Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, zhvilloi sot homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në qytetin e Beratit me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të qytetit.
Kryetari i Kuvendit u takua me veteranët dhe me familjarët e shumtë të Dëshmorëve të Atdheut të rënë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, në këtë takim Meta shoqërohej nga Prefekti Beratit, Selfo Kapllani, Kryetari i Këshillit të qarkut, Petrit Sinaj, Kryetari i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, Ministri i Drejtësisë dhe njëherësh deputeti i qarkut të Beratit, Nasip Naço, deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica si dhe deputetët e PS-së, Taulant Balla dhe Eduart Bejko, si dhe veteranë dhe familjarë të dëshmorëve.

Nën tingujt e bandës frymore, Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e tjerë shtetërorë vendosën kurora dhe buqeta me lule në Memorialin kushtuar dëshmorëve.
Gjatë takimit me veteranët dhe me familjarët e shumtë të Dëshmorëve të Atdheut të rënë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, Meta përcolli urimet për qytetin e Beratit dhe vlerësoi kontributin e këtij qyteti të dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kryetari i Kuvendit, tha se "Berat, të gjithë gjeneratat, dinë t'i festojnë ngjarjet e luftës si rrallë ndonjë qytet tjetër duke treguar se sa të gjalla dhe të freskëta ndodhen idealet e dëshmorëve të Beratit, por edhe të gjithë Shqipërisë. Patjetër që qyteti i Beratit meriton një urim mjaft të ngrohtë dhe të përzemërt sepse jo vetëm që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, por njëkohësisht edhe Berati sot, të gjitha gjeneratat, dinë t'i festojnë ngjarjet e luftës si rrallë ndonjë qytet tjetër duke treguar se sa të gjalla dhe të freskëta ndodhen idealet e dëshmorëve të Beratit, të Margarita dhe të Kristaq Tutulanit dhe të qindra të tjerëve, por edhe të gjithë Shqipërisë".

I pyetur nga mediat se cili ishte mesazhi në këtë ditë të shënuar, Kryetari i Kuvendit u shpreh se "vetëm bashkëpunimi dhe toleranca do ta çojnë përpara Shqipërinë".Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço në fjalën e tij u shpreh se "Shqipëria ishte i vetmi vend që u çlirua vetë nga çetat dhe brigadat partizane. 70 vjet më parë u çlirua dhe qyteti i Beratit dhe më pas në këtë qytet historik u vendos dhe qeveria e parë ku u dhanë dhe urdhrat e parë për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Sigurisht ne vijmë sot të festojmë 70 vjetorin sepse jemi krenar që u rreshtuam në ato brigada dhe në atë koalicionin e madh antifashist për çlirmin e Shqipërisë, por edhe të gjithë Europës. Ne jemi krenarë se ishim i vetmi vend që u çliruam vetë nga çetat dhe brigadat partizane. Vitet ikin , por fakti që jemi më shumë sot këtu tregon qartë që vepra, lufta dhe gjaku i atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë vazhdon të mbetet edhe në brezat e ardhshëm", tha z. Naço.

Në mesazhin e tij për 70 vjetorin e çlirimit të Atdheut, deputeti i LSI-së, Gledjon Rehovica tha se "ne sot e përkujtojmë këtë ditë feste të arritur me luftë, mund dhe sakrifica, pasi ishin këta veteranë të kthyer nga betejat e luftës që më pas drejtuan për dekada të tëra rindërtimin e atdheut".

Ndërsa deputeti i PS-së, Taulant Balla, theksoi se PS i kushton vëmendje të veçantë gjithë epopesë historike të luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, prandaj grupi i saj parlamentar do të jetë i pranishëm në të gjitha ceremonitë përkujtimore në të gjitha rrethet e Shqipërisë.

"Jemi krenarë që jemi sot këtu bashkë në qytetin e Beratit për të kujtuar këtë 70-vjetor çlirimi në Berat. Sikurse i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në këtë 70-vjetor çlirimi, ta kujtojnë me krenari atë moment historik. kur populli shqiptar u rendit përkrah popujve të tjerë europianë, me një mision historik, për ta shpëtuar njerëzimin nga një e keqe e madhe sikurse ishte nazi-fashizmi. Sigurisht populli shqiptar e kujton 70-vjetorin e çlirimit me krenari pikërisht se ka qenë përkrah kombeve më të përparuara të botës", tha Balla./ATSH/