa të pambështetura në ligj për komunikimin e të burgosurve me median”, vijon raporti.
Lidhur me pretendimin e Ilir Metës se ai po vuan një "persekutim dhe inkuzicion të paprecedent", Avokati i Popullit shkroi se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara. Edhe arrestimin e Ilir Metës 21 tetorin e vitit 2024, Avokati i Popullit e quan jo dinjitoz, teksa nuk e pranon pretendimin e Metës së "është rrëmbyer".
Komente










