Miftar Spahija:Nacionalizmi luftën
e humbi,komunizmi po ban kërdinë

Miftar Spahija:Nacionalizmi luftën<br />e humbi,komunizmi po ban kërdinë<br>
(Letër Mustafa Krujës) Letra e 27 prillit 1953: Kombi shqiptár sot âsht mbrenda rrezikut. Kali i Trojës, i veshun në Kremlin  me petkat e  komunizmit, i ká ngulë kambët në ranishtë të Durrësit, në breg t’Adriatikut. Se ç’punë âsht tue bâ komunizmi në vend t’onë, gjithkush e din

Në letërkëmbimin e gjatë të Mustafa Krujës publikuar tashmë në 5 vëllime gjenden edhe një varg letrash këmbyer mes tij dhe Miftar Spahisë, një prej antikomunistëve të betuar që gjatë viteve të Luftës, i ngazhuar më tej me forcat e Muharrem Bajraktarit duke përjetuar ndjekjen e forcave të sigurimit edhe në vitet e pas Luftës, deri në shtator 1946, kur edhe u arratis përgjithmonë nga Shqipëria. Ndërkohë që familja e tij si mijëra familje të tjera të të arratisurve dhe të kundërshtarëve të regjimti po përjetonte vuajtjet ekstreme kampeve të internimit, Miftar Spahija jetonte një jetë të trazuar në mërgim.

Në letërkëmbimin e tij me Mustafa Krujën ai i shfaq herë pas here trazimet e tij shpirtërore për fatin e dhimbshëm të atdheut që po përjetonte dhunën komuniste. Ja çfarë shkruante ai në letrën e tij të 27 prillit 1953, botuar në vëllimin 5 të letërkëmbimti të Mustafa Krujës “Kuvend letrash me miqtë”:

Romë, 27 prill 1953

I dashtuni Z. Mustafa Kruja,

Kurë erdhi prej Misiri, z.Abaz Kupi më dorëzoi 20 copë libra “Abetari i të Mërguemit”, të cilët simbas porosís së juej i shpërdava ndër ata njerz qi m’u duk se mund të tregojshin njifarë interesi për me i këndue. Kët barrë e kreva me kënaqsí, sidomos kur më ngarkohet prej njíj njeriu si Ju. Por vetëm ju lypí ndjesë qi s’jam përgjegjë deri tash: kam dashtë mâ përpara me e këndue librin e mandej me ju shkrue.

Librin e këndova e bile me kënaqsí të madhe Ju paraqes përgzimet e mija  mâ të përzêmërta për përpjekjet e pákëputuna qi bani me vû nji gúr në ndërtesën e gjuhës  s’onë. Nji njerí, qi gjurmon për me dijtë e  me kultivue gjuhën e historín e kombit të vet, ká të drejtë të plotë me  thanë se don edhe kombin vetë.

Unë kujtoj se, nji ndër shkaqet e  pánjehuna të tragjedís së sotshme nëpër të cilën  âsht tue u përshkue populli i ynë, âsht edhe pánjoftja e shtiellimit të historís s’onë; prandej unë thom se âsht e domosdoshme me kultivue e me njoftë gjuhën edhe historín e kombit t’onë, e nëpërmjet këtyne me mundë me gjetë e me  rrokë qensín “pse e  si jeton e gjallnon kombi shqiptár”. E përnjimend âsht nji gjâ e çuditëshme e bile mund të thomi e mrekullueshme qi ky popull i vogël shqiptár – tue u gjetë ballabas me kulturën helene më nji anë, me fuqín ushtarake të Romës më tjetrën, e mandej me egërsín  sllave - mundi me gjarpnue e me rrëshqitë nëpër tymnajën e moteve e me ruejtë farën e fisit të vet, ndërsá kombe tjera, qi prej synit e fuqís së Romës ishin shum mâ  larg se na, u përgjasuen  edhe humbën karakteristikat e   para të  fisit e të gjakut të tyne e s’kemi të drejtë na shqiptarët me u krenue e me u mburrë për kët fakt historik,  për kët mrekullí? Po: por mohuesat e kombit – qi dashtunín për vend të vet nuk e kanë as me anë instinktit t’autokonservacionit të fisit, as me anë  të njoftjes  së historís  - mbiellin e shartojnë veç zí: ata thonë se kombi shqiptár nuk ká  titull  të drejtë  me ruejtë fizionomín kombtare të veten, prândej duhet shkrî në kazanin e njíj populli të madh; kët gjâ, edhe në mos e thoshin me gojë, praktikisht e zbatojnë e bile me kryeneçsí  të marrë; a s’kemi të drejtë me i quejtë mohuesa të kombit?

Kombi shqiptár sot âsht mbrenda rrezikut. Kali i Trojës, i veshun në Kremlin  me petkat e  komunizmit, i ká ngulë kambët në ranishtë të Durrësit, në breg t’Adriatikut. Se ç’punë âsht tue bâ komunizmi në vend t’onë, gjithkush e din.

Na tjerët, qi kemi ikë prej komunizmit e jemi strukë në dhéna të huej për  me shpëtue s’pari kryet e mandej me mundë me shembë  e dërmue regjimin komunist, a thue jemi  tue  e krye detyrën qi na përket? Jo. Të këthyemen shpinën Atdheut, po më duket se harruem pse ikëm e prej kujt ikëm.

Nacionalizmi luftën e humbi, por të paktën s’duhet me vrugitë nderin. Po më bjen n’mend nji letër qi François i Parë - mbasi u mund në Paví prej Karlit të Pestë - i dërgon Nanës së vet ku i thotë “kam humbë gjithashka përveç nderit”. Por na nacionalistat kemi rá shum poshtë; po më duket se do të shkrihemi prej kombustianit të mbrendshëm, ashtû si shpreson edhe lutet komunizmi për shoqnín kapitaliste qi të grryhet prej konkurrencës së mbrendëshme e të digjet kadalë derisá të bâhet hî.

Jemi mbërthye e ngërthye me njeni tjetrin se kush do të ketë epërsín, pse Shqipnija e jonë mjerisht coftinë âsht bâ. Na i ká verbue Zoti syt e s’shohim përtej hundet. Don Kishotat kanë nxierrë shpatat e luftojnë me mullîj t’erës e me tufët e qeta të dhenëve dhe harrojnë se ujqit janë në Shqipní e jo këtû përjashta. Ky kuadër i vajtueshëm e i turpshëm i dasís e i grindjes s’emigracionit shqiptár shtjeu popullin shqiptár mos me pasë besim as n’idealin as në përpjekjet reale t’onat dhe me të drejtë mund të na quejë të shfisnuem. S’ká njerí qi s’i âsht rritë mendja në kët emigracion: dikush sheh andrra në diell me u bâ kështû, tjetri ashtû. Kurë të vrejshë, ké me u gjetë para njij turme të marrësh qi s’don çka don e çka ban.

Në vend qi të bashkohemi në luftën e përbashktë kundër armikut qi duhet të jetë i përbashktë e t’ecim krahas me njeni tjetrin nën udhëheqjen e Mbretit qi realisht ká autoritetin politik e moral në popullin t’onë si edhe zotsin e zgjuetsin në ndërmarrje këso dore për me lirue Atdheun nga anmiku komunist, s’bajmë tjetër veç grindemi e diskreditohemi. Veç bashkimi mundet me na forcue e me na nderue. Veç bashkimi mundet me u shtí besim m’né atyne qi kanë mundësit me na ndihmue në kët ndërmarrje titanike për shembjen e komunizmit. Ndryshe jemi të humbun e me marre.

Atdheu i dërmuem qi ká kapërcye nëpër tallazin e pushtimeve të hueja; si lëvirun prej njij lufte të përgjakshme ku vllau vritete të vllán, ku djali babën; i robnuem e i shtypun tash nandë vjet të gjata prej njij grushti të shitunsh qi bredhin me trekambësh në shpinë e me litar për dore për me u shtí dridhmën shqiptarëve; ky Atdhe qi ká 6000 djelm të vetët nën armë, 20 a 30 mij të burguem e t’internuem, 2000 tjerë djelm e vajza qi punojnë veç në hidrocentral mbi lumin Mat;

ku s’ké shpi qi s’â veshë në zí, ku s’ke zemër qi s’rriedh gjak, ku s’ké sy qi nuk loton, me bark t’untë, trup të vdekun e të ndathun, e përmbi të gjitha tue jetue gjithmonë nën ankthin e frigës e të terorit – ky Atdhé lypë bashkim. Avulli i gjakut të dëshmorëve qi kalben nën dheun e  zí, fshâmët e lotët e atyne martirëve qi shterren kadalë nëpër birucat e errta të komunizmit e t’atyne qi shkrîhen nëpër baltnat e kanaleve të nêmuna na thrrasin me i a dhanë dorën shoqi-sho’it e si vllazën me u bashkue në luftë kundër komunizmit gjakpís. Kjo âsht rruga e nderit e e detyrës së shqiptarëve qi enden tue lypë strehë nëpër dhena të huej.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë