FRANCË- Dy javë në vezhgim u mbajt nga autoritetet policore franceze, Behar Bajri i cili u arrestua qetësisht në ambientet e një lokali ku ndodhej vetëm. Burime pranë Policisë së Shtetit i thanë Report Tv se kur pa se ishte i rrethuar nga të gjitha anët, nuk bëri rezistencë dhe iu dorëzua autoriteteve pa zhurmë. Pas kontrollit, 43-vjeçarit, i cili ishte në kërkim në kuadër të dosjes “Metamorfoza” si porositës dhe organizator i disa vrasjeve dhe tentativave për vrasje, nuk iu gjet asgjë e paligjshme.

Lokalizimi i tij mësohet se është bërë nga autoritetet shqiptare, të cilat prej kohësh kanë një oficer në Paris enkas për këtë punë, lokalizimin e shqiptarëve në kërkim dhe mbajtjen në kohë reale të komunikimeve me policinë atje. Ironikisht, Franca, vendi që kishte zgjedhur për t'u fshehur, ndihmoi në zbardhjen e komunikimeve të SkyECC, që zbërthyen krimet monstruoze të fisit Bajri, grupit të Ervis Martinajt, prokurorit Xhevahir Lita dhe ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri.

Behar Bajri pritet të ekstradohet në muajt në vijim në Tiranë, edhe pse me shumë mundësi do të tentoj të kundërshtoj vendimin në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Shqipëria nuk ka një marrëveshje të nënshkruar ekstradimi me Francën, megjithatë, siç është bërë traditë, tentativa do të bëhet përmes shfrytëzimit të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për të bindur gjykatat atje. Dosja do të përpilohet e plotë dhe përmes Ministrisë së Drejtësisë do t’u vihet në dispozicion autoriteteve franceze.

Behar Bajri në dosjen “Metamorfoza” akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogarit të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit. Të gjitha këto ngjarje, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se mori 30 mijë euro për këtë nder.