TIRANE- Presidenti i Republikës Ilir Meta vijon që t'u qëndrojë deklarimeve në letrën që i dërgoi kryeministrit Rama ku paralajmëronte se Shqipëria do të përfshihet nga një tërmet apokaliptik, i cili do të prekë Ballkanin duke cituar sizmiologun grek Akis Tsenelis. Report Tv pyeti sot Presidentin Ilir Meta gjatë konferencës për mediat se ku u bazua për letrën që i dërgoi kryeministrit Rama duke ngritur alarmin.

"Unë nuk e di se cfarë ka thënë ky sizmologu grek, këtu janë ato 45 linqet mininale të Greqisë dhe Shqipërisë (tregon listën e medive), besoj se televizioni ja juaj shquhet për korrektesë dhe profesionalizëm të lartë, besoj se do i japë këto. Këtu janë nga BBC, të gjitha mediet greke, por edhe ato që ndonjë kolegu jonë i quan kazan, shpresoj mos u përfshijë ju këtu, janë të gjitha këtu. Sikur e tha edhe këshilltari im, Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.

Pak muaj më parë ndodhi një tërmet, jo i përmasave që është paralajmëruar sipas medieve nga drejtori në fjalë në Greqi dhe e dini sa e vështirë ishte për të menaxhuar pasojat, po i patët harruar shkoni dhe pyesni banorët dhge fëmijët që u plevitosën atje në ato çadra. Unë nuk kam letër për mediat, por institucionale për qeverinë në zbatim të detyrimeve të tyre ligjore, por ishte më e lehtë të shpërndahej te ju. Besoj se do ta botoni edhe ju me profesionalizimin që ju karakterizon" tha Meta.

Ndërkohë që më herët ishte Këshilltari i Presidentit të Republikës për Çështjet e Sigurisë Kombëtare Bahri Shaqiri që në një konferencë për mediat u shpreh sot se letra u dërgua pas shqetësimit të sizmiologut grek Akis Tsenelis dhe pasqyrimit sipas tij në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare.

"Presidenti iu drejtua dje me një kërkesë për informacion Ramës, Braçes dhe ministres së Mbrojtjes mbi kapacitet dhe masat për parandalimin e fatkeqësive natyrore. Kërkesa ishte për parandalimin e pasojave të mundshme për qytetarët. Pas shqetësimit të drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Athinës për tërmet për riskun potencial për një fatkeqësi natyrore në mediat ndërkombëtare.

Kryeministri dhe ministrat duhet të përgjigjen. Cdo nënvlerësim do të shënohet me vëmendje nga Presidenti. Ne do i vendosim në dispozicion një listë me mediat kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë shkruar për këtë gjë" tha ai. Por sizmiologu grek Akis Tsenelis në një prononcim ekskluziv për Shqiptarja.com e mohoi duke e cilësuar 'fake neës' dhe kërkoi që të informohet kreu i shtetit. Në një reagim për shqiptarja.com ai u shpreh se nuk ka bërë asnjë parashikim të tillë. 

Deklarata e plote e keshilltarit te Presidentit Ilir Meta
Nisur nga:

1. Aktiviteti i shtuar sizmik regjistruar në Qarkun e Korçës dhe pasojat në dëm të qytetarëve;
2. Aktiviteti i shtuar sizmik në vendet fqinje Greqi dhe Itali;
3. Deklarimi publik i Drejtorit të Institutit Gjeodinamik të Greqisë, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare, me zë dhe figurë; 
4. Mungesa e përgjegjshmërisë së treguar nga institucionet përgjegjëse shtetërore për të trajtuar me seriozitetin e duhur këtë deklarim;
5. Fakti që fatkeqësitë natyrore përcaktohen si rrezik i nivelit të parë në strategjinë e Sigurisë Kombëtare; 
6. Rekomandimet e dakordësuara në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, datë 16.05.2018 mbi: “Strategjitë sektoriale, paketën ligjore, strukturat, kapacitetet, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore, rajonale dhe organizatave ndërkombëtare në përballjen me emergjencat civile, si: përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet, aksidentet teknologjike etj”

Presidenti i Republikës i është drejtuar dje me një “Kërkesë për informacion” kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, mbi kapacitetet dhe masat e parashikuara nga autoritetet qendrore dhe lokale për përballimin e fatkeqësive natyrore, me qëllim parandalimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Për më tepër, duke patur parasysh: 

1. Mungesën e përgjigjes së ministres së Mbrojtjes për takim institucional lidhur me këtë çështje në institucionin e Presidentit të Republikës;
2. Krizën e rëndë institucionale që ka kapur vendin, përplasjen që ekziston mes institucioneve qendrore dhe lokale, që sjell si pasojë vështirësi në ushtrimin e kompetencave të organeve përgjegjëse;

Qëllimi i kësaj Kërkese ishte informimi mbi funksionalitetin e institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve, me qëllim parandalimin dhe minimizimin e pasojave të mundshme në dëm të jetës së qytetarëve.

Njëkohësisht, duke patur parasysh që:

- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 92, gërma “h” sanksionon se: Presidenti kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre;

- Ligji për emergjencat civile neni 5, pika 2, gërma “ç” sanksionon se:
2. Në ushtrimin e funksioneve të tij për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave kryen këto detyra:
ç) Informon Presidentin dhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për emergjencën civile, për pasojat që vijnë, si dhe për masat e marra për shmangien e saj;

Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrës së Tij me përgjegjësi të plotë, ka ndjekur rrugën zyrtare të adresimit të këtij shqetësimi të bërë publik nga Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës në Greqi, të pasqyruar gjerësisht në median ndërkombëtare dhe kombëtare.

Greqia nuk është vend fqinj me Zelandën e Re, por me Shqipërinë.

Është detyrë thelbësore e një sërë institucioneve zinxhir të shtetit shqiptar të vlerësojnë dhe të marrin masat për riskun potencial të një fatkeqësie natyrore, që nuk është paralajmëruar nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës ka kërkuar informacion dhe i ka inkurajuar institucionet shtetëtore që të trajtojnë me seriozitet shqetësimin e ngritur nga autoritetet zyrtare greke, me qëllim sigurimin e funksionimit sipas ligjit, të strukturave përgjegjëse shtetërore shqiptare për emergjencat civile.

Rrjedhja e menjëhershme në mediat “lëpirëse” të PPPd-ve të Kërkesës për Informacion të Presidentit të Republikës,  me qëllim manipulimin e opinionit publik dhe shmangien e vëmendjes nga skandalet në rritje, dëshmon vetëm mungesën e respektit ndaj shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimit të përgjegjshëm ndërinstitucional.

Vonesat dhe paaftësia e dëshmuar vetëm 2 muaj më parë në menaxhimin e pasojave të tërmetit në Korçë, e verifikuar jo vetëm nga këshilltarët e Presidentit, por dhe nga vetë banorët dhe mediat e pakapura, ishte dhe është e mjaftueshme që Presidenti të kërkojë marrjen e masave në kohë.

U kujtojmë kryeministrit dhe ministrave, se e kanë për detyrë në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, t’i përgjigjen me seriozitet të plotë Presidentit të Republikës mbi planin e masave në shërbim të qytetarëve. 

Çdo nënvlerësim i ushtrimit të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të institucioneve të tjera do të shënohet me vëmendje në institucionin e Presidentit.

Presidenti i Republikës garanton se askush nuk do ta ndalojë në ushtrimin e kompetencave të Tij kushtetuese, me përgjegjësi të plotë dhe të papërkulur në interesin më të mirë të funksionimit të shtetit, si dhe në mbrojtjen e interesit më të mirë qytetar, publik dhe kombëtar.