Meta ‘çiban’ politik e me 'virusin Berisha', PES dhe aksi Uashington-Bruksel

Meta ‘çiban’ politik e me 'virusin Berisha', PES dhe aksi Uashington-Bruksel

Ilir Meta

Në mënyrë të papritur Partitë Socialiste Europiane refuzuan pjesëmarrjen e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta në kongresin e radhës që do të zhvillohet në Berlin.

Më shumë se sa refuzimi, tërë hapësirën mediatike, për një pjesë të mediave që e përcollën këtë lajm, e zuri debati nëse është i vërtetë lajmi apo jo.

Ndonëse lajmi i publikuar  u shoqërua dhe me e-mailin që zyrtarisht përfaqësuesit e PES kishin dërguar tek faktorët relevantë në PL, Meta nxori numrin dy të partisë së tij për ta përgënjeshtruar këtë fakt, duke i mëshuar fort idesë se është një lajm i rremë. Politikanët shqiptarë e kanë trend mospranimin e të vërtetës dhe Ilir Meta nuk bën përjashtim këtu. Nuk i pranon lajmet e këqija.

Këmbëngulja më e madhe “sondohej” në faktin se Partia e Lirisë, e cila doli në sipërfaqen e “xhunglës” politike shqiptare nga rrënojat e LSI të shuar për një pasdite, ‘nuk kishte bërë kërkesë për të marrë pjesë në kongresin e radhës së këtij organizmi të majtë europian’.

Më pas, me këmbënguljen e medias (Report Tv)  që publikoi lajmin, në fillim reagoi zv.Presidenti i PES, Giacomo Filibeck, i cili ka konfirmuar vendimmarrjen dhe arsyet e saj. “Ilir Meta dërgoi email dhe e konsiderojmë të padëshiruar që marrë pjesë në Kongresin në Berlin. Arsye e refuzimit është aleanca e nënshkruar me Sali Berishën. Ilir Meta në të kaluarën ka qenë i ftuar gjithmonë në aktivitetet e PES. Kjo është hera e parë që nuk e pranojmë”, ka thënë Filibeck.

Deklaratës së Monika Kryemadhi, ish kryetare e LSI, njëherësh dhe bashkëshorte e Ilir Metës se gjithë kjo “sagë” lajmesh dhe goditjesh për refuzimin e pjesëmarrjes së kreut të Partisë së Lirisë në kongresin e socialistëve europianë, ishte për të hequr vëmendjen nga lirimi e kalimi në arrest shtëpiak të ish deputetit të PS Alqi Bllako, i është përgjigjur sërish PES, përmes zëdhënësit të saj Robin Murphy, i cili rikonfirmoi zyrtarisht “dëbimin” e Metës nga ky organizëm partiak.

Në mënyrë koncize zëdhënësi i PS nënvizon se Meta kishte shkruar e-mail për pjesëmarrje në kongres, por sipas tij, “ne bashkojmë partitë socialiste, socialdemokrate, demokratike dhe të punës nga e gjithë BE-ja dhe fqinjët e saj. Pas deklaratave publike mbështetëse të fundit të z. Meta ndaj kampeve nacionaliste e populiste në Europë, lidershipi i PSE vlerëson se zoti Meta nuk është i mirëpritur në Kongresin e ardhshëm të PES”.

Dhe për të mbështetur deklaratën e tij, Murphy ri-poston deklaratën e zv.Presidentit të PES, Filibeck sipas të cilit “familja e PES do të mblidhet në Berlin javën e ardhshme për të ndarë vizionin tonë për një Evropë progresive, të bazuar në vlerat e demokracisë, lirisë, barazisë, paqes dhe drejtësisë. Nuk mund të ketë vend atje për liderët që dëshirojnë sukses forcave të djathta, anti-evropiane”.

I përmendëm këto, për të rifreskuar dhe njëherë kujtesën e lexuesit, por dhe për të qënë korrektë me subjektin politik në fjalë, Partia e Lirisë, se lajmi ka qënë i vërtetë dhe se motivimi i dëbimit të Metës nga kongresi, është me të vërtetë shumë shokues për këtë parti por dhe për politikën shqiptare. PES ka vënë “sinorë” për partinë e Ilir Metës, duke e lënë pas kaq vitesh anëtare dhe pjesëmarrëse aktive në këtë grupim, jashtë zhvillimeve dhe vendimeve të socialistëve europianë.

E thënë në mënyrë më të lehtë për t’u kuptuar, praktikisht partia e Lirisë e Ilir Metës nuk është më pjesë e Partive Socialiste Europiane, dhe praktikisht është e përjashtuar nga ky grupim politik i majtë europian dhe më gjërë.

Socialistët europianë e shohin PL e Ilir Metës një “Kalë Troje” të partive të djathta nacionaliste, populiste dhe anti-progresiste, brenda një organizmi të majtë europian dhe për këtë arsye kjo parti nuk është e dëshiruar që të jetë pjesë e kësaj bashkësie të të majtëve europianë që ndajnë vlerat e demokracisë, lirisë, barazisë, paqes dhe drejtësisë.

Në pamje të parë duket sikur ka një përjashtim nga PES për arsye ideologjike, duke evidentuar faktin se Partia e Lirisë, shihet si një “çiban” në mesin e partive socialiste europiane, pa asnjë lidhje me boshtin social që prevalon programin e këtyre partive. Ka të vërteta këtu. Pasi dhe Meta po tenton të thithë elektorat nga PD dhe e djathta, duke u zhvendosur nga e majta në të djathtën e spektrit politik shqiptar. Fakt i pranuar në heshtje dhe nga Berisha, i cili ka marrë masa që të ketë një qasje të barazlarguar prej Metës, nga frika e “grryerjes” së votave të PD si gjithherë.

Por nënvizimi i faktit se pas marrëveshjes me Sali Berishën, Ilir Meta është i padëshiruar për PES-në, na bën të mendojmë se ky refuzim dhe praktikisht përjashtim i PL nga ky grupim i majtë politik, ka shkaqe akoma më të thella dhe kanë lidhje me qëndrimin pro të vendeve anëtare të BE, ndaj vendimeve të SHBA për sanksionimin apo shpalljen “non grata” të disa elementëve politikë në Ballkan, për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë si dhe shantazhim të demokracisë.

Dhe mes të sanksionuarve nga SHBA, por dhe nga Britania e Madhe është pikërisht Sali Berisha, i cili i respekton të gjithë këto “parametra”, pasi ky është dhe motivacioni i shpalljes nga SHBA “non grata” familjarisht. Si askund tjetër. Por Berisha është refuzuar dhe nga Partitë Popullore Europiane, një organizëm i djathtë politik ky, ku PD ka qënë anëtare me statusin e vëzhguesit deri më tani.

Kaloi si pa u vënë re në atë kohë përjashtimi i grupimit të Berishës nga pjesërmarrja në kongresin e radhës të PPE-ve, dhe heqja e të drejtës së votës për grupimin tjetër të drejtuar nga Alibeaj, për shkak të paqartësisë se kush e drejtonte këtë parti, e mbërthyer nga një konflikt i brendshëm mbi një vjeçar për çështjen e lidershipit.

E njëjta skemë u përdor nga ana e PES me Partinë e Lirisë, duke treguar qartë se aksi i aleancës Uashington-Bruksel funksionon me kapacitet të plotë për të lënë jashtë politikës dhe mbështetjes respektive të dy “dinozaurët” e politikës shqiptare, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Nëse ambasadorja e Shqipërisë Yuri Kim nuk e takon fare Berishën pasi nuk e njeh si faktor relevant politik me qasje dhe orientim nga demokracia e barazia e vlerave, pra qasje europiane, pra nuk e njeh fare si kryetar të PD, njëherësh Kim zhvillon takime kortezie me kreun e Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ndërsa janë europianët ata të cilët e kanë shpallur praktikisht “non grata” Ilir Metën, duke i hequr dhe mbështetjen e simotrave të PL në Europë dhe më gjërë. Pjesa më e madhe në pushtet në vendet anëtare të BE dhe të NATO-s.

Me sa duket ashtu si me Berishen po aplikohet një strategji e njëjtë mes Uashingtonit e Brukselit, edhe me Metën. Ku si në lojën e bukur dhe shumë të ndjekur të futbollit, ku njëri e ngre topin dhe ndonëse është përballë portës bosh e vetëm një “shtyrje” duhet për ta ekzekutuar golin, ia pason shokut të skuadrës, për t’ia lënë shansin e shtyrjes në rrjetë atij.

Dyshojmë se po veprohet kujdesshëm për të shmangur krijimin e ideve të papërshtatshme në drejtim të SHBA dhe ambasadores Yuri Kim, që deri më tani thuhen nën zë, se e kanë personale me liderët e opozitës. Pasi, pas goditjes së Berishës që u shpall “non grata” për arsyet që përmendëm dhe askush nuk i jep as dorën jo më mbështetje, po goditet dhe Ilir Meta. Paçka se dosjet e kreut të PL kanë mbushur jo vetëm gjykatata shqiptare por kanë shtrirje deri në SHBA.

Kjo lë për të kuptuar se sipas gjasave Uashingtoni e Brukseli i kanë “ndarë” punët për pastrimin e politikës shqiptare, SHBA sanksionon Berishën ndërsa BE Metën. Në fund të herës, të dy politikanët më të vjetër të politikës shqiptare, që i kanë marrë këtij vendi gjithçka, që nga posti i ministrit, kryeministrit, kreut të Parlamentit e deri President Republike, duket se janë në “metrat” e fundit të udhëheqësisë politike, dhe të izoluarit e mëdhenj nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

Një sanksionim i tillë bëhet pikërisht në momentin kur presidenti i vendit Bajram Begaj, pas konsultimit me drejtuesit e partive politike në Shqipëri, është duke përzgjedhur dhe datën më të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme për pushtetin vendor, me shumë gjasa më dyjavëshin e parë të muajit maj të vitit të ardhshëm.

Eshtë një sinjal i qartë jo vetëm për anëtarësinë e PD e të PL, po për të gjithë votuesit shqiptarë, se Ilir Meta e Sali Berisha nuk janë të dëshiruar nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Dhe për një vend të vogël si Shqipëria, që mezi po e ngre “kokën” për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur politik, me dëshirën për të qënë anëtare e BE dhe e varur shumë nga ndihma e huaj në të gjithë sektorët, është shumë e rëndësishme që lidershipi politik të ketë mbështetjen e këtyre partnerëve.

Ndonëse opozita është në kufijtë e mbijetesës politike për shkak të luftës së saj të brendshme për lidershipin politik, pra është në “zgrip”, si dhe ka përballë një Parti Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, të mbështetur fort nga aleatët tanë ndërkombëtarë por dhe me një “trupë” zgjedhore efikase politike që maksimalizon votat, shtimi dhe i izolimit total të liderëve politikë të opozitës Berisha e Meta nga ana e SHBA dhe BE, e bën të pamundur jo vetëm fitoren e tyre në zgjedhjet vendore dhe më pas ato parlamentare, por dhe marrjen e një rezultati dinjitoz në këto zgjedhje.

Pjesa tjetër është vetëm histori. Sado që të dalin përditë para mediave, sado që të mundohen të krijojnë aleanca dhe të organizohen në formacione të përbashkëta politike, përpos goditjeve nën brez që do t’i japin njëri tjetrit gjatë fushatës, janë një “aliazh” që nuk funksionon sidomos në bazë, përfundimi është i qartë. Shqiptarët, që rrëzuan komunizmin nën slloganin “ne, si gjithë Europa” nuk mund të votojnë parti që drejtohen nga liderë anti-SHBA dhe anti europianë.

Këtë e tregojnë dhe sondazhet në Shqipëri, qytetarët shqiptarë zgjedhin SHBA dhe Europën në masën mbi 90 përqind. Çka tregon se dhe mbështetja për partitë politike nuk mund të ecë në proporcion të zhdrejtë me këtë trend pro-Perëndimit që tregojnë në çdo rast qytetarët, thjeshtë dhe vetëm për të mbështetur partitë anti-Perëndim.

Llogaria është e qartë, s’është nevoja të presim ditën e parë pas zgjedhjeve, kur të dalin rezultatet zgjedhore, për të ditur nga anon fitorja. Prandaj mbështetësit e opozitës janë të zhgënjyer nga lidershipi i tyre, sepse u ofrojnë një humbje të garantuar në zgjedhje dhe qëndrim larg pushtetit për vite e vite me radhë. Përjashtim këtu bëjnë militantët dhe ithtarët. Por ata janë pakicë.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lule Dashi Bules Rexhep Leka [ kepi ]: 07/10/2022 19:21

    O Ilir Metaj e vërtetaj po je burr jep dorheqjen se je diskretituar jashtë zakonisht keç o Iliri dreç.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!

Nesër zgjedhjet në SHBA/ Ish-ambasadori: Duhet ndryshuar rendi botëror! Endri Shabani: Trump thotë 'Amerika e para'! Po kur ka qenë ndonjëherë e dyta?!