TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka hedhur ditën e sotme akuza të forta kundrejt kryeministrit Edi Rama sa i takon çështjes së zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Në deklaratën për mediat, Meta akuzoi Ramën se i ka kërkuar zyrtarit të FBI-së që të bënte hetime të paligjshme për të, në kohën që ishte President.

Sipas Metës, Rama ka lobuar që McGonigal, duke përdorur detyrën e tij si zyrtar i FBI-së, të mblidhte dëshmi të rreme kundër Metës si President asokohe.

“Jam shumë i nderuar që tre porositë e para që Edi Rama i ka dhënë këtij zotërisë që është ndaluar nga FBI-ja, na Amerika që unë kam besuar dhe besoj gjithmonë dhe që ju kam thënë që i kam marrëdhëniet e shkëlqyera, i ka dhënë kundër presidentit në detyrë në atë kohë, Ilir Meta. Tre porositë e para. Për të bërë hetime të paligjshme dhe nën autoritetin e FBI-së për të ndikuar këtu dhe jashtë vendit edhe për të marrë dëshmi të rreme përmes shantazheve, gjoja përmes FBI-së”, tha Meta.

Mbi këto akuza, Meta reagoi edhe në Facebook, ku shkruan se është shumë i lumtur për mënyrën se si ka mbrojtur Kushtetutën si President, ndërsa thekson se lidhja e Ramës me zyrtarin e FBI-së do të zbardhet e plotë dhe asgjë s’do e ndalojë dot.

“Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e "Ramagate" në vendin tonë dhe vendosjen përpara ligjit të kësaj bande manipulatorësh. Krenar për mbrojtjen që i kam bërë Kushtetutës në kohën kur isha President i Republikës dhe për marrëdhëniet gjithmonë të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë marrëdhënie vlerash dhe jo aferash”, shkruan Meta.

Opozita, Meta dhe Sali Berisha kanë akuzuar Edi Ramën për lidhje me zyrtarin e FBI-së, McGonigal, pasi rezulton se Rama ka pasur një takim me të. Nga ana tjetër, opozita e akuzon kryeministrin se ka lobuar kundër tyre përmes zyrtarit të FBI-së.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:37
A do t'i bashkohet PL protestës së Berishës? Meta: Do ketë jehonë mbarë botërorë

Kreu i PL-së, Ilir Meta tha se do t’i bashkohet çdo proteste që zhvillon opozita.

‘Çdo proteste, e jam i sigurt do bashkohen dhe gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë e do ketë jehonë mbarëbotërore.’- tha Meta.

Ora 14:21
Lidhja me McGonigal, Meta: Të hetohen veprimet anti-kushtetuese të Edi Ramës, urdhëroi hetime për të shkatërruar opozitën

Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama për lidhjet me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së Charles McGonigal i arrestuar në SHBA, se kreu i qeverisë ka përdorur pozitën e tij si kryeministër për të urdhëruar hetime ndaj kundërshtarëve politik me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

‘Të hetohen veprimet anti-kushtetuese të Edi Ramës për të porositur investigime për shkatërrimin e opozitës.’- u shpreh Meta.