VOTA, MESAZH KUNDËR ARROGANCËS, TANI PËRULËSI
Meta theksoi se “mesazhi i votës foli qartë dhe ky rezultat është përgjegjësi, angazhim dhe përkushtim. “Vota në zgjedhje ishte mesazh kundër arrogancës. Tani duhet përulësi dhe qeveri gjithëpërfshirëse përballë qytetarëve tanë”, vërjeti Meta. Më tej ai ka shtuar një tjetër mësim nga këto zgjedhje: "Në këtë vend mbret duhet të jetë ligji dhe qytetari dhe jo politikanët. Kjo është e vetmja rrugë që ne të meritojmë besimin që dhanë qytetarët për LSI dhe të jemi fjalëmbajtur para gjithë qytetarëve shqiptarë".
TË HEQIM DORË NGA POLITIKA PËRJASHTUESE DHE ANTAGONISTE
Këshilla tjetër që Meta u ka dhënë LSI-stëve, por dhe gjithë qytetarëve shqiptarë është: Të heqim dorë nga politika përjashtuese dhe antagoniste, që i ka humbur shumë kohë vendit. Mesazhi ynë: Të ecim më shpejt, duhet përcjellë kudo në të gjithë nivelet tona drejtuese dhe gjithë simpatizantët tanë.
SHQIPTARËT TREGUAN SHPIRT EUROPIAN
"Treguan se kanë besim te demokracia. Shqiptarët treguan se kanë një shpirt europian", vlerësoi Meta, i cili shprehu dëshirën, që "shqiptarët brenda këtij viti të meritojnë statusin e vendit kandidat". Sipas tij, "vendi ka hedhur një hap të sigurt, jo vetëm për marrjen e statusit, por dhe për të garantuar një proces të pandalshëm të zhvillimit dhe integrimit të plotë në BE".
FRYMA E BASHKËPUNIMIT DHE INTEGRIMIT, EDHE PAS 23 QERSHORIT
Zgjedhjet e fundit sipas Metës afirmuan konfigurimin e një mazhoranca të re në vend. Kjo votë plebishitare është lexuar nga të gjithë në mënyrën më të përgjegjshme. Kjo reflektohet jo vetëm në bashkëpunimin tepër konstruktiv brenda koalicionit, që u konfirmua edhe nga takimi i sotshëm me kryetarin e PS dhe kryeministrin e ardhshëm, Edi Rama. "Jam i bindur se fryma e bashkëpunimit dhe integrimit do të mbizotërojë në gjithë jetën politike pas 23 qershorit, që Shqipëria të ecë më shpejt, për aspiratat e gjithë qytetarëve tanë, respektimin ndaj institucioneve dhe Kushtetutës dhe kthimin e politikës ndaj qytetarëve në respekt të aspiratave të tyre dhe nevojave që kanë". "Kështu e kemi lexuar ne këtë votë dhe kjo votë do të pasohet nga një angazhim i jashtëzakonshëm, për të qenë fjalëmbajtur para gjithë qytetarëve tanë për ta kthyer këtë moment në një fillim të ri dhe të pandalshëm për një Shqipëri europiane".
DUHET PËRMIRËSUAR PUNA E KUVENDIT DHE KRYEMINISTRISË
Pyetjes se a është e vërtetë që Meta do të jetë kryetar i Kuvendit, ndërkohë që Rama është kryeministri, Meta i është përgjigjur: "Jeni njohur me një komunikatë të bërë publike për takimin me Ramën, ku kemi rënë dakord për të gjithë vijimësinë e punës dhe përgatitjeve lidhur me realizimin e tranzicionit drejt institucioneve të reja; kuvendit të ri dhe qeverisë së re". Ai ka thënë se nuk mund të shtojë më shumë. "Jo se dua të ruaj ndonjë sekret, por janë të vetmet çështje, që kemi diskutuar dhe kemi rënë dakord", tha Meta, i cili gjithçka tjetër e quajti burim të fantazisë, gjë e respektuar në demokraci sipas tij edhe kjo. Lidhur me mandatet, sipas Metës "ndarja është një hap përpara, jo hap mbrapa; për të rritur rolin e qeverisë dhe maksimizuar energjitë e atyre që angazhohen në ekzekutiv, por edhe një kontribut për të rritur rolin e parlamentit. Sistemi ynë zgjedhor është proporcional jo mazhoritar. Duhet të përmirësohet puna e të dyja institucioneve".
NDRYSHIMET NË KODIN ZGJEDHOR ME KONSENSUSIN E OPOZITËS
Pyetjes së gazetarëve mbi ndryshime të mundshme në Kodin Zgjedhor, meta iu përgjigj se "qëndrimet tona kanë qenë dhe mbeten konstante në këtë drejtim; pavarësisht se kemi një mazhorancë të mjaftuesheme për ndryshime dhe në elementë të tillë, ndryshimet në Kod nuk kërkojnë vetëm një mazhorancë numerike, por dhe konsensus me opozitën. Do punohet në të gjitha drejtimet për konsensus për çdo përmirësim, që i shërben demokracisë", u shpreh Meta.
NUK DUHET TË PARAGJYKOJMË MËNYRËN SI DO SILLET PD
Pyetjes mib bashkëpunimin me PD apo ndoshta një bllokim të saj në të ardhmen, Meta iu përgjigj se "mënyra si do sillet PD është e drejtë ekskluzive e PD; shpresojmë për një bashkëpunim sa më të gjerë me opozitën dhe me PD në mënyrë të veçantë, s’kemi arsye pse të paragjykojmë se si do sillet ajo në të ardhmen, integrimi është synim i përbashkët për të mirën e vendit".
NUK KEMI FOLUR PËR POSTET MINISTRORE
Pyetjes mbi 5 poste ministrore që përfliten se do të merren nga LSI, të ndryshme nga ato që ka pasur në qeverinë e mëparshme, Meta i është përgjigjur se "nuk është diskustruar asnjë çështje e kësaj natyre se nuk janë shqetësimet tona; as si ASHE dhe as si LSI. Çështja kryesore është fryma e bashkëpunimit, që do sjellë rezultatet, që priten dhe kërkohen nga qytetarët tanë, nga mazhoranca".
BASHKËPUNIMI ME PS, AFATGJATË, STRATEGJIK, NË INTERES TË VENDIT
Ndërsa pyetjes mbi aleancën e LSI dhe ndoshta ndryshimeve të bashkëpunimit të saj tani që është një parti me 8 mandate, Meta i është përgjigjur se "kemi hyrë në një situatë të re dhe bashkëpunimi me PS dhe me forcat e tjera progresiste për LSI është strategjik, afatgjatë dhe është e do jetë gjithmonë në interes të vendit, qytetarëve dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE". Ai ka shtuar se "ne kemi arritur të kemi mazhoranca tepër domethënëse, jashtëzakonisht legjitime, qytetarët tanë e ndiejnë në këto pak ditë që kanë votuar për ASHE, që ka dalë një mazhorancë tepër e përgjegjshme, me frymë të gjerë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirjeje e kjo frymë do jetë e pandalshme".
RRITJA E LSI I DEDIKOHET SIDOMOS MESAZHEVE TË SAJ DHE TË RINJVE
Një falënderim "të paparë", Meta ka bërë për gjithë të rinjtë dhe të rejat që mbështetën LSI, gjithë gratë dhe vajzat, të cilët sipas Metës ishin një faktor mjaft domethënës në këtë rritje të LSI dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht për kë votuan. "Rritja e LSi ishte parashikuar. Kjo i dedikohet shumë të rinjve dhe të rejave, votuesve për herë të parë dhe shumë vëllezërve tanë nga emigracioni dhe mbi të gjitha mesazhit që dha LSI si faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe integrimi për qytetarët tanë", nënvizoi dhe përmbylli takimin me gazetarët kreu i LSI, Ilir Meta pas mbledhjes me kryesinë e LSI.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)