TIRANË - Teksa Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një deklarate tha se po vëzhgon situatën pas komenteve të Presidentit Ilir Meta që sulmoi ambasadorët, kreu i shtetit në një reagim e nis me mbështetje ndaj DASH referuar citimit “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”. Presidenti Ilir Meta, përmes një deklarate me shkrim nxjerrë nga zyra e shtypit, zbardh edhe telefonatën që ka pasur me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, dy ditë më parë, ku thotë se edhe atij i ka shprehur se i "qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit"
Deklaratë e Presidentit të Republikës Ilir Meta pas reagimit të DASH
Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerëson maksimalisht deklaratën e sotme të Departamentit të Shtetit të SHBA.
Presidenti Meta përshëndet qëndrimin e DASH se: “respektimi i ligjit është mbi të gjitha”.
Presidenti Meta konfirmon vendosmërinë e Tij për të bashkëpunuar ngushtë me DASH dhe SHBA për zbatimin e Reformës në Drejtësi sipas Kushtetutës së miratuar në bashkëpunim me SHBA dhe Komisionin e Venecias.
Presidenti Meta i qëndron besnikërisht të gjitha qëndrimeve të tij të qarta dhe transparente, të shprehura zyrtarisht për përfaqësuesit e lartë amerikanë gjatë 5 viteve të fundit, që i përsëriti dhe në bisedën zyrtare telefonike që zhvilloi mbrëmjen e 20 nëntorit me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer.
Aleanca strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA dhe miqësia e shkëlqyer midis dy vendeve dhe popujve tanë është e palëkundur.