Meta-Berisha apo Rama-Basha: Cila është ‘pengmarrja’ e vërtetë dhe ‘dashuria’ më e sinqertë?

Meta-Berisha apo Rama-Basha: Cila është ‘pengmarrja’ e vërtetë dhe ‘dashuria’ më e sinqertë?

Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Politika në të gjitha kohërat ka mbajtur mbi supe abuzimet, për të cilat është ankuar sistemi i drejtësisë, – është shprehur gati tre shekuj më parë filozofi i madh francez, Volter.

Në tri dekada, sidomos gjatë 13 viteve të qeverisjes së PD-së nuk ka pasur ndonjë ankesë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri mbi politikën, për arsyen se, ndoshta drejtësia si nocion nuk ka ekzistuar fare, ose ajo ka ekzistuar thjesht për të mbuluar mëkatet e politikës, e bashkë me to edhe mëkatet e veta.

Publiku i njeh më mirë, në fakt, mëkatet e tyre bashkë me mëkatarët. Ka akuza politikisht të padrejta ndaj një bashkëpunimi të lindur mes Ramës dhe Bashës prej vitit 2017, pasi askush nuk flet kaq shumë për ‘dashurinë’ e lindur që në vitin 2009, ose edhe më herët, mes Berishes dhe Metës.

Ka shumë nga ata që thonë se qeverisja e majtë që siguroi një mandat të tretë ka shumë të meta dhe, përderisa është ajo në qeverisje, fokusi duhet të shkojë tek defektet që shfaq qeverisja. Politikisht, besohet se PS-ja qëndron e sigurt në pushtet përderisa përballë nuk ka një alternativë serioze për ta konkurruar.

Ka probleme të shumta identifikimi edhe e majta sot, por mund të themi me siguri se Shqipëria mund të mos ketë fare të djathtë, përveç një nocioni ndasie që e identifikon atë sot si të tillë. Nëse e djathta që pretendon të qeverisë nesër është ajo që po shfaqet sot, këtë mund ta besojë ndonjëri që ka dëshirë të abuzojë, siç thotë Volter.

Ajo që i ndal abuzimet e të majtëve dhe të djathtëve kur janë në qeverisje është pikërisht një sistem drejtësie i pavarur, i besueshëm, së cilës i nevojitet një politikë konstruktive për ta mbështetur atë.

Hipokrizia e së djathtës aktuale me sistemin e drejtësisë që ngriti në Shqipëri besohet gjerësisht se është një ndër shkaqet kryesore të humbjes së besimit të gjerë të publikut dhe të mbështetjes që i duhet për të ardhur në qeverisje, nga ndërkombëtarët. Përmes një sistemi drejtësie të degraduar që ushqeu, e djathta mashtroi edhe shtresat që shpresuan më tepër tek ajo, jo vetëm publikun e gjerë.

E djathta, e cila identifikohet me Partinë Demokratike, mashtroi edhe ata që e kanë përkrahur vazhdimisht që prej themelimit të parë, si “ish-pronarët dhe ish-të persekutuarit”, thjesht për të plotësuar teket dhe interesat personalë të drejtuesve të saj.

Për të kuptuar se sa e drejtë ka qenë qeverisja e saj, mjafton të analizohet se çfarë zgjidhjeje të drejtë iu ka dhënë ajo këtyre dy kategorive, në këto tre dekada. Aq shumë kanë besuar dhe janë mashtruar politikisht në 30 vite ata, saqë, përfaqësuesit e të dyja këtyre kategorive vazhdojnë të dominojnë Foltoren e Berishës. Prandaj, edhe një pjesë e mirë tyre, nga besimi dhe mashtrimi i tepruar, janë shfaqur me ç’rregullime të dukshme të shëndetit mendor.

E djathta ka vijuar në opozitë duke kritikuar sistemin e ri të drejtësisë, pavarësisht problematikave që ai mbart, pa dhënë kurrë asnjë zgjidhje për përmirësimin e sistemit, çka do të thotë se ajo ka punuar për degradimin e tij, jo vetëm kur ka qenë në qeverisjen e vendit.

Perëndimi, nën udhëheqjen e SHBA-së, është investuar pikërisht pas rënies së PD-së nga pushteti për të ngritur një sistem drejtësie të pavarur, si mundësia e vetme për të shpëtuar Shqipërinë nga kolapsi prej së cilit vendit tonë i kanosej demokracia.

Është lehtësisht e kuptueshme, se nuk ka për të pasur kurrë të ardhme evropiane për Shqipërinë, pa një sistem të besueshëm drejtësie.

Pikërisht, nga fakti që ish-kryeministri Sali Berisha me influencën e tij politike po minonte projektin amerikan me qëllimin rikthimin dhe mbajtjen në këmbë të drejtësisë së vjetër, pa u interesuar shumë për të ardhmen dhe integrimin e vendit, ai për këtë arsye u ndëshkua së fundmi si askush tjetër në këto tri dekada nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Prandaj është po aq e kuptueshme që lëvizja e fundit e ish-liderit historik demokrat, pas përjashtimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, nuk ka asnjë lidhje me demokracinë në parti. Ajo parti do të ishte bërë demokratike, nëse do të kishte pasur frymë, që në vitin 1993. Mjaftonte asokohe vullneti i një njeriu të vetëm, i cili do të festojë sot 77-vjetorin e lindjes, në Korçë.

Berisha pas përjashtimit, me influencën dhe ideologjinë e gabuar që ka krijuar (autokratike) po tenton me lëvizjen e fundit që të shkëpusë partinë nga Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, ndonëse e di që lëvizja që ai po udhëheq nuk ka asnjë të ardhme.

Duke qenë se ka luajtur historikisht dhe ka vepruar politikisht për të përmbushur interesat personalë, për të mbrojtur veten nga akuzat e rënda Berisha sajoi “Sorosin” si armik të demokracisë pas vendimit të DASH, ndërsa pas përjashtimit, edhe liderin aktual të PD-së që u investua nga ai vetë, po e konsideron “peng” të Edi Ramës.

Partia Demokratike, me lëvizjen e fundit të Berishës e sigurt që do të ndahet në dy pjesë. Pa u mbledhur ende Këshilli Kombëtar, Berisha i ka kërkuar Bashës që të dorëzojë logon dhe selinë dhe të largohet me mbështetësit e tij, duke i dhënë një të drejtë atij, që ai të krijojë fraksion nëse dëshiron.

Berisha me këtë lëvizje po përpiqet të bindë mbështetësit e tij se po rithemelon të djathtën dhe Basha, nëse ka marrë përsipër ta realizonte atë me mbështetjen e Amerikanëve, duhet të themelojë pikësëpari një parti tjetër. Në fakt për t’i marrë partinë Bashës, Berishës nuk i duhet të lexojë as statutin, as të zhvillojë Foltore, as zgjedhje, por mjafton të vërë në aksion frymën e tij radikale.

E vërteta e demokracisë së brendshme në PD është se i pari dhe i vetmi që e kërkoi rithemelimin e bërë pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, ishte Mark Marku, i cili u kritikua ashpër nga fanatikët e liderit historik dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që ai u detyrua të japë dorëheqjen si deputet (SHBA kërkoi që në Kuvendin e ri të mos shkonte Berisha dhe jo Marku). Mark Marku është sot një kritik i ashpër i Berishës, në idenë e tij të nevojës së rithemelimit.

E qartë, që Berisha po mbron me këtë lëvizje veten dhe të kaluarën e tij. Pas vendimit të vështirë për të përjashtuar Berishën, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e duhur ndërkombëtare dhe do të jetë ai faktori kryesor opozitar në vend, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithëse demokracia perëndimore nuk mund të përjashtojë lëvizje të reja që mund të vihen në lojë, veç asaj të Berishës.

Fakt është se Basha ka kohë që nuk po e sulmon dhe nuk po e kritikon sistemin e ri të drejtësisë. Në stafin e ngushtë ai përreth ka disa njerëz me integritet moral dhe profesional, të paprovuar dhe pa një të shkuar politike problematike.

Ai është edhe më i sinqertë kur thotë se nuk i hedh poshtë 16 vitet e bashkëpunimit me Berishën, por po sulmohet, pikërisht sepse pranoi të ndahet politikisht prej tij, duke e llogaritur me të drejtën e tij, si të vetmen zgjidhje për të shpëtuar Partinë Demokratike.

Akuzat e Foltores se Basha po bashkëpunon me Ramën, është sa hileqare aq dhe hipokrite.

Sali Berisha ka të drejtë të bashkëpunojë me Ilir Metën, qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë, ka të drejtë të bashkëpunojë me Agon Dukën, me Kastriot Islamin, madje me Enver Hoxhën dhe trashëgiminë e tij etj. Edhe me Edi Ramën dhe Fatos Nanon kur i është dashur, ose ka parë interesat e tij. Vetëm Lulzim Basha nuk ka të drejtë të bashkëpunojë me Edi Ramën, kryeministrin aktual, për reformat që i duhen vendit, kur ky bashkëpunim nuk është në interesin e tij personal!

Në shtet-formim, pavarësisht debatit për sinqeritetin e saj, maxhoranca qeverisëse ka bashkëpunuar në këtë drejtim, për ngritjen e drejtësisë së re. Nëse ajo e ka kapur atë dhe drejtësia e re do të ishte ashtu siç pretendon opozita, kur e kundërshton me forcë, nuk do të ishin në burg sot zyrtarë të lartë nga e majta, si ish-kryebashkiaku i Lushnjës (arrestuar në zyrë) dhe ish-drejtori i RTSH.

Ndërsa e djathta e ka humbur me kohë betejën e saj, qoftë në shtet-formim, qoftë në frymë si frymëzim politik, pra ka rënë moralisht, sepse ajo po tregon se ka mbetur peng i Berishës. Prej rreth dy muajsh, i çliruar prej tij, me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, fatin e së djathtës së re e ka marrë sot Lulzim Basha, i cili për t’u vrarë politikisht akuzohet padrejtësisht se është “peng” i Ramës.

Nuk duhet ngatërruar e kaluara e Bashës me Berishën. Ai ka vetëm dy muaj në opozitë, ose e thënë ndryshe, ende nuk është provuar! Se ku do të shkojë Basha dhe a lipset nevoja për një të djathtë tjetër të re, në të ardhmen, kjo mbetet për t’u parë.

Filozofi i lashtë kinez Lao Tzu ka thënë se morali i sundimtarit është era, dhe morali i njerëzve është bari; atje ku fryn era, bari ka tendencë të rritet atje. Thënia e tij pasqyron plotësisht marrëdhëniet midis politikës dhe moralit. Morali në politikë jo vetëm që ndikon fuqishëm në moralin në shoqëri, por edhe lë gjurmët e tij.

A është ky bari që përmendi diplomacia Amerikane brenda selisë së PD-së, për pronësinë e së cilës po bëhet sot e gjithë kjo zhurmë?

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Redi: 15/10/2021 23:02

    Sa gjate i ke rene per te thene se era e m...qe ndjen Rama vjen nga aroma e te dh... qe ka bari. Ne 2008, Berisha dhe Rama bene atentatin e pare ndaj Kushtetutes. Ne menyre qe Rama te vendoste diktat ne partine e tij permes listave per deputet. Ne 2009, Berisha ra ne ujdi me Meten, me shume se per vullnet te Metes per arsye te pangopesise per te zhvatur te Dritan Priftit. Sidoqofte,.ne ate mandat Meta me bamden e LSI qe cakalli qe beri kerdine neper administrate: permes Nacos, Brahos, Rehovices, etj etj neper Shqiperi. Ne 2013 Rama ra ne ujdi me Meten, per te uzurpuar pushtetin. Kuptohet me ndikim sa te SHBA dhe Gjermanise. Ketu mbarojne ujdite. Me te marre timonin, Rama i hodhi ne ere te gjithe, permes atentatit te fundit kushtetues, te asgjesimit te drejtesise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja