TIRANE- Presidenti Ilir Meta paralajmëroi sot se ditën e hënë do të dorëzojë në SPAK kallëzimin për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, të cilën e akuzon si pjesë e grupit të grushtit të shtetit në lidhje me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit i kërkoi ministres që të jepte dorëheqjen pasi ka humbur besimin.

Por për cfarë e akuzon Meta ministren e Drejtësisë? Presidenti akuzon se ministrja e Drejtësisë ka urdhëruar sekretarin të botonte vendimin e pikëzimit të kanidatëve për në Gjykatën Kushtetuese në Fletoren Zyrtare, edhe pse në fakti sipas tij, ky vendim duhet të botohej vetëm në faqen e Gjykatës së Lartë.

"Të gjithë u njohën dje me veprat e rënda penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe falsifikimit nga ministri i drejtësisë në botimin në fletoren zyrtare të një vendimi të KED-së. Në këtë tentativë për grusht shteti, provat do i dorëzohen edhe SPAK, rezulton të jetë përfshirë Etilda Gjonaj dhe funksionarë të saj për llogari të skenarit për kapjen e Gjykatës Kushtetuese duke përvetësuar një kompetencë. Ministrja e Drejtësisë duke urdhëruar sekretarin të botonte një vendim ka shkelur ligjin për Botimet në Qendrën Zyrtare, pasi vendimet e KED-së botohen vetëm në faqen e Gjykatës së Lartë. Brenda ditës së hënë do të coj në SPAK kallëzimin për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe jo vetëm. Duke qenë se e ka humbur tërësisht besimin, do të mirëprisja dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë duke evitur detyrimin dhe precedentin, që presidenti të padisë një ministrie në detyrë" tha ai.

Ministrja e Drejtësisë është shprehur pak ditë më parë se cdo ligj apo amendim për reformën në drejtësi është miratuar me konsensusin e SHBA-BE-së, por pë Metë kjo mbështetje ndërkombëtare ka ardhur  para se diplomatët të mësonin faktin që sipas tij brenda Ministrisë së Drejtësisë është një grup i strukturuar kriminal, siç ai u shpreh. Meta thotë se kërkesën për botimin në Fletoren Zyrtare të vendimit të KED-së për pikëzimin e gjyqtarëve Kushtetueses e ka pasur në dorë që para një muaji. Ai thotë se e ka siguruar dokumentin përmes 'rilindasve të kamufluar' sikur thotë ai, por ajo që lë pikëpyetje pse Presidenti zgjodhi këtë moment për ta bërë publik kur palët në vend janë ulur në tryezën për reformën.

"Dua t'iu them se asnjë diplomat në Shqipëri dhe jashtë, dhe shumica e deputetëve që kanë bërë ato marrëzira në seancën e kuvendit nuk e kanë ditur që në Ministrinë e Drejtësisë, një grup i strukturuar kriminal që duhet të jetë garant i kushtetutës, ka kryer këto veprime, është e sigurt që i dinte vetëm grupi kriminal. Një kopje të tyre prej disa muajsh e kishte edhe presidenti. Pas denoncimit publik për mosdhënien e këtyre provave të rënda, ata u detyruan t'i dërgojnë se unë përsëri i kisha ato. Ka shumë shqiptarë të ndershëm që shtiren si rilindas se kjo është e vetmja mënyrë që sigurojnë bukën e gojës.

Të gjithë qytetarët shqiptarë që u ka ngelur sado pak dinjitet, janë me presidentin për të mbrojtur kushtetutën e cila është lënduar, përdhunuar, gjakosur, kaq shumë, dhe do të jenë në 2 mars bashkë me presidentin për t'i treguar këtij grupi kriminal dhe kësaj celule mafioze edhe në Ministrinë e Drejtësisë, që ka bërë lajme të papara duke çuar në burgje shumë zyrtarë që kanë bërë falsifikim të dorës së dytë e të tretë, dhe që bëjnë lajme të papara kur sekuestrojnë ndonjë makinë, apo bëjnë sikur vrapojnë për të kapur paratë.  Ka republikë pa kryeministër, por nuk ka republikë mbi presidentin.

Mbi presidentin është kushtetuta, mbi kushtetutën është populli. Legjitimitetin e merr populli. Çfarë është grushti i shtetit? Hyni në ëikipedia, ka disa forma, kur një opozitë përpiqet të marrë qeverinë në mënyrë të armatosur, por ka forma të qarta kur një pushtet kërkon të marrë në mënyrë antikushtetuese pushtetin e një institucioni tjetër legjitim, duke rrëmbyer kompetencat që kushtetuta ja njeh presidentit, Për çfarë ja njeh kompetencat? Jo për të pasur një gjykatë kushtetuese partiake, të njëanshme, por për të pasur një gjykatë kushtetuese të pavarur" thotë Meta.

VIDEO/ Konferenca Live e presidentit Meta

Ilir Meta e quajti të jashtëligjshme këtë veprim, me argumentin se një vendim i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duhet publikuar vetëm në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë.

Në datën 9 nëntor 2019 në fletoren zyrtare është botuar vetëm vendimi i KED-së për pikëzimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, ku Arta Vorpsi renditej e para. Ky vendim erdhi pasi, siç argumentonte kreu i KED-së, Ardian Dvorani, presidenca kishte kaluar afatin 30 ditor për të emëruar anëtaren e tij të dytë në 'Kushtetuese'. Por pavarësisht vendimit të KED-së, botuar në fletoren zyrtare, anëtarja aktuale në Kushtetuese është Marsida Xhaferrllari, të cilën Meta e emëroi jashtë afatit 30 ditor.

E ndërsa tashmë pritet që të përballen në dyert e SPAK-ut, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi një vit më parë, në 7 shkurt të 2019 në një nga seancat e Kuvendit gjatë fjalës së saj zbuloi se Ilir Meta e ka kushërirë Etilda Gjonajn. "A e ka luftë personale të saj apo e ka nga budallallëku, unë për hir të së vërtetës nuk e kam sulmuar duke pasur parasysh që është kushërira e një lidhje familjare të Ilir Metës, për shkak të lidhjeve të mia familjare me të" thoshte para një viti Kryemadhi.