Mijëra njerëz janë mbledhur mëngjesin e sotëm para Kishës së Shën Apostullit Luka në lagjen Vidikovac të Beogradit për t'i bërë homazhe Ratko Mlladiçit, arkitektit të masakrës së Srebrenicës i cili vdiq në Hagë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte. Qytetarët kanë krijuar radhë të gjata për të hyrë në kishë, ndërsa të pranishmit vazhdojnë të mbërrijnë.
Pamjet nga ceremonia të siguruara nga Shqiptarja.com, tregojnë se arkivoli ngjyrë kafe ishte vendosur mbi një tavolinë druri dhe ishte mbuluar me një pëlhurë të bardhë me dantellë. Mbi të ishin vendosur shpata dhe kapelja ushtarake e Mlladiçit. Në krah të arkivolit ndodheshin një fotografi e tij dhe një kuti e kuqe ku ishin rreshtuar medaljet ushtarake, ndërsa gjashtë ushtarë qëndronin roje. Mes të pranishmëve kishte edhe persona të veshur me bluza të stampuara me portretin e Mlladiçit.
Të parët që bënë homazhe ishin djali i tij, Darko Mlladiç, familjarët dhe ish-bashkëluftëtarët. Mes personave që prisnin në radhë për të hyrë në kishë u pa edhe Aleksandar Vulin, anëtar i Senatit të Republikës Srpska.
Sipas Kishës Ortodokse Serbe, liturgjia për të ndjerin ka nisur në orët e mëngjesit dhe drejtohet nga protojereu Gjorgje Stojisavljeviç, shefi i kabinetit të patriarkut serb, së bashku me klerikë të Arqipeshkvisë Beograd-Karlovac. Shërbesa mortore është planifikuar të nisë në orën 12:00.
Pas ceremonisë, kortezhi do të niset drejt varrezave të Topçiderit, ku Mlladiçi do të varroset pranë vajzës së tij, Ana, vajzës së tij të preferuar që vrau veten nga turpi, historinë e trishtë të së cilës mund ta lexoni këtu. Sipas organizatorëve të ceremonisë, në varreza do ta shoqërojë një njësi nderi dhe janë parashikuar të shtëna ceremoniale si edhe fjalime lamtumire.
Rrugët përreth kishës janë mbyllur për qarkullimin, ndërsa në zonë janë vendosur forca të shumta policie dhe masa të shtuara sigurie. Pranë kishës janë vendosur gjithashtu ekrane të mëdha dhe tualete publike për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve.
Deri tani nuk është konfirmuar pjesëmarrja e ndonjë përfaqësuesi të lartë të shtetit në varrim. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk pritet të jetë i pranishëm, pasi ka njoftuar një takim me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, ndonëse Bashkimi Europian ia bëri të qartë që glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me parimet e BE-së.
Megjithatë Serbia e shpërfilli këtë paralajmërim kur dy ditë më parë, në ceremoninë përkujtimore në Shtëpinë e Ushtrisë morën pjesë ministri serb i Drejtësisë Nenad Vujiç, presidenti i Republikës Srpska Siniša Karan dhe ministri Radan Ostojiç. Ndërkohë për varrimin e sotëm pjesëmarrja e tyre nuk është konfirmuar.
Ratko Mlladiçi u dënua në vitin 2017 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1992-1995. Ai vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në spitalin e burgut në Hagë.
Edhe Rusia ka dërguar përfaqësuesin e saj në ceremoninë mortore të kriminelit të luftës Ratko Mlladiç
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, mbërriti në kishë i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe avokati serb Goran Petronijeviç. Pas homazheve, ai u shprehu ngushëllime familjarëve të Mlladiçit.
Më herët, Federata Ruse kishte kërkuar në disa raste, përmes institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare, lirimin e parakohshëm të Mlladiçit nga burgu në Hagë për t'u trajtuar në Serbi.

Ceremonia mortore e Ratko Mlladiçit në Beograd po zhvillohet në prani të disa zyrtarëve të lartë nga Serbia dhe Republika Srpska, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian për të shmangur nderimet ndaj ish-komandantit të dënuar për gjenocid.
Sipas mediave serbe, në varrim kanë mbërritur ministri serb i Mbrojtjes Bratisllav Gashiç, ministri i Drejtësisë Nenad Vujiç dhe ministri pa portofol Nenad Popoviç.
Në ceremoni është i pranishëm edhe lideri i koalicionit qeverisës në Republikën Srpska, Milorad Dodik, si dhe anëtarja serbe e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviç.











Komente
Komento