Meta i pafajshëm, Gjykata e
Lartë zbardh vendimin 83 faqe

TIRANE-  Gjykata e lartë shpalli dje në faqen online vendimin për pafajësinë e Ilir Metës, një vendim që i përket mesit të muajit janar, por që gjykata e Lartë kishte 30 ditë kohë për ta shpallur. Vendimi u mor pesë me zero në favor të Ilir Metës, por me një votë paralele.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arsyeton: "Kolegji Penal, pasi shqyrtoi dhe çmoi tërësinë e provave të pranuara dhe verifikuara në gjykim dhe pasi i analizoi ato në raport me ligjin procedural dhe material të zbatueshëm, vjen në përfundimin se nuk mund të krijohet bindje mbi ekzistencën e faktit në kuptimin penal, pra që i pandehuri Ilir Meta, me sjelljen e veprimet e tij si dhe me bisedat e zhvilluara, t’i ketë ofruar shtetasit Dritan Prifti shpërblime e përfitime materiale, me qëllim që ky i fundit, në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tij publike, të favorizonte dy subjekte të caktuara, të afërta me të pandehurin Ilir Meta, në dy konkurime të ndryshme publike: dhënien me koncesion të hidrocentralit Egnatia-Shushicë dhe shitjen me ankand të një sasie prej 50 mijë MT naftë bruto të Shoqërisë “Albpetrol” sh.a”., thuhet në argumentim.

Por ndërkohë në vendimin që ka 83 faqe ka edhe një mendim paralel, i gjyqtarit Ardian Dvorani, i cili ka kërkuar më shumë prova dhe fakte për të dhënë një mendim të plotë për çështjen. “Kam mendimin që nëse nuk do të deklaronte të pavlefshme disa akte procedurale dhe nuk do të përjashtonte nga shqyrtimi disa prova, të cilat sipas mendimit tim ishin, respektivisht, të vlefshme dhe të nevojshme për objektin e të provuarit, Kolegji Penal do të arrinte të realizonte një hetim gjyqësor më të plotë, për rrjedhojë, do të arrinte të dispononte mbi prova të mjaftueshme dhe jo kontradiktore me vendim pushimi, pafajësie apo dënimi ndaj të pandehurit Ilir Meta” thuhet në mendimin e gjykatësit Dvorani, i cili është paralel, por që votë konsiderohet pro. Përfundimisht, me botimin e këtij vendimi të plotë, merr fund odisea e videos Meta-Prifti, apo videove të tjera në qarkullim.

Vendimi i Gjykates se Larte u dha me 16 janar, dhe shpalli të pafajshëm ish-zëvendëskryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta për akuzën e korrupsionit aktiv dhe abuzimit me detyrën, kur mbante postin e zv kryeministrit e njëkohësisht të ministrit të Jashtëm. Akuza u ngrit pas publikimit të videopërgjimit të realizuar nga ish ministri i Energjetikës Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit më 1 mars 2010.

Në seancën e 6 janarit prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë, ndaj Ilir Metës, pasi sipas saj provat vërtetojnë implikimin e Ilir Metës në afera korruptive. Avokatët mbrojtës deklaruan se akuzat e prokurorisë ishin të pabaza dhe kërkuan rrëzimin e tyre dhe deklarimin të pafajshëm Ilir Metës.
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave