Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj ditën e  sotme, është një ngjarje që ka prekur dhe ka nxitur pa diskutim reagimin e shumë njerëzve.

Njerëz të afërm të gjyqtares, institucione, e politikanë, kanë dënuar ashpër krimin, si dhe i kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për ngjarje të tilla.

Presidenti Meta:Vrasja alarm për shoqërinë tonë
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vrasjes së rëndë të gjykatëses Fildes Hafizi, duke e dënuar ashpër dhe duke e cilësuar "krim barabarë".

“Kjo vrasje mizore është një alarm për shoqërinë shqiptare, thirrje për të gjitha strukturat e mekanizmat e shtetit e shoqërinë civile të kthejnë vëmendjen e tyre ndaj grave dhe nënave shqiptare të cilat fatkeqësisht janë bërë viktima të dhunës dhe krimit në familje dhe në shoqëri, - nënvizon Presidenti Meta”, thotë Meta.

Meta ka shprehur ngushëllime familjes për këtë humbje, duke inkurajuar organet ligjzbatuese si dhe gjykatat shqiptare të vënë para drejtësisë dhe t’i japin autorit të krimit një dënim shembullor, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten më e të mos lëndojnë e prekin familjen e mbarë shoqërinë shqiptare.

Rama: Krokodilët që lotojnë nuk donin as Reformën në Drejtësi as Vetingun
Nëpërmjet një statusi në Facebook kryeministri Edi Rama ka reagur për vrasjen e gjyqtares Filde Hafizi, ku shkruan se, “Krokodilët që lotojnë për gjykatësen nuk donin as Reformën në Drejtësi as Vetingun”.
 
Reagimi i Ramës në Facebook
Krokodilët që lotojnë për gjykatësen e ndjerë nuk donin as Reformën në Drejtësi as Vetingun! Përpara me Vetingun për drejtësinë që duam.

Vrasja, BE: E tmerrshme! Shteti të mbrojë gratë e kërcënuara 
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që u shënua sot në Tiranë, ku burri ekzekutoi ish-gruan në makinë.
 
“E tmerrshme! Një tjetër viktimë e dhunës në familje në Shqipëri. Mbrojtja e grave nën kërcënim është një përgjegjësi e qartë e shtetit.
 
Ajo kërkon përgjigje të koordinuar nga institucionet përkatëse. Gratë nuk duhet të jetojnë me frikë” thuhet në reagimin e BE. 

Vrasja e gjyqtares, mesazhi i ish-deputetes: Lamtumirë kushërira ime trime

Ish-deputetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi  ka reaguar lidhur me vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi, për të cilën zbulon se e ka kushërirë.

Në postimin në rrjetin social facebook Mimoza Hafizi e përshkruan gjyqtaren një vajzë të rallë, një grua që e donte jetën, adhuronte fëmijët dhe që me mudn thuri ëndrrëne  vet për të qënë gjykatëse.

Postimi i Mimoza Hafizit
"Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.Lamtumirë kushërira ime trime"shkruan Hafizi.


Lulzim Basha: Shteti s’e ndihmoi, por e shpërfilli
Lulzim Basha thotë se Fildeze Hafizi u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri.
 
Kryetari i PD deklaron se në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur.
 
Jam thellësisht i tronditur nga vrasja e ftohtë kriminale e një gruaje, një nëne, një gjyqtareje. Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezen në fatin e saj tragjik.
 
Ajo u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri e cila ka humbur forcën për të reaguar ndaj krimit dhe të keqes.
 
Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit.
 
Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur.
 
Ne duhet të gjejmë forcën që të paktën fëmijet e Fildezes dhe të gjithë shqiptarëve të kenë një jetë më të sigurt
” shprehet Basha. 

Ministria e Drejtesise: Autoritetet të mbajnë përgjegjësi për mosveprim
Lidhur me vrasjen e gjyqtares nga ish bashkëshorti ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë e cila  i shpreh ngushëllime familjes dhe kërkon dënimin maksimal ndaj autorit të ngjarjes.

Në njoftimin për mediat ministria e cilëson vrasjen një këmbanë alarmi për shoqërinë shqiptare.

Ajo thekson se mbrojtja e saj ka qënë detyrim për autoritetet përgjegjëse dhe se përgjegjësit  duhet të mbajnë përgjegjësi për mosveprim

Vrasja e gjyqtares, LSI: Të reagojnë institucionet
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmit të hidhur mbi vdekjen e gjyqtares Fildes Hafizi.

Duke e cilësuar si një akt i rëndë, dhe duke shprehur keqardhjen e saj, Kryemadhi ka kërkuan edhe reagimin e institucioneve, pasi sipas saj, “qarravitjet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë”.

Policia, gjykata, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me forcë dhe efikasitet. Qarravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne.
 
Postimi i plotë në facebook i Monika Kryemadhit:
Vrasja e paralajmëruar e një nëne, gruaje për më tepër gjyqtare është akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë anëtar i BE. Me revoltën e një nëne, me forcën e një gruaje që ka përballuar shumë vështirësi në jetë dhe me kurajon e përfaqësimit të një force politike si LSI, sot ngre zërin tim fuqishëm kundër këtij sistemi që ende dhunon gratë e pafajshme. Të gjithë ne mbajmë përgjegjësitë tona për këtë situatë të rëndë, por më shumë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi që disa herë e kishte paralajmëruar aktin e tij të burracakërisë. Policia, gjykata, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare duhet të reagojë me forcë dhe efikasitet. Qarravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne.


Shoqja e gjyqtares rrëfim të ndjerë: Më trondite mikja ime
Pedagogia dhe intelektualja Majlinda Keta, ka kujtuar me një postim të ndjerë në facebook shoqen e saj, duke përmendur edhe takimin e tyre të fundit në 1 qershor, së bashku me fëmijët e saj.

Sipas saj, ata biseduan për gjëra të bukura, për karrierën, familjen, karrierën, duke anashkaluar ngjarjen, që sipas Ketas, “i mori edhe jetën”
 
Postimi i plotë i Majlinda Keta në facebook
Edhe nje grua e vrare.....39 vjec, nene e 2 femijeve te mrekullueshem.
Edhe kjo me urdhra mbrojtje..... urdhra nga gjykata, institucioni prej ku jepte drejtesi per ne, grate, perfshire dhe Fildez gjykatesen.
Po kush e vleresoi, kush e konsideroi, kush e zbatoi??? Askush.
Perkundrazi, nje burre edhe e "rivleresoi", e amnistoi dhunuesin tend ne vijueshmeri, bile edhe te femijeve te tij ndersa te dhunonte ty publikisht mikja ime.
Amnistija e nje dhunuesi ..... na dhunoi te gjithave serish.
Fildez nuk e besoj dot se ike, te vrane !!!Luftove per dinjitetin tend femeror, luftove si profesioniste, luftove per familjen tende......po nuk ja dole dot Fildez.
Jam e tronditur dhe ende nuk e besoj dot se humba nje mike, nje grua luftetare me fatin dhe kete shoqeri ende ne pritivizem.
1 qershori ishte dita e fundit qe te takova....ishe me 2 yjet e tua, atje ne TEG. Me listove gjithe gjerat e bukura qe po te ndodhnin me femijet e tu, karrieren tende......folem per reformen qe pritej ne drejtesi....kishe plane, shihje qarte te ardhmen tende dhe te femijeve, besoje se do ja dilje jetes bashke me dy femijet e tu te shkelqyer......anashkaluam me delikatese edhe historine e keqe qe te njihja..... kete qe te mori jeten.
Te urova per shume te mira....prisja lajme te bukura nga ty luftetare e paepur per femren dinjitoze ne familje e drejtesi.
Dezi bukuroshja.....ta vrane te drejten per te jetuar, ndonese ti luftove te ofroje drejtesi per shume te drejta te bashkeatdhetareve te tu.
Me trondite mikja ime, na trondite te gjithave qe te njihnim qysh nga arsimi.


Ish-ministri Halimi: Krim makabër
Me një status status në facebook, Halimi e cilëson ngjarjen tronditëse dhe një krim makabër, vrasjen e sotme në zonën e Xhomllikut.

Sipas tij kjo ngjarje kërkon analizë për ekzekutorët e urdhrit të mbrojtjes, si dhe ndëshkim më të ashpër ndaj ekzekutorit të gjykatëse.

Gjyqtarja 39-vjeçare Fildes Hafizi u vra këtë të enjte me armë zjarri nga ish bashkëshorti 53-vjeçari Fadil Kasemi.

Vrasja u regjistrua në zonën e Xhamllikut, ku 39-vjeçarja ndodhej në makinën e saj teksa ish bashkëshorti ka qëlluar me armë zjarri 2 plumba drejt saj duke e lënë të vdekur.

Postimi i plotë i Eduard Halimit në facebook:
I tronditur nga vrasja makabre e gjyqtares Fildez Hafizi. Ajo ka qënë një magjistrate e shkëlqyer, një gjykatëse e re në profesion por e ndershme dhe e përkushtuar, nënë e 2 fëmijëve.
Vrasja e një gjykatëse me urdhër mbrojtje siç raportojnë mediat përvecse tronditëse kërkon analizë për ekzekutorët e urdhërit të mbrojtjes por padyshim ndërshkimin më të ashpër ndaj ekzekutorit të Fildez Hafizit. Krime të tilla makabre kërkojne ndërshkim të ashpër ndaj kemi pasur të drejtë kur ndryshuam Kodin Penal 5 vjet më parë duke vendosur denime maksimale për këta mostra vrasësish. Ngushëllimet më të thella për familjen, fëmijët dhe të afërmit


Majlinda Bregu: Vettingu të fillojë nga vendimet për krimin ne familje
Pas vrasjes së gjyqtares nga ish-burri, ka reaguar edhe deputetja e PD, Majlinda Bregu duke kërkuar që vettingu të fillojë nga vendimet për krimet në familje.

Postimi i plotë i Majlinda Bregut në facebook:
“Ka dale nga burgu me amnisti ne 2016?! Eshte denuar per dhune ne familje, ka tentuar ta vrase ne 2015 dhe lirohet ne 2016 per ta vrare nenen e tre femijeve ne 2017?!
Fillojeni Vettingun nga vendimet per krimin ne familje!

Urdhra mbrojtje te mohuara, te dhena e te paekzekutuara, tentativa vrasje te amnistuara! Prokurore pijanece, gjyqtare druvare, eksperte mashtrues!

Beni publik emrin e nisni hetimin per prokurorin qe kanosjen me arme te atij qe vrau nenen e femijeve sot e pa si armembaktje pa leje!

Fillojeni Vettingun ketu! Per krimin me makaber qe po shfaros gra e nena perdite!
Leviz Etilda! Kerko te te japin llogari qysh diten e pare pa u zbardhur mire dita, te gjithe gjykatat e drejtorite e
burgjeve per urdhrat e mbrojtjes, lirimet me kusht, kohen e apelimit, ekspertet prane gjykatave!

Hiqeni nga lista e amnistise tentaviven per vrasje e per me teper ndaj nenes se femijeve!
Hiqini te drejten e perfitimit nga ulja e denimit cdo lloj dhunuesi grash e femijesh!
Nuk i mbron dot urdhri i mbrojtjes nese nuk ashpersohen vendimet kunder dhunuesve!

Nuk mbrojti dot as nje nene gjyqtare! Nuk funksionoi drejtesia as per te bere drejtesi per nje grua e cila gjyqtaret qe duhet te benin seancen per nje veper te kryer ne kushtet e flagrances e kishin kolege!!!
Po vrasin grate e nenat perdite e diten per diell! Dhe po behet kaq e zakonte sa as ndjeshmeri as pergjegjesi nuk po mban askush! Kjo eshte lufte! Ne lufte o vritesh, o te vrasin” shkruan Bregu.


Unioni Gjyqtarëve: Dënojmë krimin,autori të procedohet sa më shpejt
Unioni i Gjyqtarëve Shqiptar ka reaguar pas vrasjes së gjyqtares Hafizi duke shprehur ngushëllimet për vrasjen e Fildes Hafizit.
 
Në një deklaratë për mediat Unioni dënon krimin dhe kërkon procedimin sa më të shpejtë të autorit.

‘Dënojmë me ashpërsinë më të madhe krimin e kryer dhe kërkojmë procedimin sa më të shpejtë të autorit! Sot është dita kur gjithë strukturat ligjzbatuese të bashkëpunojnë e të drejtojnë gjithë fuqinë e tyre për zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes e më pas analizimin e drejtë, objektiv e të paanshëm të ketij rasti, pjesë e një fenomeni të shëmtuar e pa asnjë lidhje me vlerat e popullit tonë’ thuhet në njoftim.

Unioni vlerëson se dhuna në familje po kthehet në një fenomen mjaft të rrezikshëm dhe se duhet angazhim maksimal i shoqërisë dhe Shtetit për të identifikuar e zhdukur
shkaqet e lindjes së kësaj dhune.

“Dhuna në familje po kthehet në një fenomen mjaft të rrezikshëm për shoqërinë tonë, duke mos kursyer askënd : prindër, vëllezër, motra, fëmijë e vecanërisht gra, pavarësisht statusit të tyre social, detyrës që kryejë apo moshës.

Frenimi dhe zhdukja e këtij fenomeni shoqërisht të rrezikshëm e moralisht të papranueshëm kërkon një ndërgjegjësim e angazhim maksimal të të gjithe shoqërisë dhe Shtetit, për të identifikuar e zhdukur fillimisht shkaqet e lindjes së kësaj dhune, për të identifikuar e gjetur përgjegjësite e me ne fund zgjidhjet e drejta” 


Unioni Prokurorëve:Shteti të mbrojë çdo funksionarë

Edhe Unioni i Prokurorëve të Shqipërisë ka shprehur ngushëllimet për vrasjen e gjyqtares dukë dënuar vrasjen si një goditje për shoqërinë shqiptare

‘Unioni Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë  shpreh ngushëllimet për humbjen e jetës të gjyqtares F. HAFIZI. Të indinjuar për vrasjen e një nëne bije dhe koleges tonë , dënojmë me forcë vrasjen si një goditje për shoqërinë shqiptare , gruan, nënën . Guximi i krimit për të marrë jetën e një gruaje dhe të një personi që duhet të ketë mbrojtjen e plotë nga shteti është këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare. Uprsh bën thirrje që shteti të dale në mbrojtje me forcë cdo funksionari që punon me përkushtim dhe ndershmëri për Shqiperinë dhe shqiptarët”

Luan Rama:Hafizin e vrau shteti

Luan Rama ka reaguar pas vrasjes së gjyqtares nga ish-bashkëshorti I saj ditën e sotme.

“E vrau shteti i vet, ai që më së pari e kishte për detyrë ta mbronte!

E vrau mosveprimi, indiferenca, heshtja, braktisja e të gjithëve ne që e kishim për detyrë ta mbronim”, shkruan Rama.

REAGIMI I PLOTË:

Një zë që thirri në shkretëtirë!

Fildeze Hafizin e vrau shteti!

Cronaca d’un muerte anunçiada! (Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar). Më erdh në mend titulli i këtij libri të famshëm të Marques-it, pas gjithë asaj tragjedie kriminale që fatalisht vrau jetën e një gruaje – nënë e qytetare e mirë!
Fjalët, tani që Fildeze Hafizi nuk jeton më, e vrarë në mes të ditës mu mes të Tiranës, nuk kanë asnjë vlerë!
Sepse ajo i tha dhe i bëri të gjitha sa qe gjallë; denoncoi, luftoi, kerkoi ndihmë e mbrojtje për jetën, e megjithatë humbi!
Humbi në betejën e jetës së vet! 
Megjithëse u përpoq që në këtë betejë të mos ishte e vetme!
Humbi sepse e vranë!
E vranë, sepse ne e lamë vetëm!
E vranë!!!
E vrau shteti i vet, ai që më së pari e kishte për detyrë ta mbronte!
E vrau mosveprimi, indiferenca, heshtja, braktisja e të gjithëve ne që e kishim për detyrë ta mbronim!
E vrau sistemi që ne kemi krijuar që e kishte për detyrë ta mbronte!
E vranë kolegët e sajë, prokurorë e gjyqtarë që me veprimet e mosveprimin e tyre kriminal nuk zgjodhën ta mbronin me armët e drejtësisë, por e vranë duke mbajtur anën e ish-burrit vrasës e duke u bërë ortakë me të në këtë krim makabër!
E tani, ajo, gruaja e pambrojtur, nëna e dy fëmijëve jetimë, gjyqtarja e përkushtuar, qytetarja e mirë Fildeze Hafizi nuk jeton më!
Për fajin tonë! Për fajin e shtetit në shërbim të të cilit ishte!
Prandaj tash e mbrapa fjalët nuk kanë më asnjë vlerë!
Shteti vrasës, qeveria vrasëse, prokuroria vrasëse, gjykatat vrasëse, politika vrasëse, shoqëria vrasëse, nëse duan të dëshmojnë se nuk do të jenë të tillë, pra nëse nuk do të jenë vrasëse edhe nesër, edhe pasnesër, edhe në çdo ditë të së ardhmes tonë, le ta dëshmojnë duke “vrarë” me forcën e ligjit të gjithë vrasësit e Fildezit, nënës së dy fëmijëve jetimë!
Ndërsa krerët e drejtësisë e të qeverisë e të gjithë ata të cilëve gjyqtarja e vrarë ju kerkoi ndihmë për t’i shpëtuar jetën, le t’i mbajnë letrat e saj si dëshminë e një zëri që thirri në shkretëtirë, por që nuk e dëgjoi njeri! Vox clamantis in deserto! – sipas Biblës.


SHKGJ: Hafizi Viktimë e sëmundje së shoqërisë
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka reaguar pasi Fildes Hafizi u nda nga jeta tragjikisht ditën e sotme.
Ata e kanë cilësuar tragjike vrasjen, dhe sipas tyre, gjyqtarja Hafizi ishte viktima e radhës e një sëmundje që ka pushtuar një pjesë të shoqërisë.

Reagimi i plotë i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve:
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë me keqardhje të thellë përcjell lajmin e ndarjes nga jeta në mënyrë tragjike të koleges tonë në nderuar Fildes Hafizi.
Është ende e pabesueshme për të gjithë ne se si një dorë makabre guxoi të ngrihej mbi një nënë, mbi një grua, mbi një gjyqtare të republikës.
Ngjarje të tilla të rënda për shoqërinë, por mbi të gjitha për komunitetin e gjyqtarëve na bëjnë të vetëdijshëm se sa lehtë mund të merret jeta, e për më tepër jeta e një funksionari të shtetit.
Kjo ngjarje dhe të ngjashme me të, që përcillen çdo ditë nga media, tregojnë se shteti dhe shoqëria ende vuan dallgët e tranzicionit me gjithë pasojat brutale të tij, duke mos e gjetur akoma busullën e vlerave.
Dhuna në familje përbën një ndër plagët më të rënda që po vuan shoqëria shqiptare në këto kohë.
Ajo është shkatërrim i themelit të saj me pasoja të pashlyeshme për brezat që po rriten.
Megjithatë ne nuk do të ndalemi për të analizuar këtu shkaqet dhe shkaktarët e kësaj gangrene të shoqërisë.
Fildes nuk ndodhet më mes nesh, ajo ishte viktima e radhës e një sëmundje që ka pushtuar një pjesë të shoqërisë. Ajo nuk jeton më për shkak të mentalitetit të sëmurë të një njeriu që la fëmijët e tij jetimë, ajo nuk jeton për shkak të keqbërjes apo keqzbatimit të ligjeve në këtë shtet. Shkaqet dhe shkaktarët mund të jenë të shumtë. Mund të rrimë dhe të analizojmë me ditë e net të tëra por Fildesin nuk e kthejmë dot më në jetë. Prandaj çdo aktor shtetëror, madje edhe vetë shoqëria duhet të nxjerrë përgjegjësitë nga kjo ngjarje shokuese. Të nxjerrim përgjegjësi dhe të mos bëjmë protagonizëm me një fatkeqësi të tillë, as mos të marrim rolin e engjëllit akuzator pasi të gjithë kemi përgjegjësi.
Për grykçjerrët që dje akuzonin gjykatat për fenomenin e dhunës në familje sot e morën përgjigjen, por në mënyrën më tragjike, dhuna na familje nuk kursen as gjyqtarët sepse është një sistem i tërë që nuk funksionon. Sot, balta që keni hedhur dikur mbi gjyqtarët iu është kthyer mbrapsht, mbi fytyrat tuaja, por në mënyrën më të kobshme për ne dhe më të turpshme për ju.
Së fundi, i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerës duke u thënë se jemi pranë jush në këto momente të vështira për të ndarë sa do pak dhimbjen me ju. I paharruar qoftë kujtimi i Fildes.


Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori: Dënojmë me forcë këtë akt të ulët
Z. Xhezair Zaganjori ne cilesine e Kryetarit te Gjykates se Larte dhe Kryetarit te Bordit te Magjistratures, i shpreh thellesisht ngushellimet familjareve te gjyqtares se ndjere Fildes Afizi, e cila humbi jeten tragjikisht si pasoje e nje akti barbar dhe vrastar ndaj saj.
 
Reagimi i plotë Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.
”Denojme me force kete akt te ulet qe i mori jeten nje gruaje, nje nene, nje kolegeje magjistrate te dalluar dhe nje qytetareje te pafajshme. Ndarja e parakoheshme nga jeta e Fildesit, jo vetem ka hidheruar familjaret e saj per humbjen e njeriut te tyre te dashur, por ka tronditur gjithashtu koleget e saj gjyqtare ne te gjithe vendin dhe i ka privuar drejtesise nje juriste dhe nje gjyqtare te afte e me prespektive”.
 
Edhe pse e re ne profesion, ajo ka dhene kontributin e saj ne sistemin e drejtesise si nje magjistrate e shkelqyer dhe e apasionuar. Per shkak te cilesive e aftesise te saj, Fildesi ishte zgjedhur nga vete magjistratet si perfaqesuese e tyre ne Bordit te Shkolles se Magjistratures, duke e perfaqesuar denjesisht besimin e kolegeve te saj.
 
Forca dhe kurajo mbizoterofte ne familjen e saj dhe dy femijet e mitur.

Zv. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj: Doli në pah sistemi i kalbur i drejtësisë
 Etilda Gjonaj shprehet se kjo është një ngjarje tragjike jo vetëm për humbjen e një gruaje profesioniste të mirë, e nënë të përkushtuar, por edhe pasi sërish doli në pah sistemi i kalbur i drejtësisë që ka nevojë urgjente për reformën më të thellë të mundshme në drejtësi.
 
Reagimi i plotë i Zv. Ministres Etilda Gjonaj
REAGIM I ZV. MINISTRES SË DREJTËSISË, LIDHUR ME NGJARJEN E RËNDË
 
Ngjarja e sotshme ishte tragjike, jo vetëm për humbjen e një gruaje profesioniste të mirë, e nënë të përkushtuar, por edhe pasi sërish doli në pah sistemi i kalbur i drejtësisë që ka nevojë urgjente për reformën më të thellë të mundshme në drejtësi.
 
Autori i krimit makabër të sotshëm ishte ndaluar dy vite më parë nga policia. Krimi i sotshëm
ishte shmangur para dy vitesh. Por ç’bëri sistemi gjyqësor? Për veprën penale të armëmbajtjes pa leje që parashikon dënimin deri në 7 vjet burgim dhe veprës penale të dhunës në familje deri në 5 vjet burg, gjyqtarët e dënuan autorin vetëm me 3 vjet burgim në total.
 
E më pas ai që sot i mori jetën, Fadil Kasemi, u amnistua. Një vendim skandaloz i gjyqtarëve në 2016, sot i mori jetën një kolegeje të tyre.
 
Ngjarja e sotshme ishte një goditje e rëndë për të gjitha ne gratë me pozitë apo pa pozitë, dhe tregoi edhe njëherë për mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë, që kërkon në mënyrë imediate pastrimin nga gjyqtarë dhe prokurorë që keqzbatojnë ligjin.
 
Duke ngushëlluar familjen e Fildeze Hafizi, i siguroj ata dhe mbarë opinionin publik për angazhimin maksimal të Qeverisë së re, në jetësimin sa më shpejt e me thellësinë e kërkuar të Reformës në Drejtësi. I bëj thirrje organit të akuzës për një hetim të gjithanshëm dhe sa më profesional të ngjarjes së rëndë!
 
U prehsh në paqe, mikja dhe kolegia jonë e dashur!
 
Ky mesazh jo vetëm si zv. Ministre e Drejtësisë, por edhe si grua dhe si nënë.
 
Etilda Gjonaj (Saliu)

Er.K/J.Sh/e.m/ Shqiptarja.com