Migjeni,parathënia,gjuhë psikike e re 

Migjeni,parathënia,gjuhë psikike e re 
Gjuha përherë këndellet nga të epërmit e saj. Ne, të shënuar nga ajo si qenie përfytyruese, s’jemi të barabartë me atë, por dikush del nga gjiri jonë dhe gjuha, përkohësisht, s’është më e barabartë me ne, se ai e bën të vjetër gjuhën e deriatëhershme.

Lëvizshmëria krijuese e një pjese të mendimit e tejkalon rregullën, që mban të lidhur një përputhje të përkohshme.

Tekstet e të epërmve janë mbrujtur me frymën e gjuhës amtare, e cila ka një thelb të përhershëm psikik që është estetika e fjalës së etnisë, ndërsa estetika e artit të të epërmve s’është e ndërtuar vetëm me këtë frymë dhe, për këtë arsye në psikikë, gjatë leximit, shformohen pjesë të dijes të pranuar.
Kundërshtuese? Për shumë arsye rrjedhojëse, jo.

Estetika ka lirshmëri dhe kufiza brenda gjuhës amtare, se është vetë gjuhë brenda gjuhës, me gramatikë... të sajën, shpesh edhe më të vjetër se shumë gjuhë dhe, lidh me trysni joshëse, me një mënyrë të vetën, fije të pjesës së epërme të etnisë dhe ushqen me ambroz gjedhen e ardhëshme të gjuhës. Ndërsa vetë gjuha natyrale është estetika e parë e krijuar prej njeriut, por kanonet e saj estetike janë pak të njohura.

Të mëdhenjtë e letrave, – mundësitë e tejme të të shprehurit, - janë të tillë pikërisht për estetikën dhe janë përherë paraprijës të gjuhës që e pret përsosjen. Përsosja është botëvështrim i ri mbi kuptimin, me të njejtin thesar fjalësh dhe me të njejtin sistem rregullash gramatikore. 

Kur vjen një i epërm, brenda gjuhës diçka ndodh, prishet një drejtpeshim i vjetër për një drejtpeshim të ri, sepse është gjetur mekanizmi psikologjik që do vërë në lëvizje aftësinë e fjalëve për të folur nga një kënd tjetër. Fjalët gjithmonë kanë pamje të fshehura ose pamje rezervë për përdorim të mëvonëshëm. Gjuha e pret me durim të epërmin, që të përdoret prej tij për një pamje të re. Pas një kohe ajo e tret të të zgjedhurin, jo vetëm në fjalorin e saj, por edhe në psikologjinë e fjalës.
Themi: “Vepra e Migjenit” dhe sjellim në përfytyrim jo vetëm gjuhën e kohës së etnisë, që ka kallur brenda në tekst, por edhe diçka më tepër, detyrimisht më tepër, të cilën e nënvizojmë me adhurim si: “Gjuha e Migjenit”, e cila që kur lindi, u rradhit si gjuhë psikike e re në letrat shqip.

Pikërisht në këtë gjuhë psikike - të re, që e vjetëroi të shkruarit e bukur të deriatëhershëm, gjendet lënda e estetikës me të cilën u shpreh njeriu Millosh. Gjuha e tij u bë simbologjia moderne e gjuhës shqipe.

Fuqia shprehëse kushtëzohet nga fuqia e instinktit. Brenda njeriut Millosh instinkti kishte lindur i pashtypur. Edhe mbi jetën e tij të shkurtër s’kaloi asnjë barbar.
Migjeni ishte ndër ksomblat e rralla të njeriut natyror në shoqëri që patëm në shekullin e njëzetë. Ka gjasa (burojnë nga teksti), për këtë dhunti ishte i ndërgjegjshëm. Parathania e tij përballë parathanieve të të tjerëve është një provë për këtë ndërgjegjësim.

Migjeni me parathanien u fut në skutat më të errta të lexuesit më tradicionalist të kontinentit dhe i shkundulloi.

Estetika e tij me gjuhë psikike të re e errësoi shijen e deriatëhershme të pranuar dhe e këndelli gjuhën në përdorim dhe në përfytyrim.

Poshtë kujtesës krijuese gëlon kujtesa psikike, e cila e drejton përfytyrimin në hullinë e saj, ose psikika e lindur mbushet me kujtesën krijuese dhe merr trajtë me krijimin. Gjithësesi psikika është fillesa që e ushqen mjeshtërinë me të dhënat e parlindura të saj.

Në mënyrë më të thjeshtëzuar kështu ndodh edhe me lexuesin sqimatar. Ai bëhet bletë dhe e përzgjedh vetë përfytyrimin për të mbushur hojet e kujtesës psikike. 
Ajo që e trondit qenien është instinkti që shtypet. Kultura vetëm sa i jep një trajtë shoqërore insinktit, i cili kur e kundërshton trysninë me mënyrën estetike jep artin e madh. Arti i madh bëhet kujtesë dhe paradoksialisht zbut instiktet. Instinktet nxitëse janë në fjalës, sepse fjala e ka në bërthamë psikiken. Instiktet e lexuesit e gjejnë veten te i epërmi i cili përgatit një përmbysje mendore.

Migjeni na lexoi një tekst tonin, të cilin e kishim thadruar thellë në psikikë, por e kishim të pamundur t’i jepnim vetë trajtë artistike.

Ai i shtoi tekstit tonë mënyrën e të menduarit dhe të interpretuarit të tij me shumë thekse të rinj dhe të fuqishëm logjikë dhe ngashnjyes.

Fjalët kyç të tekstit i nxorri në rolin e simbolit. Simboli, që ai ndërton, është i qartë, por edhe turbullues. Qartësia dhe turbullimi artistik nuk i kundërvihen njëra – tjetrës, se janë në rolet e plotësit. Ato bashkëveprojnë nga nevoja e brendshme e teksit për t’i thirur në shërbim pjesët, mundësisht gjatë kohës (së dramës) së një leximi. Turbullimi buron nga teksti si frymë psiko - estetike, qartësia shpërfaqet si dritë logjike e fjalës dhe e linjave në tekst. Turbullimi artistik është veti e gjuhës së re psikike, që prish historinë e kuptimeve të para të fjalëve dhe me kuptimet e dyta ndërton kuptime të tjera të para të fjalëve. Mbi këtë hulli ai shkon te e ndaluara për t’i zbuluar thelbin bestyd. Ai i vjen në ndihmë qartësisë se e bashkon me nënshtresat e tekstit dhe shton vemendjen për thelbet e fshehura, gjithashtu merr nën mbikqyrje leximin, se ka zënë vendin e mbizotrueses artistike pas ikjes të krijuesit nga teksti pa lënë një përgjigje.

Migjeni bashkoi lëndën e errët të instinktit me arsyen jetësore të rrethanave dhe e rilindi gjuhën e haruar të instniktit të pashtypur. Te njeriu me instinkt të pashtypur dhembja s’krijon turbullim sepse ai ka shkuar te e ndaluara me ndërgjegje dhe ka dalë prej andej me qartësi.

Pa instinktin e pashtypur dhe pa brishtësinë e vetvetishme të kulturës së dhembjes, Migjeni do të ishte vetëm një shkrimtar formalist dhe askush s’do të turbullohej nga teksti i tij. Por ai s’i këndoi instinktit të shtypur. I këndoi parathanies dhe me parathanien hodhi dritë mbi instinktet e shtypura. Mjerimi njerëzor bëhet i plotë kur shtypen instinktet ose kur fryma e kohës i lë pa përdorur. Parathaniet kanë peshë shtypëse mbi instinktet.

Turbullimi që përfton lexuesi është një gjendje e fuqishme drite e çarë diku në tekst, që ia qendërzon ankthin. Kjo dritë e gryen errësirën tonë dhe andej dalin figurat e tjetërsuara brenda nesh. Shumë dritë jep edhe turbullim, i cili vjen nga instinktet e shtypura që ndjejnë çlirim nga bashkëjetesa me tekstin. Turbullimi është e reja e artit e një të epërmi dhe pjesa më jetësore e tij.

Në qoftë se lexuesi do ta kishte instinktin të pashtypur nuk do turbullohej, do ndjente vetëm dhembje. Estetika e Migjenit është shndruar në turbullim artistik për lexuesin. Sikur, me një operacion stilistik ta hiqnim turbullimin nga teksti, atëherë do mbetej vetëm bërthama e dhembjes, ose një i treguar pa asgjë të re nga jeta me subjektivitet.
Migjeni e pa njeriun të tjetërsuar brenda nesh dhe, kur e pamë edhe ne, me nji këmishë e brekë legjendare mbi shtat, u turbulluam se pamë nga brenda të ndaluarën dhe veten brenda të ndaluarës, madje e ndaluara ishim ne, asnjë lëndë jete tjetër s’kishte te e ndaluara. Te Migjeni e ndaluara përkon me parathaniet. Ato janë emëri artistik i të ndaluarës. Meqënëse në pasqyrat e fshehta të së ndaluarës pamë edhe veten, parathaniet ishin edhe emri ynë artistik. 

Asnjëherë më parë s’kishte ndodhur turbullim te lexuesi shqiptar dhe ende kjo herë e parë s’është përsëritur.

Sot njeriu e do të vërtetën nëpërmjet kulturës, jo nëpërmjet instinktit. Migjeni i përdori të dyja mjeshtërisht dhe dlirësisht, por poshtë kulturës së të treguarit i vlon instikti, ai që është pjesa e gjallë në brendësi të kulturës, e cila shkërmoqet pa ndërprerje nga trysni të sotme dhe instinkti vishet përsëri me kostumin e shndritshëm të një kulture të re. Gjithnjë njeriu ka qënë i sëmurë nga çrregullimet e shprehive të tij dhe nga smundjet e kulturës. Smundjet që vijnë prej natyrës janë më të kurueashme.
Tani s’ka më instinkt të pastër siç e ka bërë nëna...

Instinkti i pashtypur është mitra që lind një të epërm, por jo çdo i epërm vjen me një parathanie.
Instinkti është holluar nga tretësira gëryese e një kulture të hidhët. Zotat i vrasin sistematikisht instinktet, prandaj, gjithnjë e më tepër, rrallohen njerëzit e vetvetishëm dhe kritik.

 Poetët tradicionalë ia lënë në dorëzim lexuesit e tyre poetëve pasardhës. Lexuesit i marrin të tretura edhe parathaniet e poetëve.
Me Migjenin u ndërpre rrjedha e lexuesit e parapërgatitur nga paraardhësit. Ai e nxorri lexuesin nga kriza e estetikës së parathanieve të trashguara dhe e përgatiti për të qënë  birtë e shekullit  ri, përkundruall dhe në brendësi të parathanieve.
Shekulli i ri, që luhet me gjakim në skenën e shkalafitur të kombit, është i ngjashëm me tekstin e tij, që nis me “ Parathania e parathanieve”, e cila me një përkthim të lirë mund të lexohet: parathaniet jashtë jetës.
Thelbësisht shekulli i ri i Migjenit është Parathania. Ajo është fuqia lëvizëse që e shpie tekstin e tij drejtë kthinave të kërshërisë së etur , dhe është si hekuri i skuqur që do futet në ujin e lexuesit për të marrë trajta të reja nga rrahjet e të tërëve.
 Migjeni është parathania brenda parathanieve për t’a dlirësuar të menduarit nga parathaniet.
 Që nga parathania e parathanieve, në letrat shqip, jemi në shekullin e ri, në çdo kohë.
 Pa këtë parathanie, pa shestimin e saj, Migjeni nuk do të kishte ardhur brenda nesh. Pa parathanien brenda parathanieve ai do të ishte një ndër ata që tha diçka dhe u tret nga koha e tij. Ajo e njëjtëson gjithë tekstin dhe bëhet emërues i përbashkët për një frymë, për një ritëm dhe për një ide. Çdo pjesë e këtij teksti e ka të domozdoshme marrëdhenien me pjesët e tjera. Kjo ndërvarësi buron nga shestimi krijues i parathanies. E qarta dhe e errta janë pasqyra për njëra – tjetrën. Domethënien të plotësuar të një poezie e gjen në një varg të një poezie tjetër.
 Për tekstin e Migjenit duhen gjithnjë tre çelsa hapës.

 I pari gjendet brenda errësirës së poezisë apo prozës, i dyti është i hedhur brenda ciklit dhe, të tretin duhet t’a kërkosh në të gjithë tekstin. E shikuar me një mënyrë tjetër, teksti i Migjenit, një çelës hapës e ka te parathania dhe tjetrin në parathaniet. Po gjithë teksti i Migjenit ka vetëm një çelës dhe ai e ka emrin parathania.
 Migjeni e kishte të fuqishme ndjenjën e shestimit nëpërmjet parathanies. Prej saj rrjedhon se edhe në të ardhmen ai do t’i bindej këtij shestimi duke e plotësuar me poezi dhe prozë të shkurtër të thukët. Si mjeshtër i dialogut ai ka dhënë skena dramash të papërsëritëshme.
 Arti i Migjenit është i prirur, në fund të fundit, drejtë dramës.
 
Shekulli i ri i migjenian vjen nga parathania dhe është parathania, e cila është trajtë shprehëse e të menduarit me subjektivitet të ri ndërtues.
 Shekulli i ri e ka kahun nga parathania. Koha e parathanies me kohën e sotme mund të mos përputhen, por koha e parathanies gjithëmon i ofron çdo të sotme gjedhen e saj.
 
Migjeni e tha parathanien pa qenë profet, por instinkti i tij i pashtypur s’kishte përmasat vogëlane të kafazit të një kohe që shtypej. Ai e zgjeroi kohën e vogëlth të gjithësecilit dhe e futi brenda kohës së parathanies. Këndoi që ta dëgjonin bashkohësit e parathanies, të cilët i krijoi vetë.
 Parathania kishte ardhur, por Migjeni e bëri të zëshme, e bëri me tekst, e bëri migjeniadë. Parathania... migjeniada....
  birtë e shekullit  ri tani kanë parathanien e tyre ndër lufta  reja / dhe me fitue...
 
Pa bërthamë utopike s’ka poetë të mëdhenj. Në zërin e poetëve të mëdhenj utopia humb kuptimin e rëndomtë përçmues. Figura artistike shpërthen nga fuqia e përfytyrimt të arsyes së ndriçuar. Figura është pa tokë dhe pa kohë. Ajo, që është pa tokë dhe që s’ka kohë të saj, është quajtur utopi. Por si mundet që figura, pa cilësitë e shprehura të vendit dhe të kohës, bën një zbulim nëpërmjet një subjektiviteti që nënkupton tokën, kohën, qenien dhe të bukurën? Utopinë e subjektivitetit e përdorin edhe kundërutopistët. Midis figurës së mendimit dhe realitetit ka një lidhje të brendshme, ajo nxitet nga të dyja kahet. Realiteti, proza e thatë dhe absurde, është diçka krejt tjetër nga poezia, por që e ka të domozdoshme edhe utopinë e poezisë. Poezia, bashkë me shkencën, janë rregulli i botës. Realiteti s’e shpjegon dot figurën, ndërsa figura e zbulon realitetin vetëm me disa theksime të thukta fjalësh të subjektivitetit që mbart.

 Zotat e parathanieve ende i mallkojnë utopitë, të cilat lindën që në fillesë të Kohës së Re. Edhe një kafshatë buke e zezë e ëndërruar nga unë është utopia ime për zotat e parathanieve, është zoti  dhashtë i tyre, është utopia cinike (qënore) e përsëritur.
 Togfjalëshi ideor shekulli i ri është detaji më i spikatur i utopisë artistike të Migjenit, por utopinë artistike e përfaqëson qerthulli i parathanies. Rreth saj janë ndërthurur të gjitha detajet e tekstit të Migjenit, se ajo ka fuqinë e mbizotrueses ideore. Shekulli i ri dhe parathania kanë vlera të përafërta kuptimore dhe, në tekst dalin si plotësa të njëra – tjetrës. Parathania ka marrëdhënie të drejtëpërdrejta me parathaniet. Në qerthullin e saj ka një vend të zgjedhur edhe shekulli i ri, madje shekulli i riështë i tillë sepse është i përshkruar nga drita e parathanies, ndryshe do ishte thjesht shekull me një numër dallues. Shekulli i ri është i cilësuar si i tillë nga një epitet, i cili e ka në natyrë lëbyrjen e cilësisë së parë dhe nxjerrjen e një cilësie tjetër si parësore, por këtë lojë logjike të figurës e mbështet në passhpinë parathania me rrjetin e saj.
 Shekulli i ri migjenian s’ka kohë, atë e përshkon parathania, natyrshëm ajo është edhe koha e shekullit  riParathania brenda shekullit të ri del si kohë e tij.Shekulli i ri është i menduar pa parathaniet, ai synohet të jetë një finalitet, i cili do të arrihet nga parathania me  birtë e shekullit  ri. Poshtë estetikës së parathanies parathania është një ide.

 Kur themi shekulli i ri i Migjenit është parathania ose “parathaniet jashtë jetës”, përsëritim ciklin gjithmonë të papërfunduar të utopive.
 Parathaniet janë ide të selitura me vegla shekullore. Parathania është ide estetike me fuqi të mjaftueshme për t’u vetëmbrojtur nga parathaniet dhe për të qënë e lirë për ta thënë vetëveten. Ajo ka prirje të brendshme për t’a prishur drejtëpeshimin e çastit, në çdo përballje, për një drejtëpeshim të ri, dhe ta zvogëlojë masën eparathanieve, në çdo prishje të drejtëpeshimit.
 
Gjithë teksti i Migjenit është mbledhur rreth parathaniesParathania si bërthamë që ushqen me dritë errësirën është cilësia më thelbësore e këtij teksti.
 Diçka, tashmë e krijuar, që është ngjizur jashtë ligjërimit të vjetër të parathanieve, e këqyr ndryshe ligjërimin e parathanieve dhe gjuha shprehet me një cilësi të re.
 E, kështu ndodh përherë, gjuhë e periudhës – estetikë e re, ndërkallen te shtretrit e tyre me farë dhe shkrihen në një gjuhë, që ndien urinë për përsosje dhe për vdekje, por pa “psikikën – e re të estetikës”, gjuha do mbetej pa lindjet e ndritura pllenuese.
 
Kur mbaron përsosja fillon mbyllja e një qarku dhe pritet me ankth një i epërm tjetër që të hapë një qark të ri.
 Gjuha e Migjenit e ka qarkun të hapur. Gjuha ka psikikë të amshuar, estetika ka psikikë të re.
 Fjalën e Migjenit e mban në hullinë e amshimit psikika e tij e pashtypur, e cila është pjesa më rrënjore e gjuhës së tij artistike. Psikika, në çdo kohë, është gjuhë parake brenda njeriut. Ajo i ushqen me karakter të fortë fjalët. Këtej rrjedh se është edhe gjuhë brenda gjuhës.
 Askush si Migjeni s’e ka ushqyer fjalën e vet me instinkt. Poshtë veshjes tingullore, dëgjohet si lëngon i zymtë dielli.

 Migjeni është shkrimtar i psikikës së thellë dhe i kulturës së dhembjes. Dhembja e tij s’është fetare. Ajo buron prej thelbit të njeriut që është i mbushur me pamundësi, por në ekzistencë qenies i shtohet edhe trysnia e parathanieve. Nga trysnia e parathanieve krijohen shpresat,  lindet një njeri / i madh si madhni.
 Dhembja që vjen nga teksti i Migjenit është e re, e paprovuar më parë dhe merr pjesë në nxitjen e qenies për jetë. Duke dalë nga turbullimi ajo është bërë notë e re e dhembjes në letrat shqip. Dhembja e tij s’është pesimiste. Në poret e saj ri edhe drita e parathanies. Kjo dhembje zbulon, nuk fashit, ajo përgatit njeriun eparathanies duke zbuluar parathaniet. Kësaj dhembje Migjeni i thotë Kanga e dhimbës krenare.
 Edhe vdekjen e një gjuhe (të parathanieve) dhe këndelljen e një tjetre e solli parathania.
 
Migjeni e shkëputi fjalën nga e kaluara e parathanieve dhe e futi në çdo të sotme. Çdo e sotme duket sikur është e Migjenit, e lindur
 prej tij. Si gjuhë, si mendësi dhe si shprehësi ajo është kohë e re e paprishur brenda instinktit të tij dhe mendimit të parthanies.
 Parathaniet, që kur mbetën pa kohë të tyre, mbartin në vig vdekjen klinike të gjuhës së jetës së përditëshme. Tani ato janë kthyer në fjalëmbëla (eufemizma) që e kanë humbur kodin për të gjetur fjalët nëna nga kanë lindur. Energjia e tyre e mbetur punon për fshehjen.
 Migjeni erdhi me parathanien, e cila solli krizën e ligjërimit të parathanieve dhe këndelljen e të menduarit nëpërmjet gjuhës së saj.
 Ai të kaluarën e ka të fshehur dhe pa tekst të shprehur, por të pranishme nëpërmjet parathanieve si tekst i vjetër veprues. 
 Nga përballja e parathanies me parathaniet ka dalë teksti i Migjenit.
 Është përballja më dramatike në letrat shqip. Edhe vetë kjo përballje është parathania e pashembëllt.
 Parathania është ajo çka ka mbetur prej njeriut natyral, që kërkon të rindërtohet pa parathaniet. Pa parathaniet nënkupton kahun e një gjedhe shoqërore ndryshe, cilësisht më të lirë, ku thelbi i njeriut me ngrehinën shoqërore të jenë sa më pranë.
 Parathania ka filluar të këndohet edhe si meshë përcjellje për parathaniet. Është mesha e kohës së sotme që këndohet për kohën paraardhëse. Kur e këndon arti, mesha ka notat e rekuiemit.

 Po parathania ka kohë dhe kohë të saj? Po, i ka të dyja, se meqënëse ka kohë të saj ka edhe kohë.
 Koha është fryma e subjektivitetit me të cilën mbushim synimet dhe pritshëmëritë për të na fuqizuar psikologjikisht idenë. Ajo e ka kohën e saj që gjallon nëshekullin e ri (migjenian) dhe, se ende s’ka dalë një kohë tjetër që ta lërë në “shenjtninë” e saj kohën parathania.
 Të birtë e shekullit të ri dhe parathania janë nga e njëjta farë subjektiviteti dhe kanë një ide të përbashkët: të jenë njeriu i të sotmes, që kërkon t’a sjellë shoqërinë në shërbim të qenies. Rrethanat e kanë thirrur kohën parathania në log për të zëvëndësuar parathaniet.
 Parathania është subjektivitet për  birtë e shekullit  ri.

 Në këtë të sotme ka ardhur edhe e ardhmja si shestim i parathanies, si një e sotme ndryshe nga e sotmja, ndonëse për parathaniet parathania është utopi.
 Duket sikur lufta është futur brenda fjalëve, se parathaniet janë fjalë ende në shërbim të kohës së shkuar, e cila i ka paisur me mjetet e saj shekullore. Jo rastësisht tani ato janë armë.

 Nëpërmjet dritares së fjalës me psikikë të re fillon ndryshimi.
 Migjeni është parathanie dhe vetë parathania për të birtë e shekullit  ri. Turbullimin artistik e nxorri nga e errta e parathanive me mendimin shestimor parathania.
 Parathania është ndriçues i parathanieve. Pa atë nuk do t’i shquanim qartë parathanietParathania bëri lidhjen e instinktit të pashtypur me përfytyrimin përshekullin e ri.
 Ku është Migjeni? Në parathanie. Nga doli ky njeri i përveçëm? Nga instinkti i tij i pashtypur. Me ç’mënyrë u shpreh? Me turbullimin artistik. Atë e nxorri ngaparathaniet.
 Nga një kënd shikimi tjetër, Migjeni është qytetar në çdo të sotme, se nxorri nga parzmi parathaniet, domethënë është mbinjeriu i parë në trojet tona.
 
 
 
 Patra, Greqi 2016


migjeni

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit

Velipoja plazhi më i populluar në vend! Java e parë e gushtit shënon fluksin më të lartë të sezonit