Ai shprehet kritik ndaj shumë elementëve që i ndërmorën nismat për të luftuar komunizmin, por dështuan njëri pas tjetrit. Spahija vë theksin se ata që dikur thonin se i shporrim komunistët brenda një dite sot po e kuptojnë se regjimi ka shtri rrënjët e po shënon një prej tragjedive më të rënda mbi popullin shqiptar. Më poshtë e sjellim të plotë këtë letër të Miftar Spahisë dërguar Mustafa Krujës me 23 maj 1956, shkëputur nga vëllimi V i “Kuvend letrash me miqtë”.
Roça di Papa, 23 maj 1956.
I dashtuni mik, Zotní Mustafa Kruja,
E kam marrë letrën e juej të datës 9 maj. Shkrue me mênd e me afsh zemre, më ka prekë e më ka ba me mendue shumë. Asht krejt e vërtetë, sikur thoni ju, se “Shqipnija ka ekzistue nëpër ândërrat e pak idealistëvet” ; shumica e sotshme, mjerisht, nuk asht tue u sjellë ashtu si i ka hije momentit historik nëpër të cilin jemi tue u përshkue ; me egoizëm e ambicje të pa vend nuk i shërbehet popullit shqiptar, as Shqipnís ; shumkush ka kujtue, si në Shqipní ashtu edhe këtu përjashta nëpër rrugët e botës, se vetëm ai me nji zâ kushtrimi lshue maje shkrepi, mundet me mbledhë turmat shqiptare e me i hjedhë në tallazin e luftës për me përzanë “këta lepurakë komunista”.
E përfundimi qe shumë i idhët, ashtu sikurse e pamë të gjithë: nji tragjedì e përgjakshme qi asht tue e dridhë kombin fizikisht e moralisht prej majës së krés e në fund të themravet. Ata qi menduen në këtë mënyrë, në thellësinë e mshehtë të truvet të dalldisun, ruejshin egoizmin e tërbuem me rrokë pushtetin shtetnuer vetëm, pa ortakë ; kujtojshin se Shqipnija ishte nji dugajë. Kur erdh momenti me u matë në fushë të mejdanit, u pa se ç’humnerë e thellë e e pakapërcyeshme ekzistonte midis atyne qi i shikojshin punët e gjanat nën kandin e personës e t’atyne qi besojshin në fuqìn e turmavet.
Kohët kishin ba shndërrime të thella edhe në zemër e mende të popullit shqiptar, por ata hala jetojshin n’epokën homerike me i çue turmat me nji zâ kushtrimi ; por turmat shqiptare s’dashtën e as nuk u çuen për hatër të personavet ; pëlqyen ma tepër me i shkue mbrapa njì ideje, njì ideali edhe pse të rrejshëm, edhe pse të përgjakshëm, se sa me ba interesin e njì njeriut të vetëm qi njenit e tjetrit i thonte në vesh mbas ndoj shkurre se “kur të mbarojë lufta tý kam me të ba kapidan”! Koha vesh në vesh kishte prendue nji herë e përgjithmonë, por hala ngulmojshin me e shtŷe para me zor.
Edhe shqiptari, megjithëse shumë mbrapa tjervet, ka nevojë për nji fjalë qi t’i thohet ballafaqas e jo në vesh mbas gardhit, pse fjalvet mbas gardhit u vjen era konspiracion në dam të dikujt ; e bash kësaj metode të vjetrueme sundimi, shqiptari donte me i rá me shqelm pse ishte lodhë. U mashtrue populli i shkretë prej profetëvet të rrejshëm komunistë, por u mashtrue pse kishte etje për nji rrugë të ré, të hijshme qi t’a ngrinte prej balte e t’a konsideronte edhe ate si protagonist të fatit e të jetës së vet e jo veç si spektator ose si lypës qi shtrin dorën prej nevoje.
Kur erdh nandori i vjetit 1944, Shqipnija e bame tym e flakë ra në dorë t’atyne qi dikush-dikush thonte se “me m’u mbushë mendja i përzâ mbrenda njì dite”. Shtërgata e stuhishme komuniste na përplasi përtej malesh e detesh e hala sot, mbas ma shumë se dhjetë vjetësh, ruejmë veç kujtimin e atdheut me mall e mallëngjim të thellë. Në kohët e para, mbas mundjes, u duk sikur fatkeqsìt na kishin dhanë mësim për me e gjetë nji rrugë të përbashkët mendimi e përpjekjeje ; por kot! Ai gazmênd i âmbël u shqim porsi zjarmi i kashtës qi shpejt ndezet e shpejt fiket tue të lanë me mërdhifë edhe ma tepër se përpara.
Kur erdh vjeti 1949, atëhere kur disa dashamirë të huej menduen se me përpjekjen vigane të luftës kundër komunizmit duhet thurun edhe lufta e shqiptarvet, u sajue nji Komitet kombtar për nji Shqipnì të lirë. Zemrat e thjeshta të shqiptarvet u ndezën me nji shpresë të madhe ; ma s’mbrami mendohej edhe për ket Shqipnì të shkretë. S’shkoi shumë gjatë e ato shpresa u vyshkën pse i kishin ngulë kambët në themele të cekta. Ata qi në tymin e luftës në Shqipnì mendojshin me e ba vetëm Shqipnìn, pa ortakë, ata prap edhe këtu përjashta kcyen në skenën e kombit tue përvetue gjithshka vetë ; prap vazhduen atë metodë të vjetrueme vesh – më – vesh, prap vazhduen rrugën e gabueshme tue e konsiderue Shqipnìn si dugajë. Keni shumë të drejtë : “me krunde s’gatuhet bukë”.
Në nanduer të vjetit 1953, bash në ditën e 28 shit, shpallet nji Komitet i rì ma i gjanë se i pari ; shpallet nën shêjën e bashkimit të të gjitha forcavet shqiptare për me luftue komunizmin në Shqipnì. Edhe kët herë u ndezën shpresa të mëdhaja ; u mendue se nën hijen e këtij bashkimi t’urdhnuem do të baheshin punë shumë të mira. Prap nuk zgjati shumë e ato shpresa të mdhaja vdiqën para se me lé mirë. Komiteti u shndërrue në nji shtrofull intrigash të turpëshme e jo në nji asamblè ku të diskutoheshin, me mend në krye e zjarm në zemër, punët qi i takojnë Shqipnìs.
U biseduen gjana qi veç me i mendue të bajnë me u skuqë, me u marrue : “a mund t’a mbajë filani macen në Komitet apo jo’!”, ndërsa në Shqipnì nji miljon shqiptarë fshajnë e lotojnë pa prà, tue i drejtue sytë kah ky emigracion, për më lypë ndihmë e shpëtim nga kjo tragjedì qi po e përgjakë tash ma se dhjetë vjet, këtu përjashta luhen komedina të flliqta bash prej atyne qi pretendojnë se kanë tapì me përfaqsue interesat e popullit shqiptar !
Kjo komed’ nuk mund të zgjatëte ma, i kishte dalë krypa ; s’të bante ma me qeshë prej gzimi, por me qá me lot prej idhnimi. Edhe ky Komitet mbaroi më 28 prill 1956 ; mbaroi në mënyrë të pahijshme : “shkoni ka të doni”, kjo qe fjala e mbarimit. “Me krunde s’gatuhet bukë”.
Tash prap prej Amerike Hasan Dosti u ka çue nji fjalë shokvet të vet këtu në Romë se asht ngarkue me formue Komitetin e rì; ky Komitet do të ketë në fillim nja 5-6 vetë e ma vonë ndoshta mund të bahet ma i madh. Kur asht ngarkue me këtë kryesi kanë qenë pranë edhe Halim Begeja e Nuçi Kotta ; këta të dy do të jenë antarë ; për të tjerë nuk dihet ; përfolet se për dikan – dikan paskan vue veton dashamirët. Nuçi po ashtu paska deklarue se ai përfaqësueka Lëvizjen mbretnore ! Kaq u ka shkrue Dosti shokvet të vet këtu në Romë. Ma tepër nuk dijmë. Duem me urue qi të dalë mirë, po ku asht brumi !
Po ndalem me kaq tue ju urue shëndet e gjithë të mirat. Asllan Zeneli asht mirë e ju ban shumë të fala miqsore.
I yti
Miftar Spahija
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com