TIRANË - Presidenti Ilir Meta po trazon sërish ujërat e politikës shqiptare, ku këta radhë idenë e një grushti shteti, vendosi ta përhapë në radhët e opozitës jashëparlamentare përmes liderit demokrat Lulzim Basha, të cilin paraditen e sotme e ftoi në një takim në presidencë. E menjëherë, kryetari i Partisë Demokratike, mblodhi aleatët për të tejçuar "porosinë" e presidentit: Të informojë drejtuesit e partive të tjera opozitare, mes të cilave edhe forcën politike që drejton bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, LSI-në, se duhet bërë çdo gjë "për të ndaluar dhe për të shpartalluar përpjekjen e mazhorancës për grusht shteti, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton". Me të njëjtën gjuhë si Meta foli Basha pas takimit në selinë blu me aleatët, kur akuzoi qeverinë se po bën grusht shteti.  Por pika që i ndan, është se si do ta luftojnë këtë grusht shteti. Meta thotë se do ta 'shpartallojë me përgjigje shembullore përmes dekreteve' , ndërsa Basha me mjete demokratike (duke përjashtuar mundësinë e rikthimit të protestave), përmes dëgjimit dhe bashkimit të qytetarëve në një zë. 

Për të dy, "grushti i shtetit" nuk është i formës me tanke e ushtri, por me tentativat e mazhorancës për të kapur Gjykatën Kushtetuese. 

"Presidenti i Republikës më ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes së zyrtarëve të lartë të maxhorancës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Edi Ramës i duhet Gjykata Kushtetuese për të mbrojtur dhe liruar kriminelët, me të cilët ka marrë pushtetin. Ky është, ashtu siç e cilëson edhe Presidenti i Republikës një grusht i pastër institucional, një grusht i pastër institucional shteti. Nuk bëhet me të vërtetë me ushtri dhe me tanke, por bëhet me shërbëtor të bindur të qeverisë në organet e reja të drejtësisë", tha Basha.

Thirrjen për ndryshim lideri i opozitës së bashkuar e drejtoi ndaj shqiptarëve,

"Do të marrim çdo vendim si opozitë, duke i bërë thirrje çdo qytetari, përtej bindjeve politike, që hapa të tillë që shkatërrojnë themelin e demokracisë, Kushtetutën, të ndeshen me bashkimin më të madh qytetar dhe me rezistencën më të madhe qytetare", tha kreu i PD-së.

Por a është kjo thirrje për protestë, apo për shpërndarje të parlamentit?

Për Bashën, parlamenti aktual është ilegjitim, zgjidhja sipas tij vjen përmes një rotacioni të pashmangshëm- siç ai tha - për të sjellë në pushtet opozitën e bashkuar që Basha e quan mazhorancë morale.

"Ndryshimi është i pashmangshëm. Rotacioni është i pashmangshëm. Nuk do të ketë forcë mbi tokë ta ndalë rotacionin, ta ndalë ardhjen në pushtet të opozitës së bashkuar me votën e qytetarëve", tha Basha.

Zgjedhjet, lideri demokrat i sheh të ndodhin pas miratimit me konsensus të reformës zgjedhore, që me uljen në tryezë të palëve pritet të miratohet me konsensus brenda 15 marsit.

Por a është e njëjta përgjigje reagimi mes Bashës e Metës? Kryedemokrati flet për angazhimin e qytetarëve në disa rrafshe, ku asnjëri nuk flet për protesta, dhunë, apo "shpartallime".

"Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me qytetarët. Unë do të vazhdoj t’i dëgjoj ata dhe pas kësaj do të shpalosim ofertën tonë. Ne do të bëjmë gjithçka të garantojmë një proces zgjedhor përmes një reforme zgjedhore. Edi Rama i ka bërë hesapet gabim. Ia kam thënë para një muaji, po ia përsëris: nuk ka forcë mbi tokë ta ndalë rotacionin. Unë mbetem i përkushtuar që procesin ta përfundoj me mjete politike, për hir të vendit, për hir të stabilitetit, për hir të këtyre familjarëve, fëmijëve të tyre, duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët. Boll kanë paguar kosto, 30 vjet kosto rotacion pas rotacioni. Do të bëj gjithçka që kjo të vijë me koston më të vogël për shqiptarët. Por bashkimi ynë do të jetë i madh. Do të jetë i pandalshëm. Do t’i tregojë vendin secilit prej asaj duzine të qelbur hajdutësh dhe kriminelësh, që mendojnë se me makinacione dhe me paratë e krimit do të ndalin rotacionin", u shpreh Basha.

Meta tha se do ta shpartallojë grushtin e shtetit përmes dekreteve, dhe shpreh besimin se parlamentin do ta shpërndajë vetë populli.

"Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do zbatojë vullnetin e tij. Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij. Do ketë disa dekrete për shpartallimin e grushtit të shtetit. Bëni durim! Dekretet do t’i zbatojë populli shqiptar", bëri të ditur zëdhënësi i presidencës, Tedi Blushi.  

Për mazhorancën, shpërndarja e parlamentit do të ishte atentat ndaj Kushtetutës, siç u shpreh sot nga Korça, Ulsi Manja, kreu i Komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Kjo 'luftë' e re politike mes Metës dhe mazhorancës nisi pas miratimit nga Kuvendi të ligjit që i heq presidentit kompetencën e betimit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.