Meta në Sukth: S’largohet asnjë
shërbim nga komunat e bashkitë

Meta në Sukth: S’largohet asnjë<br />shërbim nga komunat e bashkitë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në takimin që kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, për bashkinë e Durrësit,  Vangjush Dako zhvilloi me banorët në Kullë të Sukthit, për prezantimin e programit të tij.

Në fjalën e tij, Meta shprehu mbështetjen  e plotë për alternativën e Vangjush Dakos si Kryetari i ardhshëm i bashkisë së re të Durrësit duke theksuar se me reformën administrative-territoriale, shërbimet do të standardizohen dhe cilësia që do t’i ofrohet banorëve do të jetë shumë më e lartë.

Në këtë takim, ishin të pranishëm edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panarit dhe Ministri i Mjedisit,  Lefter Koka.

Meta tha se asnjë shërbim nga ato që qytetarët kanë përfituar deri më tani në komunat apo bashkitë ekzistuese, nuk do të largohet nga nga ata.

“Më 21 qershor populli shqiptar do të shkojë të votojë duke na dhënë mundësinë, meqë realizuam një reformë historike si reforma administrative-territoriale, që të kemi mundësinë edhe ta implementojmë këtë reformë, në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku jetojnë të kenë mundësi të gëzojnë shërbime sa më cilësore dhe të barabarta pa asnjë lloj diskriminimi, si ata që jetojnë në qendër të Durrësit, si ata që jetojnë në Kullë, si ata që jetojnë në Hamallaj e kështu me radhë. Ndaj kjo votë, është një votë për zhvillimin e këtyre komuniteteve. Asnjë shërbim nga ato që ju keni patur deri më tani në komunat apo bashkitë ekzistuese, nuk do të largohet nga ju.  Përkundrazi veçse me këtë reformë shërbimet do të standardizohen dhe cilësia e shërbimeve që do t’i ofrohet këtyre do të jetë shumë më e lartë se sa deri më tani”, - tha Meta, duke shprehur besimin se Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit, Dako, me përvojën dhe eksperiencën e krijuar gjatë këtyre viteve do të dijë të kurorëzojë me sukses administrimin në interes të qytetarëve dhe gjithë komunitetit të këtyre territoreve të reja të cilat i bashkohen Durrësit.

Njëkohësisht, këtë bashkim hapësirash, territoresh, asetesh, resursesh e mbi të gjitha njerëzish ta kthejmë në një fuqi të madhe të ndryshimit dhe të transformimit për të realizuar me sukses një zhvillim të integruar për të gjithë bashkinë e re të Durrësit. Copëzimi i jashtëzakonshëm për shkak të administrimit të vjetër të pushtetit vendor, me 400 komuna dhe bashki, e bënte të pamundur zgjidhjen e suksesshme të shumë problemeve të përbashkëta. Kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Durrësit, z. Dako u angazhua për të vënë në punë dhe në interes të zhvillimit të  gjithë këtyre zonave, rezervuarin dhe kanalet vaditëse dhe kulluese. Por si mund të viheshin në punë ato deri më tani, kur kishim kaq shumë komuna të cilat ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës dhe askush nuk mbante përgjegjësi për ujin që mungonte për të vaditur tokat apo për kanalet që bllokoheshin dhe që përmbytnin tokat. Ndaj krijimi i kësaj bashkie të re do t’i japë mundësinë për të patur një autoritet që do të kujdeset dhe do të marrë përgjegjësinë për këto shërbime të munguara deri më tani, për të gjithë banorët dhe fermerët e Sukthit dhe të gjithë komunave të tjera në Bashkinë e re të Durrësit”, tha më tej Meta.

Kreu i LSI-së siguroi se reforma administrative-territoriale do të rrisë bashkëpunimin dhe energjinë midis qeverisë qendrore dhe bashkive. Sipas Meta, në këtë mënyrë të gjitha energjitë do të shkojnë në një drejtim për shërbime sa më cilësore dhe për të garantuar punësim për të gjithë ata që duan të punojnë.

“Jam i bindur që zhvillimi i bujqësisë, i agrobiznesit, i agroturizmit, është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë zonën tuaj e cila ka qenë një hambar për të gjithë qarkun e Durrësit, madje dhe për vendin në të kaluarën sepse ka njerëz shumë punëtorë dhe të cilat janë mjaft të përkushtuar. Jam i bindur se dhe alternativa të tjera do të krijohen dhe do të shtohen për të gjithë banorët e Kullës dhe të Sukthit”, tha Meta.

Më tej ai u shpreh se zona e lirë ekonomike do të rrisë investimet dhe do të krijojë një potencial të ri zhvillimi e punësimi jo vetëm për banorët e kësaj zone, por për të gjithë vendin.

“Do të realizohet shumë shpejt dhe kanë nisur procedurat për një zonë të lirë ekonomike e cila do të bëjë të mundur përmes lehtësirave që krijon thithjen e investimeve të jashtëzakonshme që do të ketë nevojë për fuqi punëtore, jo vetëm për të gjithë këto njësi të cilat do të jenë pjesë e Bashkisë së Durrësit, por edhe për të tjera. Ashtu sikurse, formimi profesional do të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë qendrore, por dhe të Bashkisë së re të Durrësit në mënyrë që të rinjtë t’i kualifikojmë, t’i trajnojmë, t’i përgatisim që të shkojnë në vendin e duhur për të punuar dhe jo thjesht për të marrë diploma fiktive në xhepin tyre. Duke votuar Vangjush Dakon, ju keni votuar për një mbështetje të jashtëzakonshme nga ana e qeverisë dhe nga ana e kësaj mazhoranca për realizimin e gjithë atyre veprave të cilat do t’i japin zgjidhje shqetësimeve tuaja kryesore”, tha Meta.

Duke u ndalur edhe një herë tek kandidati i majtë për bashkinë e Durrësit, Meta u bëri thirrje të gjithë banorve të votojnë Vangjush Dakon si alternativa më e mirë për zgjidhjen e të gjitha problemeve që ata kanë.  

Të gjitha votat në drejtimin e duhur, të gjitha votat për Vangjush Dakon, të gjitha votat për “Aleancën për Shqipërinë Europiane, të gjitha votat për koalicionin PS-LSI që është një koalicion i fuqishëm, një koalicion transformues, një koalicion i cili është i vendosur që të zgjidhë problemet kryesore të njerëzve. Ne do të zgjidhim këto probleme që kemi, të legalizimeve, të certifikatave, të tokës, të kanaleve vaditëse, kulluese, të mbështesim fermerët me subvencione, të shtojmë serat, sepse përmes tyre do të arrijmë të shumëfishojmë rendimentet në prodhimet bujqësore, të vëmë në punë fabrika që do të bëjnë të mundur që jo vetëm të grumbullohen, por dhe të përpunohen produktet që vijnë nga puna juaj  e në këtë mënyrë të zgjidhim problemet. Prandaj të gjitha votat për Vangjush Dakon, të gjitha votat për “Aleancën tonë të Shqipërisë Europiane”, theksoi Meta.
meta
Dako: Do pastrojmë 240 kilometra kanale vaditëse të cilat sot nuk funksionojnë
Ndërsa, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Vengjush Dako prezantoi programin e tij për transformimin e kësaj zone. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, rregullimi i kanaleve vadisë, rritja e punësimit, ishin në qendër të programit të kandidatit të përbashkët të së majtës.

Jeni banorë të cilët meritoni që të merrni shërbime njësoj siç marrin edhe qytetarët e tjerë.  Unë zotohem para jush që ato punë të mira, ato transformime të mëdha që kemi ndërmarrë në qytetin e Durrësit, do të vazhdojnë dhe do të realizohen në të gjithë zonën tuaj. Ju premtoj dhe zotohem që rrugën nga autostrada e deri në bregdet, rruga kryesore e Sukthit do të fillojë punimet në fillim të vitit të ri.  Jam i angazhuar që të bëj të pamundurën që të transformojmë gjithë zonën e Kullës, por nga ana tjetër, duhet të ndëshkojmë me votë dhe t’i kërkojmë llogari qeverisjes lokale që e ka lënë këtë zonë në mjerim. Ne zotohemi që do të pastrojmë 240 kilometra kanale vaditëse, janë kanale të cilat sot nuk funksionojnë.  Këto kanale ne do t’i bëjmë funksionale sepse nga 21 qershori këto kanale do të kalojnë në administrim të Bashkisë së Durrësit. Zotohemi se do të jemi mbrojtës të tokës bujqësor ku ne do të ngremë Inspektoriatin e Mbrojtjes së Tokës, një inspektoriat që do të zgjidhë të gjithë problematikën që bujqësia ka me tokën bujqësore. Nga ana tjetër, do të investojmë në të gjithë rrugët që lidhin parcelat me njëra-tjetrën për t’i dhënë mundësi bujqve për të nxjerrë sa më shpejt në treg të gjithë prodhimet”, tha Dako.
 
Koka: Bashkëpunojmë për rritjen e turizmit
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka theksoi se në bashkëpunim me qeverinë, me Ministrinë e Mjedisit dhe me Bashkinë e re Durrës, do të përmirësohet ambienti duke ndikuar në rritjen e turizmit.

“Zona në fjalë ka dy probleme kryesore. Është po aq e rëndësishme vaditja sa është i rëndësishëm edhe kullimi. Dhe të kemi një zonë me kanale të pastruara do të thotë që të shmangen përmbytjet dhe dëmtimi i produkteve bujqësore. Por gjithashtu edhe vaditja, dhe këtu natyra është treguar bujare, ka ujëra që mund t’i shërbejnë fermerëve gjatë sezonit veror. Lumi Ishëm-Erzen që përshkon disa komuna është një nga më të ndoturit dhe sigurisht një lumë kaq i ndotur nuk shërben as për vaditje, përkundrazi e dëmton bimësinë. Ndaj jam i bindur në këtë rast se do të mund të japim një kontribut të përbashkët me qeverinë, me Ministrinë e Mjedisit dhe me Bashkinë e re Durrës për të kthyer në parametra normal këtë lum kaq të ndotur që ndikon edhe në turizëm edhe në bujqësi. Do t’iu kërkoja të japim një kontribut të përbashkët për të mbrojtur mjedisin”, - u shpreh ndër të tjerash Koka.

Panariti: Orientojmë bujqësinë drejt prioriteteve konkrete
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti deklaroi se do të nxitet prodhimi bujqësor, duke e orientuar bujqësinë dhe fshatin drejt atyre prioriteteve dhe përparësive konkurruese dhe krahasuese që bujqësia ka në këtë zonë.

“Duhet nxitur dhe stimuluar bujqësia në këtë zonë në mënyrë që bujqësia të kthehet të jetë motori i zhvillimit ekonomik të vendit. Kryetari i bashkisë së re të Durrësit ka prioritete shumë të qarta për zhvillimin e bujqësisë. Në radhë të parë për nxitjen e prodhimit bujqësor, duke e orientuar bujqësinë dhe fshatin drejt atyre prioriteteve dhe përparësive konkurruese dhe krahasuese që bujqësia ka në këtë zonë, kryesisht në pemëtari, frutikulturë dhe në prodhimin e perimeve. Ne kemi përparësi organizimin e fermerëve, nxitjes së kultivimit të produkteve bujqësore në sera, pikave të grumbullimit, që krijojnë atë zinxhir ushqimor, atë zinxhir vlerash, që bëjnë të mundur krijimin e të ardhurave, rritjen e mirëqenies dhe atë që është më kryesorja, hapjen e vendeve të reja të punës. Hapja e vendeve të reja të punës është një prioritet madhor i qeverisë, por edhe i bashkisë së re të Durrësit dhe kjo do të behet edhe nëpërmjet nxitjeve të aktiviteteve që gjenerojnë vende pune dhe bujqësia pa dyshim, agro-përpunimi, pikat e grumbullimit, serat i japin mundësi reale të gjithë banorëve të zonës për t’u punësuar për të krijuar të ardhura, por edhe për kontribuar për ekonominë kombëtare”, - tha Panariti.    
meta
Meta viziton një fermë në Hamallaj: Do e shndërrojmë këtë zonë në një shembull të suksesit të bujqësisë dhe agro-turizmi
t
 
Kreu i LSI, Ilir Meta i shoqëruar edhe nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka si dhe nga kandidati i majtë për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako zhvilluan një vizitë në një fermë në Hamallaj të Durrësit
 
Ai ka thënë se mbështetja e fermerëve është një rrugë e sigurtë dhe është drejtimi i duhur për zhvillimin e bujqësisë, për rritjen e punësimit, për furnizimin e tregut vendas me produkte bio të certifikuara dhe të sigurta
 
Më tej ai ka thënë se do ta shndërrojmë këtë zonë në një shembull të suksesit të bujqësisë, por edhe të agro-turizmit
 
 “Jemi këtu sëbashku me Ministrin e Bujqësisë përsëri, por edhe me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së re të Durrësit që përfshin edhe këtë zonë të mrekullueshme me z. Vangjush Dako, me Ministrin e Mjedisit z.Koka, për të shprehur përkrahjen më të fortë për Fatmirin, i cili me mundin dhe sakrificën e tij dhe të familjes ka arritur të ndërtojë një fermë model e cila do të mbështetet për t’u zgjeruar në bashkëpunim edhe me Bashkinë e re të Durrësit dhe me kryetarin e ardhshëm, z. Dako. Zgjerimi edhe me pesë hektarë të tjerë do të thotë se shtohet disa herë prodhimi këtu, por njëkohësisht hapen vende të reja pune nga i cili do të përfitojë ky komunitet. Mbështetja e këtyre fermave është një rrugë e sigurt dhe është drejtimi i duhur për zhvillimin e bujqësisë, për rritjen e punësimit, për furnizimin e tregut vendas me produkte bio, të certifikuara dhe të sigurta, por njëkohësisht edhe për të rritur eksportet, sepse dhe ky është një prioritet për rritjen e ekonomisë sonë në tërësi. Por me mbështetjen e shtetit, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, me mbështetjen e AZHBR-së, me mbështetjen e Bashkisë së re të Durrësit, jam i bindur edhe personalisht të Dako, do të arrijmë që këtë zonë e cila është edhe një nga zonat më të preferuara turistike në vendin tonë, ta shndërrojmë në një shembull të suksesit të bujqësisë, por edhe të agro-turizmit”, tha Meta.
 
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti shprehu kënaqësinë për ndërtimin e një serë të tillë moderne ku kultivohen perime të gjitha llojeve.

“Është një model i sipërmarrjes bujqësor. Dëshiroj të falënderoj pronarin e fermës, i cili ka marrë këtë iniciativë shumë të guximshme, por që ia vlen duke u orientuar aty ku ne realisht kemi avantazhe konkurruese krahasuese. Fermerët shqiptarët po kuptojnë gjithnjë e më shumë që bujqësia jonë duhet të orientohet drejt atyre kultivarëve, drejt atyre kulturave për të cilat ka treg të garantuar, ka kërkesë. Ne këtë e kemi mbështetur dhe ky është dhe lajtmotivi i politikave të mbështetjes së bujqësisë. Ne duhet të orientohemi drejt kulturave për të cilat ne kemi avantazhe konkurruese, kemi tokën, klimën, burimet që bëjnë të mundur kultivimin dhe tregtimin me sukses të këtyre kulturave, prandaj ky model duhet të përhapet dhe do të mbështetet nga ne. Ne jemi të projektuar tashmë qartësisht për të zgjeruar sipërfaqen me sera. Bujqësia me sera, për disa arsye, e para, sepse serat lejojnë të marrësh rendimente shumë më të larta se sa kultivimi në arë dhe e dyta, sera është bujqësi me çati. E mbron bujqësinë nga dëmtuesit, nga breshëri, nga stuhitë. Për këto arsye, qeveria shqiptare, Ministria e Bujqësisë, është e vendosur që të mbështesë të gjithë ata sipërmarrës të cilët investojnë në këtë teknologji, duke mbuluar 70 për qind të kostos së investimit. Kjo është një nismë që do të materializohet dhe ne jemi të vendosur që sipërfaqen me sera ta trefishojmë”, - tha Panariti

Ndërsa Vangjush Dako shprehu mbështetjen për fermerët dhe prezantoi nismën e re për ngritjen e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Tokë Bujqësore.

“Jemi sot këtu me Kryetarin e Kuvendit, me Ministrin e Bujqësisë, me Ministrin e Mjedisit për të shprehur mbështetjen tonë për bujqësinë për të gjithë fermerët, për të gjithë ata që investojnë në bujqësi. Qëllimi ynë dhe zotohemi që ne do t’i mbështesim të gjithë fermerët dhe do t’i orientojmë drejt mbjelljes së kulturave të perimeve, aq të domosdoshme sepse janë perime bio. Nga ana tjetër do të jemi mbrojtës së të gjithë fermerëve. Ne do të krijojmë Inspektoriatin e Mbrojtjes së Tokës Bujqësore, i cili do t’u vijë në ndihmë të gjithë fermerëve për të hapur të gjitha kanalet , të gjitha problematikën që ata kanë me tokën bujqësore. Jemi të sigurt që bujqësia është e ardhmja e vendit, është mundësia e madhe për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”,- tha Dako.

Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën