TIRANË- Në një kohë kur kreu i shtetit, Ilir Meta e ka sulmuar, madje edhe duke e etiketuar si ministrja e padrejtësisë, ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim i jep "ok" Etilda Gjonajt që të vazhdojë në të njëjtin kurs sa i përket Reformës në Drejtësi.

Diplomatja amerikane ka zhvilluar një takim për rreth 120 minuta me ministren Gjonaj, një mesazh ky që konfirmon mbështetje për vijimësinë e Reformës në Drejtësi, pavarësisht akuzave nga opozita, por edhe Meta për "kapjen nga qeveria". 

Gjonaj ka qenë në qendër të akuzave nga presidenti Ilir Meta, me këtë të fundit që e ka kallëzuar në SPAK së bashku me dhe dy zyrtarë të tjerë të ministrisë, Gentian Deva dhe Etleva Haxhia, të cilët publikisht i akuzoi si pjesë të një strukture të organizuar që po tentojnë grusht shteti në Shqipëri, lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 

Pikërisht për këtë çështje, Meta firmosi në shesh dekretin që kthente pas ndryshimet në ligjin për betimin e këtyre anëtarëve, ku në duar mbajti edhe flamurin amerikan. Kjo solli një reagim të menjëhershëm të ambasadores, e cila u distancua duke theksuar se nuk kanë lidhje me tubimin e 2 marsit.