Në seancën e radhës paraprake për dosjen Meta, GJKKO ka urdhëruar SPAK që ish-presidentit t'i vendoset në dispozicion një pjesë e akteve. Burime për Report Tv sqarojnë se Ilir Meta nuk ka kërkuar të gjithë dosjen, por vetëm një pjesë të akteve ku SPAK pretendon se implikojnë ish-presidentin.

Në seancë ishte i pranishëm edhe vetë Ilir Meta, i cili kërkoi që të njihet me aktet dhe GJKKO vendosi që seancën paraprake ta shtyjë më 22 dhjetor.

Dy ditë më parë, sikurse Veliaj, edhe kreu i PL kërkoi që të mos qëndronte në kafazin në sallën e gjyqit, duke e konsideruar si shkelje të të drejtave kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut. Madje, në kërkesën depozituar GJKKO-së, thuhej se nëse nuk do të merrej parasysh kjo kërkesë, nuk do të merrnin pjesë në seanca.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:03
'Ty po të prisja Monika', Kryemadhi batuta me aktorin Julian Deda para SPAK: Më thirrën për Metën (VIDEO)

 

Teksa shkoi në SPAK për procesin gjyqësor, Monika Kryemadhi shkëmbeu batuta me aktorin Julian Deda.

Deda i thotë se po priste Kryemadhin para GJKKO, dhe me batutë tha se SPAK e kishte thirrë edhe atë për Ilir Metën.  “Dëgjo, vetëm shumë mos e kruaj se…”-ishte përgjigja e Kryemadhit.

Pjesë nga biseda:

Monika Kryemadhi: Ku e ke napolonin, tak-tak-tak…

Juljan Deda: Ty po të prisja… Monika…

Monika Kryemadhi: Po ti c’ne?

Juljan Deda: Më thirrën dhe mua, por se di pse… Për Ilirin.. (qeshin.)

Monika Kryemadhi: Dëgjo, vetëm shumë mos e kruaj se…

Juljan Deda: Jo nuk thash gjë.. hiç, hiç.

Monika Kryemadhi: Unë do bëj ndërtim pa leje këtu( në SPAK) do marrë zyrë!

Ora 16:06
Avokati Cakrani: Meta nuk është njohur me dosjen! Gjyqtarja Gjoka shantazhohet nga SPAK

 

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, tha për mediat se shkaku se përse Gjykata e Posaçme vendosi sot të shtyjë seancën paraprake të dosjes ‘Meta’ është se ish-presidenti nuk është njohur me fashikujt.

Më tej, Cakrani sulmoi gjytaren e çështjes, Irena Gjoka, duke thënë se kjo e fundit pranon të gjithë kërkesat e prokurorëve të posaçëm pasi ndihet e shantazhuar nga fakti që vetë është në hetim nga SPAK.

“Mungonte një prej avokatëve të palëve, të zonjës Kryemadhi, gjithashtu nga gjykata u lanë disa detyra që prokurorët duhet t’i informonin në ambientet e paraburgimit të gjithë fashikujt që ai kërkoi. Gjithashtu i kërkuam të saktësonin dhe akuzën dhe të na sillnin listën e provave. Prokurorët nuk e kishin këtë detyrë, padyshim që ne kërkuam përsëri. Pati një tension sepse prokurorët kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Meta, i cili ishte aty prezent dhe nuk ishte ky shkaktari për shtyrjen e seancës gjyqësore. Pati një tension ndërmjet avokatëve, të paktën ndërmjet zotit Lima dhe unë me gjyqtaren Irena Gjoka, e cila e pranoi kërkesën, megjithëse ne nuk e vinim në dyshim që zonja Gjoka pranon çdo kërkesë të prokurorëve. Zonja Gjoka është e shantazhueshme nga zotërinjtë prokurorë pasi po hetohet nga ata për çështjet e saj personale. Ajo vazhdon të mos i marrë parasysh dhe t’i injorojë kërkesat tona”,- tha Cakrani.

“Meta ka kërkuar të njihet me 2 momente. Atë të CEZ-DIA, po jo me kontratën që nuk kanë lidhje me zotin Meta, se ai nuk ka qenë as kryeministër dhe as nuk ka patur gisht, dhe tjetra ka qenë me lobimin. Këta janë 2 dosjet që zoti Meta kërkon të njihet me to”,- shtoi avokati.

Ora 15:59
Shtyhet sërish në GJKKO seanca paraprake, Kryemadhi: Meta nuk është njohur me dosjen, gjykata urdhëroi SPAK...

 

GJKKO ka shtyrë sërish seancën paraprake për dosjen e Ilir Metës, Monika Kryemadhi dhe tre të tjerët, ku pritej të vendosej kalimi ose jo për gjykim. Seanca e radhës do të mbahet më 22 dhjetor. 

Për mediat, Kryemadhi sqaroi se përmese togat e zeza vendosën të shtyjnë sërish zhvillimin e seancës paraprake. 

"Seanca e sotme u shty për datën 22 dhjetor, ora 14:30 për shkak se zoti Meta nuk është pajisur me dokumenta. Përveç faktit që në seancën e kaluar kemi kërkuar listën e provave, e cila nuk is është dhënë asnjë të pandehuri, ku në bazë të Kodit të Procedurës Penale, çdo akuze që çohet në gjykatë i bashkangjitet dhe lista e provave, gjë e cila mungon, e cila është shkelje proceduriale. Zoti nuk ka patur mundësi të njihet me dosjen, pasi edhe në mënyrën elektronike që i kanë avokatët e tij, ai nuk ka as kompjuter, as printer atje. Gjykata pranoi dhe vendosi që prokuroria brenda javës të mundësojë të formë fizike të të gjithë fashikujve",- tha Kryemadhi.

Më tej, ish-deputetja tha se kërkon që t'i jepet i gjithë ekspertimi i telefonit të saj nga SPAK.

"Kam kërkesa njëherë e parë se duhet të më jepet i gjithë ekspertimi i telefonit celular, edhe pse më është marrë në mënyrë të paligjshme. Edhe pse në bazë të letërporosisë që kanë dërguar në Amerikës është gënjyer Departamenti i Shtetit, ku është kërkuar nga DASH një vendim gjykate për sekuestrimin e telefonit tim",- tha Kryemadhi.