Klarisa, infermierja 22-vjeçare nga Librazhdi, për të cilën mijëra shqiptarë u bashkuan për t’i dhënë një shans për jetën, nuk ka arritur që të fitojë betejën më të vështirë të jetës së saj, atë me sëmundjen e rëndë. Vajza e re, me sytë plot jetë dhe buzëqeshjen që kishte prekur zemrat e shumë njerëzve, u nda nga jeta në një spital në Itali, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Lajmi u publikua nga politikani Taulant Balla, i cili kishte qenë një nga zërat që ngriti shqetësimin edhe në Kuvendin e Shqipërisë, duke kërkuar nga kolegët demokratë e socialistë ndihmë dhe solidaritet për të renë nga Librazhd.

“Një lajm shumë i trishtë nga spitali në Itali ku vajza jonë e shkëlqyer, nga Librazhdi, Klarisa Zharri nuk ia doli doli dot ta fitonte betejën për jetën, megjithë përpjekjet e mjekëve. Ngushëlime familjes, të fejuarit Olsit dhe mirënjohje të gjithë atyre që kontribuan me zemër të bardhë për ta ndihmuar, por zoti vendosi ta merrte”, shkruan ai.

Klarisa ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë autoimune të mëlçisë, e cila me kalimin e kohës kishte shkaktuar cirrozë të avancuar dhe dështim të funksionit të këtij organi jetik. Për të vijuar trajtimin dhe për të pasur një mundësi për të jetuar, asaj i nevojitej një transplant i mëlçisë, një ndërhyrje e ndërlikuar që kërkonte mbështetje të madhe financiare.

Thirrja për ndihmë, e bërë publike disa javë më parë, preku zemrat e mijëra qytetarëve. Banorë nga Librazhdi, por edhe shqiptarë nga shumë qytete të vendit dhe diaspora, u mobilizuan për të kontribuar financiarisht. Brenda një kohe të shkurtër u arrit të mblidhej shuma prej rreth 100 mijë eurosh, duke bërë të mundur dërgimin e Klarisës në Itali për trajtim në një nga qendrat e specializuara për transplante.

Madje edhe në Kuvendin e Shqipërisë u ngrit zëri për të. Vetë Taulant Balla u bëri thirrje kolegëve të tij, si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita, që të bashkoheshin për të ndihmuar vajzën e re dhe për të bërë të mundur trajtimin e saj jashtë vendit.

Megjithatë, pavarësisht solidaritetit të madh dhe përpjekjeve të vazhdueshme të mjekëve, beteja e Klarisës për jetën përfundoi në mënyrën më të dhimbshme. Fatkeqësisht ajo nuk arriti që të kalonte këtë dimër të ashpër të jetës, duke lënë në dhimbje familjarët, dashurinë e saj të jetës, por edhe mijëra shqiptarë të cilët u përpoqën që t’i jepnin një mundësi Klarisës për të dalë fituese nga kjo betejë!