Meta në krye të LSI, Kryemadhi paralajmëron shkarkimin nga Kushtetuesja?!

Meta në krye të LSI, Kryemadhi paralajmëron shkarkimin nga Kushtetuesja?!

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

Praktikisht Monika Kryemadhi ka dhënë lamtumirën e saj si kryetare e LSI një ditë më parë, në një aktivitet të organizuar me drejtuesit e kësaj partie.

Pasi ka evidentuar sukseset dhe mossukseset gjatë gjithë periudhës së drejtimit të LSI nga ana e saj, gabimet apo orientimin tek rinia, si dhe marrëdhëniet aspak serioze që kreu i PD Lulzim Basha krijoi me të, Kryemadhi ka bërë të ditur se ky mund të jetë aktiviteti i fundit i saj në krye të kësaj partie.

Dhe në fund ka deklaruar se brenda pak muajsh, do të rikthehet “babai” i kësaj krijese politike, Ilir Meta, që aktualisht mban postin e Presidentit të Republikës. Ishte e sigurtë në këtë deklaratë.

“Njohëm njëri-tjetrin më shumë, me pastërtinë dhe dashurinë. Sot këtë aktivitet e ka organizuar një ekip i ri. LSI po shkon drejt një sfide të re.

Kohë të tjera do të vijnë, angazhime të tjerë do të duhen. Kërkon energji të re. Unë dua t’u bëj me dije, le ta kemi këtë aktivitet ku unë do të flas si kryetare, pasi gjëra të tjera, angazhime të tjera do t’u vijnë.

Jam i bindur se brenda shumë pak muajsh, ai që krijoi LSI do të kthehet te ju. Edhe ai mezi pret që t’u vijë. I mungon miqësia juaj, entuziazmi juaj. sinqeriteti juaj.

I mungon mundësia për të ndryshuar realitetin e ndotur të moçalit politik ku kishim qenë. Ndaj të jetë 2022-shi viti i LSI, i të rinjve dhe të rejave. Mos të harrojmë se jo vetëm Ilir Meta, por të gjithë ne kemi investuar te LSI”, deklaron mes të tjerave Monika Kryemadhi, në mënyrë publike.

Pra Ilir Meta do të rikthehet në krye të LSI shumë shpejt dhe kjo merr nota të larta vërtetësie, pasi e thotë kryetarja e kësaj partie, njëherësh dhe bashkëshorte e kreut aktual të shtetit.

Askush nuk ka pasur dyshime se kryetari i vërtetë i LSI ka qënë Ilir Meta, pavarësisht “kostumit” të Presidentit që ka mbajtur afër 5 vite me radhë. Madje dhe vetë fakti që ia la “trashëgim” bashkëshortes drejtimin e kësaj partie, tregon qartë “rivelimin” e LSI si një parti familjare dhe evidenton vetë Monika Kryemadhin se kryetare të deleguar dhe administratore të saj.

Por deklarata e Kryemadhit se Meta do të rikthehet tek partia që vetë ai krijoi brenda shumë pak muajsh, ka me sa duket brenda dhe faktin se bashkë me bashkëshortin e saj janë të bindur se ai do të shkarkohet nga posti i Presidentit të Republikës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

E themi këtë, pasi në mesin e nëntorit, Kushtetuesja ka caktuar datën 18 janar 2022 si ditën që do të marrë në dorë shqyrtimin e çështjes së presidentit Ilir Meta. Seanca do të mbahet në orën 10:00 dhe pritet të jepet një vendim përfundimtar për këtë çështje me rëndësi të veçantë.

Kujtojmë se shtator të këtij viti, pas më shumë se 4 muajsh nga vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Metës, Kushtetuesja njoftoi se ka marrë vendim për ta kaluar çështjen në seancë plenare, data e së cilës ende nuk ishte përcaktuar.

Fillesa është më 9 qershor 2021, kur Kuvendi i Shqipërisë ka votuar në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke e fiksuar se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Deputetët e PS në mazhorancë ngritën një Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit.

Shkarkimin e presidentit Meta, PSe e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Dhe kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihej për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur asnjëherë nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh në atë kohë se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.

Por nga nga ky hetim, komisioni hetimor theksonte se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fushatën elektorale të 25 prillit të këtij viti.

Pjesë e provave të renditura në raport është dhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura. Shkeljet e Kushtetutës nga presidenti komisioni hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Nuk mund të harrohen as zhdekretimet dhe dekretimet e datës së re të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019, duke caktuar në kundërshtim me të gjitha nenet e Kushtetutës pa pyetur askënd 13 tetorin, një datë zgjedhjesh që mbeti vetëm në mendjen e Presidentit, pasi as vetë ish aleati i tij Lulzim Basha nuk e përfilli, duke mos u paraqitur në KQZ për regjistrim, paçka se opozita e kishte bojkotuar 30 qershorin. Dhe për më tepër sipas Metës ishte vetë kreu i PD që e kishte kërkuar shtyrjen dhe caktimin e 13 tetorit si datë të re për zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor.

Kanë mbetur në memorien e shqiptarëve dhe deklaratat kërcënuese të Metës në Vlorë, për “prerjen e gishtave” të kundërshtarëve politikë, apo thirrjet destabilizuese ndaj qytetarëve në Fier për armatosje me sfurqe e kosore për të sulmuar qeverinë, e cila po fut duart në votat e shqiptarëve. Apo dhe sulmet ndaj SHBA, teksa kërcënon se “amerikanët i kap për veshi” dhe se amerikanët duan ta vrasin me raketa në Malin me Gropa, por që raketa kishte dhe Rusia.

Të gjitha këto deklarata, postime në rrjetet sociale dhe kërcënime janë mbajtur shënim dhe janë përfshirë në dosjen voluminoze që Komisioni Parlamentar i Hetimit dërgoi në Kuvend, ku mori votën pro shkarkimit të Metës dhe më pas u depozitua sipas ligjit në Gjykatën Kushtetuese për marrjen e vendimit përfundimtar për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit.

Kërkesa ka shumë muaj që është në tavolinën e anëtarëve të Kushtetueses, dhe sipas nenit 47 të ligjit, vendimi duhej të jepej brenda tre muajsh.

“Neni 47- Afati i fillimit të shqyrtimit të çështjes (ndryshuar me ligjin nr.99/2016, neni 41)

1.Shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, me përjashtim të rasteve kur ky ligj përcakton afate të tjera. Në çdo rast bisedimet dhe marrja e vendimit nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve bëhet mbi bazën e projektvendimit të përgatitur nga relatori.

2.Shqyrtimi i çështjes në seancë plenare bëhet pasi të jenë depozituar paraprakisht nga palët të gjitha materialet e nevojshme për gjykim, si dhe çështja të jetë përgatitur në tërësi nga relatori i çështjes. Relatori i çështjes paraqet në bisedime projektvendimin përkatës, mbi të cilin votojnë të gjithë gjyqtarët që kanë marrë pjesë në votim.

3.Vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj”, thuhet në ligj.

Pra Gjykata Kushtetuese me sa duket ka gjetur dhe afatin fundor, 18 janarin e vitit të ardhshëm, duke shfrytëzuar tërë hapësirën kohore që i afron ligji, për të dhënë vendimin nëse do shkarkojë ose jo Ilir Metën nga posti i Presidentit të Republikës.
Pavarësisht se mandati zyrtarisht i përfundon më 24 korrik të vitit 2022, socialistët janë të bindur se Meta ka shkelur Kushtetutën në të gjitha nenet e saj, dhe janë të vendosur për ta shkarkuar me patjetër qoftë dhe disa muaj para skadimit të mandatit.

Kushtetuesja e gjendur mes presionit të partnerëve ndërkombëtarë që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe dhënien e një vendimi konform dhe opinionit të Komisionit të Venecias, me sa duket e ka vendosur shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.

Këtë e tregon dhe paralajmërimi i bashkëshortës së tij, njëherësh dhe kryetare e LSI, Monika Kryemadhi, e cila deklaron se shumë shpejt Ilir Meta do të rikthehet në këtë parti, të cilën ai e krijoi vetë në vjeshtën e vitit 2004 dhe e udhëhoqi zyrtarisht deri në korrik të viti 2017.

Dhe duke e “kryqëzuar” deklaratat e Kryemadhit, sipas të cilave aktiviteti i zhvilluar ditë më parë nga LSI do të jetë i fundit për të si kryetare, rikthimi i Ilir Metës në krye të LSI, menjëherë pas një shkarkimi të mundshëm të tij si President nga Kushtetuesja më 18 janar 2022, tashmë duket se është një realitet dhe fakt i kryer.

I mbetet të parashikojmë se si do të jetë konfigurimi politik në radhët e opozitës, duke pasur parasysh dhe faktin se në PD ka shpërthyer konflikti për lidershipin e saj dhe ku palët e kryesuara nga Berisha dhe Basha kanë shkarkuar dhe përjashtuar njëra tjetrën përmes Kuvendeve dhe referendumeve.

Mbetet të shohim se sa do të “pijë” ujë “ultimatumi” i Berishës për Bashën që të lirojë zyrën dhe selinë më 5 janar, për të parë “aliazhin” e ri politik që mund të formohet mes PD dhe LSI ose mes PD së Berishës dhe partisë së Metës.

“Malësori skraparli” e ka treguar me kohë se e ka pikë të dobët “malësorin tropojan”, kështu e quan Berishën dhe veten Meta, i cili sipas tij është “si vera, që sa më shumë vjetërohet aq më demokrat bëhet”. Të shohim.

Gjasat janë që si Meta ashtu dhe Berisha, duke pasur të njejtin hall, njëri i shpallur familjarisht “non grata” nga SHBA, tjetri kandidat potencial për një “medalje” të tillë, dhe të dy të kërcënuar nga përballja me drejtësinë e re, të bëhen bashkë dhe të luftojnë fort për të patur një shans mbijetese.

Me “statusin” e njerëzve që nuk kanë asgjë për të humbur, duke i luajtur në “ruletën ruse” të gjitha bashkë, pasi ndjehen të kërcënuar nga të gjitha anët, kryesisht dhe nga drejtësia e re, për shkak se duhet të japin llogari për zullumet që kanë bërë në këto 30 vite, referuar dhe në akuzat që vetë ata i kanë bërë njëri tjetrit sipas “stinës” së marrëdhënieve që kanë patur, situata në muajin e parë të vitit të ardhshëm pritet të jetë aspak e qetë. Në kampin e opozitës kuptohet.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Leshelija: 28/12/2021 20:25

    Vafshin ne djall keta dy funderina, qe jane bere kanceri Shqiperise me hajdutlleqet e tyre. Burgu "presidencial"po u pret o te mallkuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë