Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të akademikut Jorgo Bulos.

“Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të akademikut të shquar, Profesor Doktor Jorgo Bulos. Ikja e Profesor Bulos ka lënë në pikëllim gruan e vajzën dhe familjarët e tij të afërt. Të lënduar nga ikja e papritur janë dhe breza të tëra studentësh, që kanë njohur, dëgjuar e shijuar magjinë e fjalës shqipe nga ai. Ikja e Profesor Bulos ka lënë pa një mik të çmuar dhe një koleg të vyer miqtë e kolegët e tij të shumtë kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjithkund gjetkë, aty ku ka shqiptarë që flasin shqip,” thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Metës.

Kreu i Kuvendit teksa e cilëson akademikun Bulo një historian të klasit të parë të letërsisë thotë se puna e tij do të kujtohet gjatë.

“Profesor Bulo, ky historian i klasit të parë i letërsisë dhe filolog i shquar, do të kujtohet gjatë për punën e tij në njohjen, vlerësimin dhe studimin e letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Ky filolog i shquar është pjesë e një plejade të jashtëzakonshme shqiptarësh, puna e të cilëve e ka bërë më të mirë vetë Shqipërinë. Profesor Bulo ka qenë një nga bashkautorët e veprave monumentale Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe Historisë së Popullit shqiptar si dhe autor i dhjetëra artikujve shkencorë, për të cilat ka marrë vlerësimin e kolegëve akademikë dhe admirimin e lexuesit,” shprehet kreu i Kuvendit.

Në fund Meta përfundon mesazhin e tij me këto fjalë: “Ikja e Profesor Bulos ka lënë një boshllëk të madh dhe një dhembje të thellë për këdo që e njohu, për këdo që e lexoi dhe për këdo që do t’i mungojë me gjithë praninë e tij të përhershme nëpërmjet veprës së tij.”

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)