GJKKO ka dhënë 66 vite burg për të përfshirët e dosjes "Metamorfoza 2". Ish-shefi i Krimeve Dedan Gjoni, dhe 5 anëtarët e tjerë të grupit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti (Gremizi), Adrian Cenaj (Dedja), Besmir Murati dhe Albert Prenga, janë shpallur fajtorë për sigurim kushtesh në tentativën për të vrarë dy vëllezërit Edmond dhe Albert Nela, trafik droge, grup të strukturuar kriminal, si dhe armëmbajtje pa leje.
Më konkretisht, ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni është dënuar me 12 vite burg për sigurim kushtesh për vrasje, grup i strukturuar kriminal, trafik narkotikësh dhe shpërdorim detyre. Nga gjykimi i shkurtuar, dënimi ulet në 8 vite burg. Ismail Zeneli, i cili donte të vriste vëllezërit, është dënuar me 15 vite burgim për sigurim kushtesh për vrasje, grup të strukturuar kriminal dhe trafik droge. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai dënohet përfundimisht me 10 vite burg.
Besmir Murati është dënuar me 12 vite për trafik droge dhe grup i strukturuar kriminal, por i ulet në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Albert Prenga dënohet gjithashtu me 12 vite për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, por i ulet në 8 vjet.
Bujar Ajeti (Gremizi) është dënuar me 9 vite burg për sigurim kushtesh për vrasje, përkrahja e autorit të krimit, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Përfundimisht, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai do të bëjë 6 vite burg.
Adrian Cenaj (Dedja) dënohet me 6 vite, por me gjykim të shkurtuar, i zbresin në 4 vite për akuzat e sigurimit të kushteve për vrasje dhe grup të strukturuar kriminal.
Të gjithë do të vuajnë dënimet në një burg të sigurisë së lartë. Gjykata mbajti gjithashtu të sekuestruara për llogari të dosjes armë, telefona celularë, një makinë tip Mercedez Benz të Adrian Cenajt, si dhe një llogari bankare me vlerë 77 998 euro të Besmir Muratit.
Ismail Zeneli bashkëpunonte me emra të njohur si Ervin Mata apo Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, për trafikun e kokainës. Sipas ‘Metamorfoza 2’, ai donte të vriste vëllezërit Edmond dhe Albert Nela për hakmarrje pasi dyshonte se në vitin 2013 i kishin vrarë në sy të tij, vëllain me emrin e ndryshuar, Xhem Krasniqi, krim që kishte ndodhur në Britaninë e Madhe.
Për të realizuar eliminimin e 2 vëllezërve, grupi kriminal dërgonte në SKY ECC, foto të tyre, si edhe të banesës ku ata jetonin, me qëllim ekzekutimin e planit ndërsa në ndihmë u kanë ardhur sipas SPAK edhe dy punonjësit e policisë të arrestuar Dedan Gjoni, shefi i krimeve të komisariatit 6 dhe Jonida Babameto.
Ismail Zeneli - 10 vite burg
Besmir Murati - 8 vite burg
Bujar Ajeti - 6 vite burg
Adrian Cenaj - 4 vite burg
Albert Prenga - 8 vite burg

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente










