Michel Platini ka rikthyer edhe një herë debatin rreth përdorimit të sistemit Video Assistant Referee (VAR), duke kërkuar ndryshime të mëdha në mënyrën se si zbatohet teknologjia në futboll.

Ish-presidenti i UEFA-s dhe tre herë fituesi i 'Topit të Artë' kritikoi përdorimin e gjerë të VAR-it gjatë një interviste në emisionin 'After Foot' të RMC Sport, duke theksuar se teknologjia po ndryshon thelbin e rregullave të lojës.

Sipas legjendës franceze, VAR-i duhet të përdoret vetëm në raste shumë specifike, veçanërisht për verifikimin e pozicioneve jashtë loje.

“Nëse do të isha në pozicionin e FIFA, por nuk jam, do ta përdorja VAR-in vetëm për linjat dhe për pozicionet jashtë loje, në situata kur është jashtëzakonisht e vështirë që gjyqtari ta shohë qartë rastin”, deklaroi Platini.

Ai u shpreh veçanërisht kritik për ndërhyrjet e VAR-it në rastet e topit me dorë, duke argumentuar se vendime të tilla janë shpesh subjektive dhe po detyrojnë ndryshime të panevojshme në rregullat e arbitrimit.

“Jam i lodhur nga ndërhyrja e VAR-it në situatat e topit me dorë. Një top me dorë mund të jetë i qëllimshëm ose i paqëllimshëm. Ata po ndryshojnë të gjitha rregullat e arbitrimit vetëm për t’i përshtatur me VAR-in”, përfundoi ish-presidenti i UEFA-s.