Metatekstet shqyrtimore të
Kujtim Shalës, autor i 33 librave

Metatekstet shqyrtimore të<br />Kujtim Shalës, autor i 33 librave
Kujtim M. Shala, marrëdhënien me letërsinë, e përçon në një situim të trefishtë, si poet, pedagog i Universitetit të Prishtinës, e mbi të gjitha shpërfaqet studiuesi i verifikimit të letrave shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësinore. Gjer më tash, është autori i 33 librave, nga të cilët 7 janë tekste letrare dhe, 26 janë libra studimorë, që kanë marrë në analizë shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Me Shalën, në marrëdhënie me letërsinë, jemi në tipologjinë e bashkëshkrimit letrar dhe studimor, që përveçon si model dhe përvojë shkrimi.

Bashkëshkrimi, i kreatives me shqyrtimoren, gjellin në pjesën më të madhe të autorëve të trojeve etnike dhe të diasporës, ku madje bëjnë pjesë Camaj, Pipa, dhe pjesa më e madhe e autorëve të Prishtinës. Në lamin e studimeve letrare, përgjithësisht përftohen tiparet e udhëtimit të pazakontë të studiuesit, të ndërlidhjes së shkrimit të librave, për shumë autorë, të pranishëm dhe të munguar të letrave shqipe, si dhe të hapësirave dhe kohëve të ndryshme.

Marrëdhënia me autorët, pavarësisht kohës dhe hapësirës, modelit dhe zhanrit, është unike, sepse në të gjitha rastet është marrëdhënie me tekstet letrare, si frymë dhe strukturë, prani dhe shenjëzim, kryesisht kundruar në optikën semiotike, të hapësirës së parrokshme intertekstuale. Me këto tekste, që përqëndrohen vetëm te hapësira tekstologjike, të shtrira në kohë dhe tipologji shkrimi, tashmë autori ka skicuar një dukuri të përveçme, pra edhe të dallueshme nga shqyrtimet e mëparshme.


Po kaq, leximet dhe shqyrtimet e autorit, për dukuri dhe tekste letrare të letërsisë shqipe, përfaqësojnë edhe një stad tjetër të interpretimit të letrares, në shkencën e letërsisë shqipe, madje duke zgjeruar dhe përplotësuar platformën e parashtruar më herët nga Ibrahim Rugova.

Grupi i librave diskursivë: Shenjat e tekstit, Lasgushi i përjetshëm, 1999; Poezia e Bilal Xhaferit, 2001; Shënimet e Fishtës, VOX i Anton Pashkut, 2002; Kujtesa e tekstit, 2003; Fishta përballë Fishtës, 2004; Vepra e Vetmisë, Miniatura, Pro/Classica, 2005; Shekulli i letërsisë shqipe dhe Kuteli i pa/zbuluar, të vitit 2006,- të libra të tjerë, Rugova meditans, si dhe disa tekste të tjera të kohëve të fundit, e zbulojnë të plotë përmasën studimore, ku përbashkohen studiuesi unik, që njëkohshëm me librat e vetë, shtron binarët e një marrëdhënie të tjetërfarëshme me letërsinë si tekst dhe structure, me gjasë si qarqe të mbyllura të secilës përvojë të shkrimtarëve, duke patur gjithnjë në qendër tekstin.

Uniciteti i qasjeve të Shalës, lidhet: - Me ndërfutjen e verifikimit semiotik në interpretimin e letrave shqipe, të shumicës së autorëve/të teksteve, duke dëshmuar mbi të gjitha njohje të thellë të semiotikës. - Në shkrirjen e përvojës së verifikimit semiotik/shenjues të letrares, të autorëve dhe teksteve të tyre, me strukturën e monografisë letrare, që ka sjellë me anë të ligjëratave të mbyllura, shpesh përmes një hermetike të përmbyllur, pranë lexuesit secilën përvojë shkrimi. - Në sipërmarrjen unike studimore për ta trajtuar në të gjitha dimensionet shkrimore një autor,pra në të gjithë hapësirën e teksteve, me kahje të shenjimit të vlerave që përçon.

- Në thurjen e studimeve, sidomos për tekstet letrare, përmes zbulesave autoriale dhe citimeve të autorëve të huaj, si një pranëvënie e mirëmenduar për të ofruar secilën nga përvojat letrare që ka vënë në fokus të ligjëratave semiotike, që sjellin letërsinë shqipe në një pamje tjetër të receptimit të vlerave që ajo bart. Tiparet e parashtrimeve të autorit, si metatekste kritike dhe studimore, gjithn jë në nivel semiotik, përcjellur si verifikim monografik, shqiptohet në të gjitha librat e botuara, duke krijuar një model të vetin të komunikimit.

Problematika që bart, hapësira e kaq shumë teksteve studimore të Shalës, do të kërkonte kohë, thellime në profilizimin në rrafshet e semiotikës. Megjithatë, ndalesa më e detajuar do të jetë mbi dy librat e autorit, që kanë vënë në qendër krijimtarinë e Mitrush Kutelit (Dhimitër Paskos). Në harkun kohor, 2003-2006, Shala i kushton dy libra veprës së tij. Libri i parë është ndarë në tri pjesë: Kujtesa e tekstit – trajton teorikisht dhe provon dialogun ndërmjet teksteve në prani arkitekstual, intertekstual, hipertekstual; kujtesa narrative – shqyrton procedurat ndër/narrative, dialogu ndërtekstor në nivel rrëfimi; metakujtesa – ndërtohet mbi shkrimet kritike të Kutelit... (2003:8).

Me vlerë të veçantë janë pohimet studimore mbi llojet letrare: Rrëfimet janë referenciale me jetën reale/mimetike. Rrëfenjat – me oralitetin, me kodet fantastike. Realisht, që të dy këto farë shkrimi, te Kuteli, dalin me strukturë tregimi e novele, (2003:29). Një prurje më vete sa i përket llojeve të prozës është pohimi: Derisa, Ritregimi s’ka status zhanri, por status procesi transnarrativ; një mundësi manifestimi e rrëfimit origjinar në tekstin/zhanrin tjetër.

Domethënë, ky proces zhvillohet ndërmjet dy hapësirave narrative (njëra intekstore; tjetra tekstore), (2003:41). Në qëndrimin që mban ndaj tekstit mbi Ilirinë e Poshtme, shfaqet një konluzion i beftë: Mirëpo, çështja e prozës “Në një cep të Ilirisë së Poshtme qëndron ndryshe”. Ajo nuk është mbyllur as si një variant. Në shikim të parë, është një projekt i pambaruar. Në këtë pikë kemi një paralele ndërmjet këtij teksti e Dr. Gjilpërës... së Faik Konicës, (2003: 44), që heq një paralele me interes ndërmjet teksteve të dy autorëve.

Në rastin e novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, në mes të tjerash, shkruan: Do të ishte ky një relacion hipertekstualiteti i kontestueshëm, jotipik, meqë hiperteksti nuk pranon të jetë një regjistrim i hipotekstit, qoftë edhe hipotekst oral. (2993:56), madje duke u shprehur, në mënyrë të qartë: Invarianti dhe varianti i tekstit të Kutelit përballen përbrenda personazhit, Tat Tanushi. (2003:58), e cila në hapësirat e shqyrtimit të Shalës, rimerret si një përfundim logjik: Në novelën e Kutelit, rrëfimtari rrëfen për ç’dëgjon (nga një rrëfimtar tjetër, në relacion me të – Primar, derisa vetë është Sekondar). Pra, simbas interpretimit të autorit, kemi: dëshmi në Zbulesë e rrëfim në “E madhe është gjëma e mëkatit...” (2003:61).

Në trajtesën Kuteli i Pa/zbuluar, botuar në 2006, qysh në krye të shqyrtimit, nënvizon: Vetë titulli do të theksojë tekstin e hapur, tekstin që çdo herë zbulohet ndryshe, për të qenë përherë i ri. Po ashtu, thekson kërkimin e hapur, metadiskursi i ngjan diskursit. Kuteli i pa/zbuluar është Kuteli i varianteve të leximit, (2006:7), si një përfundim me interes për përvojat e leximit. Përsëri ndalet dhe përqendrohet te novela “E madhe është gjëma e mëkatit”, me përfundimin mbi origjinën: Në fusnotë të po këtij parateksti, Kuteli shpall ta ketë shkruar tekstin (...) pas dy legjendash të dëgjuara në Pogradec. (2006:12), kur edhe sqaron idenë e parateksteve: Tat Tanushi... është prozë e dashurisë dhe e njohjes me Zotin.

Dashuria e lidh heroin me jetën; përkushtimi për Zotin – me përjetësinë. Kodi tematik themelor, kryetema e Tat Tanushit... është dashuria për Njeriun e për Zotin. Teksti kërkon balancim ndërmjet këtyre dy përkushtimeve. Rruga për te Zoti është dashuria për Njeriun, por pa e mënjanuar përkushtimin. (2006:15), ose qëmtimi i paratekstit të novelës, kryesisht në origjinën biblike: Këtë histori e mbulon morali biblik, e përmbyt në strukturën e fiksionit, e fsheh përfundimisht kur shkruan prozën e farës fantastike. (2006:19), gjë që përforcohet shumë më tepër kur shprehet: Dashuria e Tatës për Kalijen është ekuivalent i dashurisë i Këngës së Këngëve, duke e parë këtë përtej leximeve doktrinare.

Vargjet nga ajo hyjnë në gojën e personazheve të Kutelit, bëhen ligjërimi i tyre dhe provë për dashurinë që kanë. Teksti i Kutelit komunikon me tekstin e Këngës së këngëve. Ndërsa, në relacion me Zbulesën më shumë bën të vetën frymën/moralin e saj. Dashuria për Kalijen është e pashoqe/e shenjtë, siç është e tillë dashuria që këndon Kënga e këngëve. (2006:21), ku thellohen argumentet rreth formatit letrar që përfaqëson teksti i novelës së Kutelit.

Problematizimi i veprës letrare të dhjetëra autorëve, kryesisht të letrave shqipe, përmes verifikimit semiotik/shenjeus, tekstual/intertekstual, gjithnjë duke nxjerrë në pah prurjet e secilit autor, madje duke mos u marrë me mungimet e tyre, shpesh herë në përqasje me arritjet letrare dhe teorike të përbotshme, vepra e gjerë studimore e Shalës, shënon një cak tjetër, me shuma gjasa një stad të ri të studimeve letrare në gjuhën shqipe: Së pari: Përfundimisht letrat shqipe, secila përvojë e shkrimit letrar, pavarësisht kohës dhe hapësirës, modelit dhe zhanrit letrar të lëvruar nga autorët, trajtohet si tekst dhe shenjë letrare.

Së dyti: Me librat e shumtë studimor, ndërkaq sugjerohet dhe plasohet rruga e gjatë, por e sigurtë e njohjes së çdo autori/veprës letrare, me shenjëzimet kulmore letrare, si verifikim i pastër tekstologjik, që ndërkohë parapërgadit projektin e historisë së letërsisë shqipe, si gjurmë e vlerave letrare. Së treti: Rivlerësim i faktologjisë letrare, varësisht teksteve dhe konteksteve, gjithkohore dhe gjithhapësinore, duke u përqëndruar më së shumti te hapësira tekstologjike, e fillesave të letrave shqipe, duke ardhur deri te lavrimi modern dhe postmodern.

Në shtjellimin e shenjës tekstologjike, me tekstet e Shalës, studimet letrare, kanë gjetuar mjeshtrin, e ta mendosh se është në mesin e moshës, ajo që ka bërë është një cak i ri në studimet letrare, e po kaq pritshmëria është edhe më e madhe, tashmë në leximin e kodifikuar tekstologjik të letrave shqipe.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Gusht 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës

Kutitë e para, Vangjel Tavo thellon diferencën me 971 vota kundrejt 619 të Gjikurisës