TIRANË- Prokuroria e Posaçme lexoi këtë të enjte konkluzionet për 7 të pandehurit e dosjes “Metamorfoza” lidhur me gjykimin e ndarë veç, për sigurim të kushteve për vrasje, korrupsion, nxjerrje të sekretit hetimor, shpërdorim detyre dhe përkrahje të autorit të krimit. Në total, prokurorët e posaçëm Bledar Maksuti dhe Arben Kraja kërkuan 74 vite burg përkatësisht për:

15 vjet burg për Behar Brahoviç Bajri, 14 vjet për biznesmenin Pëllumb Gjoka, 11 vjet Edmond Preka snë akuzë për sigurimin e kushteve për të kryer vrasje ndaj Kleanthi Musabelliu dhe Dorian Duli, armëmbajtje pa leje, grup kriminal dhe korrupsion.

SPAK kërkoin 10 vjet burg për Astmer Bilali, 10 vjet, në akuzë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje ndaj Dorian Duli, Genc Tafili dhe Ibrahim Lici.

9 vjet burg për ish-shefin e operacionales së Tiranës, Oltion Bistri, për korrupsion, zbulim i akteve sekrete në dy raste dhe pastrim parash.  9 vjet burg për ish-efektivin, Ardrit Hasanbegaj dhe 6 vjet burg kërkon SPAK për prokurorin e Kukësit Xhevahir Lita, për zbulimin e akteve sekrete dhe korrupsion në dy raste. 

Nëse gjykata pranon këtë pretencë të Prokurorisë së Posaçme, të pandehurit do të përfitonin zbritjen me 1/3 e dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. SPAK kërkon të konfiskohet shuma 1 milion e 300 mijë euro e sekuestruar nga pasuritë e Oltion Bistrit

 Episodet për të cilat kërkohet dënimi, për ish-kryeprokurorin e Kukësit Xhevahir Lita, SPAK thotë se në këmbim të parave ka favorizuar në lirimin para kohe të Behar Bajrit.

Ndërsa ish-shefi i forcave operacionale Oltion Bistri dyshohet se informoi Pëllumb Gjokën për një operacion policor për goditjen e lojërave të paligjshme të fatit.

Gjithashtu SPAK bën përgjegjës Astmer Bilalin, Behar Bajrin, Pëllumb Gjokën e Edmond Prekën për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes se Dorian Dulit, Ibrahim Licit dhe Kleanthi Musabelliut. Ndërkohë për veprat e rënda penale dhe porositë për vrasje në aplikacionin “SKY ECC”, disa prej këtyre personave do të gjykohen me procedurë të zakonshme. Këtë të enjte ishte parashikuar të zhvillohej një tjetër seancë për këtë dosje, por u shty për mungesë avokatësh.

Pretenca e SPAK dhe akuzat
TABELA: 
- Pëllumb Gjoka, 14 vite burg, akuzuar për sigurim kushtesh e mjete materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasve Kleanthi Musabelliu dhe Dorian Duli, armëmbajtje pa leje, grup kriminal dhe korrupsion
- Behar Brahoviç (Bajri), 15 vjet, i akuzuar për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Kleanthi Musabelliut dhe Dorian Dulit, armëmbajtje pa leje dhe dhe grup kriminal
- Edmond Preka, 11 vjet, i akuzuar për sigurim kushtesh për të kryer vrasjen në dëm të Kleanthi Musabelliut, armëmbajtje pa leje dhe grup kriminal
- Astmer Bilali, 10 vjet, i akuzuar për pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje në dëm të shtetasve Dorian Duli, Genc Tafili dhe Ibrahim Lici
- Ardrit Hasanbegaj, 9 vjet i akuzuar sigurim kushtesh për të vrarë Ibrahim Licin, pjesmarrje në grup të strukturuar kriminal
- Xhevahir Lita, 6 vjet, i akuzuar për zbulim i akteve sekrete dhe korrupsion në dy raste
- Oltion Bistri, 9 vjet, i akuzuar për korrupsion, zbulim i akteve sekrete në dy raste dhe pastrim parash