TIRANE-Presidenti Ilir Meta gjen një tjetër arsye që sipas tij shqiptarët duhet t'i përgjigjen thirrjes për t'iu bashkuar në shesh në datë 2 mars. Arsyeja është raporti i MONEYVAL, që Shqipëria e fut sërish në listën gri të pastrimit të parave. Kreu i shtetit thotë se Shqipëria nuk do të jetë më lavatriçe e pastrimit të parave të organizatës ndërkombëtare, prandaj kërkon popullin në shesh, sipas tij për të rivendosur sistemin e llogaridhënies publike.

"Të dashur qytetarë! Asnjë habi për hapat pas që Shqipëria ka bërë edhe në këtë drejtim. Ndaj në 2 mars të gjithë në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese, për të rivendosur sistemin e llogaridhënies publike në çdo nivel vendor dhe qendror, në të gjithë vendin. Shqipëria nuk do të jetë më lavatriçe e pastrimit të parave të organizatës ndërkombëtare. Bashkë për Kushtetutën! Bashkë për Shqipërinë" shkruan Meta.

Pak ditë më parë Ilir Meta njoftoi se në 2 mars do të zbresë nga Presidenca për të dalë në shesh në një protestë kundër qeverisë, pasi sipas tij me lëvizjet për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese po bën grusht shteti. Të hënën, tha ai dje, do të depozitojë në SPAK një kallëzim për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:09
Mesazhi i koduar para tubimit, Meta paralajmëron 'pranverën shqiptare'


E ndërsa vijon deklaratat dhe thirrjet për qytetarët për protestën e 2 marsit, sot në Facebook Presidenti Ilir Meta ka publikuar një foto mes mimozave, por me mbishkrimin “Pranvera po vjen”, një paralelizëm i kreut të shtetit me pranverën arabe që solli lëvizjet revolucionare me protesta.

Ora 12:06
Thirrjet për protestën! Meta: Le ta dëgjojë e gjithë bota, ejani vetëm me flamurin kuqezi


Presidenti Ilir Meta ka postuar një tjetër mesazh në Facebook lidhur me tubimin e 2 marsit. Ai u kërkon qytetarëve që të shkojnë vetëm me flamurin kuqezi dhe jo të partive, ndërsa ka edhe një mesazh për ndërkombëtarët që të dëgjojnë se 'Shqipëria është kthyer 30 vite pas'.

"Të dashur qytetarë! Në manifestimin historik të 2 marsit ju ftoj të gjithëve t'u përmbahemi vetëm këtyre mesazheve:
Për kushtetutën!

Për shqipërinë!

Jo grushtit të shtetit!

Jo shpopullimit!

Të gjithë të barabartë para ligjit!

dhe meqënëse jemi kthyer 30 vjet pas, le ta degjojë e gjithë bota mesazhin e shqiponjave:

Liri demokraci!

E duam Shqipërinë si gjithë Europa!

Ju ftoj të vini vetëm me flamuj kuq e zi!

Ju përshëndes të gjithëve me këtë foto të jetës time" shkruan Meta.