Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka sulmuar sërish kryeministrin Edi Rama se duke përdorur pozicionin e tij si kryeministër, ka korruptuar ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal për të urdhëruar hetime ndaj kundërshtarëve politik me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Meta në një postim në rrjetet sociale akuzon kreun e qeverisë se ai ka shkelur rëndë kushtetutën e vendit duke përdorur postin e kryeministrit. Nga ana tjetër, Meta e cilëson bllokimin e komisionit parlamentar të hetimeve si përpjekje e pashpresë për të zbutuar komplotin e tij kundër demokracisë, ndërsa i bën thirrje deputetëve të Kuvendit që mos të sillen si kukulla për të mbuluar skandalin e Ramës.

'Përdorimi i paligjshëm dhe korruptiv i McGonigal nga Edi Rama si kryeministër i Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Prandaj, hetimi i këtij rasti nga Shtetet e Bashkuara është shumë i rëndësishëm për të nxjerrë në dritë këtë çështje serioze. Akoma me i domosdoshem eshte hetimi i veprimeve antikushtetuese, te paligjshme dhe mafioze te Edi Rames, i cili perdhosi zyren e kryeministrit duke joshur dhe korruptuar zyrtaret e larte te huaj per te urdheruar hetime ndaj kundershtareve politik me qellim shkaterrimin e pluralizmit politik dhe arritjen e instalimit te plote te Narko-Shteti dhe Kleptokracia në Shqipëri.

Edi Rama jo vetëm është në konflikt interesi me zyrën e kryeministrit, por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke përdorur postin e kryeministrit dhe duke përdorur korrupsionin mbi zyrtarët e huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.

Bllokimi i komisionit parlamentar të hetimeve është një përpjekje e pashpresë për të zbutur komplotin e tij kundër demokracisë dhe pluralizmit politik.I bëj thirrje deputetëve që të mos sillen më si kukulla, duke mbuluar skandalet e Edi Ramës, por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Asgjë nuk do ta ndalë zbërthimin e "Ramagate" në vendin tonë dhe ndjekjen penale të kësaj bande manipulatorësh! Ja zyrtarët "antikorrupsion" që u kthyen në ortakë me regjimin më të korruptuar në Europë dhe u përdorën kundër opozitës dhe demokracisë në Shqipëri!’- shkruan Meta.

 

Akuzat e opozitës, kryeministri Edi Rama i ka konsideruar një mal të mbarsur me fantazi e ligësi dhe do të pjellë më pak se një mi. Rama thotë se hetimi gjithçka është hetuar nga SHBA dhe nuk ka të bëjë as me atë, as me qeverinë shqiptare.  Ai i konsideron qesharake edhe akuzat e tjera të opozitës për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, duke e trilluar si një  konspiracionin agjenturor.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal u arrestua dy ditë më parë në SHBA dhe po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.