Pak ditë para se të vizitojë sërish Tiranën, Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule ironizoi qeverinë Berisha, duke e konsideruar “kreative” gjetjen e retorikës nacionaliste e duke shtruar pyetjen retorike nësë një gjë e tillë gjen mishërim në vlerat euro-atlantike.

Qëndrimi i Komisionerit është në të njëjtën gjatësi vale me Konkuzionet e Këshillit të BE-së të Dhjetorit 2012 dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat në rrugë zyrtare e publike kanë bërë të qartë pikëpamjen e tyre mbi këtë çështje. Vetëm para pak javësh Shqipërinë e vizitoi Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i cili me autoritetin e vendit më të fuqishëm të Europës, përforcoi qëndrimin ndërkombëtar duke kërkuar nga Shqipëria reforma transformuese që garantojnë rrugëtimin euro-atlantik, në vend të retorikës zjarrvënëse nacionaliste.

Pyetja që kërkon përgjigje është se ku bazohet kjo qasje e befte nacionaliste para-zgjedhore, kur dihet se politika e jashtme rajonale e Shqipërisë është përshendetur në jo pak raste për konstruktivitetin e saj.

Në rrafshin historik kjo qasje nuk gjen mbështetje pasi ekzistenca dhe përparimi i kombit shqiptar është i lidhur ngushtë me mbështetjen e fuqive të mëdha. Shqipëria lindi si shtet për shkak të përputhjes së ndërhyrjes së superfuqisë Amerikane në Europë. Shembja e regjimit komunist, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, aderimi i Shqipërisë në NATO dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës - të gjitha këto ngjarje me mbështetjen e perëndimit – kanë krijuar një realitet të ri gjeopolitik në rajon dhe një situatë më të favorshme të kombit Shqiptar. Kësisoj, retorika e helmatisur nacionaliste është kundërproduktive dhe vetdëmton kredencialet e Shqipërisë në rajon.

Në rrafshin rajonal “albanofobia” e Berishës përveç se ngjason, nga mënyra sesi prezantohet, me tezat e viktimologjisë serbe, nuk gjen mbështetje ndërkombëtare, sepse çdo destabilizim i hapësirës trekëndore Shqipëri-Kosovë-Maqedoni Perëndimore, mund të shoqërohet me një shpërbërje të pakontrolluar të Bosnje Hercegovinës dhe çimentimin e përpjekjeve për krjimin e një identiteti të veçantë Maqedonas, çka do të minonte themelet ekzistuese të shtetit Maqedon.

Le të mos harrojmë se me aderimin e pritshmëm të Kroacisë në BE më 1 Korrik 2013, kufiri i BE-së me Ballkanin Perëndimor zhvendoset në drejtim të Bosnje Hecegovinës. Rrjedhimisht, çdo situatë tensioni në hapësirën e Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja për vetë Vendet Anëtare të BE-së. Po kështu, me aderimin e pritshëm të Kroacisë në BE, stabiliteti dhe demokratizimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë ankorimi i tij në BE, do të varet në masë të konsiderueshme nga niveli dhe cilësia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Ndaj, kjo marrëdhënie nuk duhet karakterizuar si një marrëdhënie urrejtje e dashurie.

Në rast se nuk do të frenoheshin njëzëri nga komuniteti ndërkombëtar dhe aktorët e përgjegjshëm politik, çapitjet nacionaliste do të pështjellonin edhe dialogun Prishtinë-Beograd që po zhvillohet nën patronazhin e BE dhe me mbështetjen e SHBA, që pritet jo veç të normalizojë marrëdhëniet bilaterale, por edhe të qartësojë perspektivën Europiane të Serbisë dhe Kosovës, respektivisht me fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Përderisa në rrafshin historik, gjeopolitik dhe rajonal tezat nacionaliste të Berishës nuk rezonojnë me vlerat euro-atlantike, jemi në kushtet e përdorimit të politikës së jashtme në funksion të interesave të politikës së brendshme. Thënë ndryshe, jemi para një “kreativiteti destruktiv” që tenton të mbulojë dështimet e reformave të brendshme dhe stanjacionin në procesin e integrimit Europian, në këtë prag ballafaqimi zgjedhor.

I ndriçuari Ëalter Lippmann thoshte një herë e një kohë se, “politika e jashtme kërkon gjetjen e një balance të drejtë mes angazhimeve të shtetit dhe pushtetit, duke e mbajtur këtë të fundit sa më shumë nën kontroll”. Me pak fjalë, politika e jashtme e një vendi të vogël si Shqipëria duhet të reflektojë zhvillimet dhe prioritetet e politikës kombëtare dhe një përputhshmëri sa më të mirë me qëndrimet dhe vlerat e partnerëve strategjik. Kjo nuk do të thotë se çështja shqiptare është e mbyllur dhe për të nuk ka nevojë të punohet.

Përkundrazi, çështja shqiptare do të duhet të përbëjë aksin kryesor të kursit konstruktiv të politikës së jashtme në rajon. Aq më tepër që shekulli i njëzet e një e gjen Shqipërinë anëtare të NATO-s dhe Kosovën të pavarur. Por suksesi i këtij kursi varet nga cilësia dhe funksionaliteti i shtetit shqiptar, dhe jo nga çjerrjet nacionaliste që shfaqen si kërcënim për stabilitetin demokratik në rajon. Një Shqipëri më demokratike dhe Europiane nuk është e mundur përmes fabrikimit të tezave për të ashtuquajturën “albanofobi”, por përmes procesit të reformave transformuese që përmirësojnë cilësinë e shtetit të së drejtës dhe mirëqenien e qytetarëve.

Është koha që të përqedrohemi tek mekanizmi i kompromisit që do të prodhonte reformat e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, për të fashitur tezën famëkeqe sipas së cilës, aty ku shqiptarët dominojnë, procesi i integrimit Europian është në stanjacion. Pasi ky proces ka një rëndësi të trefishtë, si: çështje e vlerësimit politik, sepse lidhet me kredon politike dhe imazhin e vendit, duke ravijëzuar një perspektive më konkrete për aderimin në BE; (ii) çështje e vlerave dhe përkatësisë sonë Euro-atlanike, sepse lidhet me modelin e jetës publike që duam të ndërtojmë, e në të njëjtën kohë si sinjal inkurajues për shqiptarët që jetojnë në trojet etnike, se reformat shpërblehen; (iii) çështje e agjendës zhvillimore të vendit, e cila do ta zhvendoste "menynë” e BE-së me Shqipërinë në fushat që kanë ndikim të dukshëm në transformimin dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit, mbështetur në ciklin buxhetor të BE-së 2014-2020.

 

Shkrimi u publikua sot në revistën JAVA

(sg/shqiptarja.com)