Milionat që po humbin këngëtarët, biznesi i dasmave dhe lokalet e natës nga COVID-i! VIP-at nuk heqin dorë nga veshjet e modës

Milionat që po humbin këngëtarët, biznesi i dasmave dhe lokalet e natës nga COVID-i! VIP-at nuk heqin dorë nga veshjet e modës

Në industrinë e argëtimet, të ardhurat e klubeve të natës, atelieve për veshjet e modës, të kostumeve popullore, kompanive të organizimit të eventeve janë tkurrur 80-90%. Biznesi i dasmave, për shkak të ndalimit të organizimit të tyre, nga COVID-19, ka shkurtuar 70% të stafit. Në kulmin e sezonit turistik, mungesa e koncerteve po shkakton humbje të ardhurash deri në 1 milion euro për këngëtarët. Të vetmit që nuk janë prekur nga kriza janë VIP-at, të cilët nuk kanë ulur kërkesën për stilim veshje të modës, për festa familjare dhe sete fotografike

Nga Dorina Azo

Rreth 1 milion euro llogariten të jenë humbjet për këngëtarin e muzikës rapper Noizy, për shkak të pezullimit të koncerteve nga pandemia në muajt prill-gusht. Bashkim Rajku, babai dhe menaxheri i këngëtarit, tha për “Monitor” se në muajin prill u anuluan tre koncerte ‘live’ jashtë Shqipërisë dhe 70 të tjera të parashikuara deri në fund të gushtit.

“Në muajin prill u anuluan 3 koncerte të mëdha që do të zhvilloheshin jashtë Shqipërisë, si në Angli, në praninë e 5 mijë personave, SHBA dhe Australi. Të ardhurat e munguara llogariten 450 mijë euro. Nga periudha prill – qershor, parashikohej të zhvilloheshin edhe 22 koncerte të tjera, të cilat për shkak të pandemisë, u anuluan. Në periudhën korrik – gusht, mesatarisht çdo vit zhvillohen 45 deri në 50 koncerte, të cilat nuk do të mbahen.

Çdo vit, për dy muajt e verës, eventet zhvillohen në klubet e natës, plazhe dhe pishina të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Në periudhë normaliteti, periudha nga 15 korriku deri më 15 gusht është shumë intensive, madje ka ndodhur që brenda ditës të zhvillohen edhe 3 koncerte. Pagesa nis nga 10 mijë euro”.

Shumica e këngëtarëve të njohur shqiptarë, i kanë fitimet më të majme në koncertet e verës. Moslejimi i tyre, për shkak të rrezikut të lartë të përhapjes të COVID-19, do të sjellë që ky sezon të kalojë pa muzikë, por të shkaktojë edhe humbje të ardhurash për artistët. Një shqetësim të ngjashëm ndau edhe Alban Karabashi, menaxheri artistik i këngëtares Soni Malaj.

“Pas shumë negociatave të vështira me grupin e mirënjohur italian ‘Il Volo’ kishim programuar të realizonim një koncert të përbashkët me artisten Soni Malaj, më 22 mars, në Pallatin e Kongreseve. Ky projekt, për të cilin shpenzuam energji, kohë dhe marketing, nuk arriti të realizohej për shkak të pandemisë.

Në programin artistik të këtij viti, kishim planifikuar edhe koncerte të tjera jashtë vendit, si në Londër, Itali, Kosovë, Australi, të cilat u anuluan. Ndikimi i pandemisë është i drejtpërdrejte tek artistët, pasi mbyllja e eventeve, koncerteve, klubeve të natës, etj. ka vënë në vështirësi edhe punën tonë si menaxher. Sot, më tepër se kurrë, roli ynë është faktor kyç dhe i domosdoshëm për të gjetur e për të ofruar zgjidhje.”

Ashtu si shumë industri të tjera, edhe këngëtarët po shohin si mundësi “shpëtimi” dhe përshtatje me pandeminë realizimin e klipeve, spektakleve muzikore apo seteve fotografike për revista mode. “Duke parë kostot e pandemisë, por edhe ecurinë, e cila duket se do të na shoqërojë edhe për disa kohë, kemi menduar që projekti i radhës të jetë një program televiziv prej 10-12 javësh. Tema do të jetë tradita kombëtare, që do të realizohet në bashkëpunim me një nga radiotelevizionet e Kosovës.

Mendoj se për momentin, është një mundësi e mirë që publikut t’i ofrojmë një spektakël televiziv, i cili besoj se do të mirëpritet në çdo shtëpi shqiptare e në mbarë diasporën. Kemi marrë edhe disa ftesa nga bota e modës dhe po përgatitemi për t’u paraqitur në një revistë prestigjioze turke. Ndërkohë po punohet në studio nga i gjithë ekipi, për një klip të ri, por edhe disa këngë të reja. Puna vijon në përgatitjen e produksioneve muzikore, stilimit të veshjeve, trupës së baletit që shoqërojnë artisten dhe çdo komponent tjetër që ndihmon në prezantim sa më dinjitoz,” tha Karabashi.

A po lejohen dasmat?

Dasmat nuk po zhvillohen në qendër të Tiranës, por në fshehtësi dhe në zonat rurale ato po mbahen, sipas drejtuesit të një kompanie Armand Peza. “Shpresuam që, me hapjen e ekonomisë, qeveria të përcaktonte edhe një datë fikse se kur mund të lejohej organizimi i dasmave, në përputhje me masat kundër COVID-19, pasi organizimi i tyre kërkon kohë. Nëse nuk ka një limit kohor për lejimin e tyre, njerëzit tremben dhe i anulojnë, pasi dikush nuk ka mundësi financiare, kurse një tjetër i ka paratë, por i mungon leja.

Eventet që po zhvillojmë janë shumë të vogla, me kapacitet të ftuarish nën 50 persona. Edhe për këtë numër të ftuarish nuk ka një përcaktim konkret ligjor, madje shumë herë jemi përpallur me forcat e policisë, të cilët nuk na kanë lejuar të kryejmë dekorin brenda festave familjare, në vilat e Gjirit të Lalëzit.

Në këtë situatë, është e domosdoshme që të miratohet një vendim qeverie, që të përcaktojë lejimin e festave me një numër të caktuar të ftuarish, pasi mungesa ligjore ka krijuar abuzime. Në shumë zona rurale, dasmat po zhvillohen në fshehtësi, kundrejt ryshfeteve për forcat e policisë, pasi ne për ta po shesim veshje nusërie.”

Kompania ka reduktuar 70% të stafit, nga totali i 50 të punësuarve, për shkak të mungesës së punës dhe pamundësisë financiare për t’i paguar. Për shkak të anulimit të dasmave të prenotuara para COVID-19, të gjitha subjektet e sektorit u vunë para presionit të klientëve për kthimin e parapagesave. “Klientët filluan të kërkonin me këmbëngulje parapagesat për 1/3 e shërbimit.

Xhiroja vjetore e kompanisë për vitin 2019 ishte 481,770 euro dhe ne ishim të detyruar t’u kthenim njerëzve 1/3 e tyre, në vlerën e 160 mijë eurove. Këto para nuk i kishim, pasi i kemi investuar për nisjen e sezonit. Për këtë situatë, të gjitha kompanitë ranë në konsensus për moskthimin e parave të parapagimit, por kjo shumë mbetet një borxh që iu njihet klientëve dhe mund të përdoret, si bonus nëse do të zhvillojnë dasmën në çdo periudhë tjetër, apo për shërbime të jashtme si blerje këpucësh, fustanesh dhe shërbime dekori për ditëlindjen e fëmijës.”

Mungesa e dasmave dhe eventeve ndihet edhe te puna e Ujvara Hajdari, make-up artist. Makijazhi profesional i saj fokusohet te puna me personat publikë, nuset e dasmave, maturantët, emigrantët dhe vendasit, por nga pandemia, kërkesat janë reduktuar.

“Pandemia ka ndryshuar çdo gjë, deri tek mënyra jonë se si zgjohemi në mëngjes, jo më tek eventet. Sigurisht që ka shumë dasma të zhvendosura në një afat të pacaktuar. Ka dasma që bëhen pa shumë njerëz, por ata më supersticiozët po martohen. Matura sivjet ishte një mungesë totale për make-up. Sigurisht nuk kanë ardhur nga jashtë, si dikur, edhe këtu ka mungesë. Megjithatë, puna vazhdon, e sigurisht me masa dhe maska, sepse shëndeti vjen i pari.

Bukuria numër një është shëndeti. Tani them më mirë sakrifikojmë pak sesa të biem në gabime fatale. Jeta ka një kohë për çdo gjë dhe do vijë dita kur do punojmë më shumë. Dua që, në radhë të parë, të jemi të gjithë mirë, por edhe me thinja nuk rrihet, ndaj puna vazhdon vetëm me rregulla të reja. Shpresoj që të mbarojë sa më shpejt”.

Humbjet financiare nga dasmat

Humbjet monetare për bizneset e organizimit të dasmave në Shqipëri, për shkak të moslejimit të tyre, llogariten rreth 165 milionë euro, sipas një studimi të pionierit të sektorit, zotit Armand Peza. Në studimin e tij, ai thorë se se janë 27 mijë njerëz në sektor të papunë, apo me paga të reduktuara, ose me më pak se 1/4 e stafit të 1,350 subjekteve të eventeve, duke përfshirë: sallonet e nusërisë, kameramanët, fotografët, muzikantët, DJ, ndriçimi profesional, punonjësit e fonisë, të makinave me qira etj.

Për llogaritjen e kostos së humbjeve, studimi i është referuar të dhënave zyrtare të gjendjes civile për martesat ligjore, ku për vitin 2019, në Shqipëri, janë kryer 32,396 martesa. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018, numri i martesave në vend ishte 23,104. Instituti i Statistikave shpjegoi se raporton vetëm martesat që kryhen brenda vendit. Martesat që ndodhin jashtë me shtetas shqiptarë dhe që regjistrohen në gjendjen civile, nuk janë objekt i martesave të analizuara nga INSTAT.

Si janë llogaritur humbjet:

-Zakonisht 2/3 e martesave ligjore bëjnë edhe martesë me dasmë, me shumë tolerancë llogaria është bërë jo 2/3, por 1/2. Numri i të ftuarve në çdo eveniment është 150 persona x 16 200 festa = 2,430,000 persona.

-Menuja e llogaritur për këta persona: 2,430,000 x 40 euro/person = 97,20, 000 euro (në të tre nivelet e dasmave.

-Banda/Dj: 16,200 festa x 1,000 euro = 16,200,000 euro

-Fotograf: 16,200 festa x 500 euro = 8,132,396 euro

-Kameraman: 16,200 festa x 500 euro= 8,132,396 euro

-Veshja e nuses: 16,200 festa x 500 euro = 8,132,396 euro

-Veshja e dhëndrit: 16,200 festa x 200 euro = 3,240, 000 euro

-Veshja e familjarëve: 16,200 festa x 200 euro = 3,240,000 euro

-Parukeria: 16,200 festa x 200 euro = 3,240,000 euro

-Dekori është shërbim luksi dhe jo gjithmonë i domosdoshëm, ndaj duhet llogaritur vetëm dasmat e nivelit të parë, me shumë tolerancë ulje nga ana jonë. Pra llogaritim vetëm 1/4 e 16,200 festave = 4,050 festa x 4 000 euro/dekor = 16,200 000 euro, pa llogaritur që restorantet ofrojnë një minimum dekori vetë, i cili paguhet nga klienti dhe vlera e tyre është e konsiderueshme, por mund të ndodhë që lokali ta jap dhe falas dekorin e vet

-Ndriçimi profesional: 1/4 e 16 200 festave = 4,050 festax200 euro/event = 810 mijë euro (duke ndjekur logjikën si për dekoret)

-Foni ekstra: 1/4 e 16,200 festave x 200 euro/festë = 810,000 euro (duke ndjekur logjikën si për dekoret)

-Totali përafërsisht për Republikën e Shqipërisë = 165,337,188 euro. (Të gjitha shifrat për çdo zë janë llogaritur me tendencë uljeje shumë më pak sesa mesatarja.)

Klubet e natës, drejt falimentimit

Me shfaqjen e rasteve me koronavirus në muajin mars, të parët që nuk u lejuan të vazhdonin aktivitetin ishin klubet e natës dhe diskot. Pas hapjes së ekonomisë më 29 maj, qeveria la përsëri të mbyllura këto shërbime, ndërsa lejoi punë për baret, restorantet dhe lounge-t. Edhe pas këtij vendimi, disa klube nate vazhduan aktivitetin në ambiente të hapura nën “maskën” e barit.

Në ditët e kulmit të sezonit turistik këto aktivitete, sipas kontabilistit Armand Mala kanë shkurtuar stafin dhe të ardhurat me 90%. “Vetëm në një rrjet prej 4 klubesh, ku unë ndjek aktivitetin prej shumë vitesh, biznesi është tkurrur nga 100-110 të punësuar para fillimit të pandemisë, aktualisht në vetëm 16 punonjës. Në pikun e sezonit turistik parashikohej të kishte punësime të reja, e ndoshta numri i të punësuarve të arrinte deri në 150 punonjës. Normalisht edhe xhiroja e realizuar është në nivelet 10% të asaj çfarë duhej të ishte në këtë periudhë”.

Me shtimin e rasteve me koronavirus, më 20 korrik, qeveria miratoi aktin normativ që ashpërsonte masat për moslejimin e grumbullimit të njerëzve në këto ambiente. Vendimi dënonte me gjobë 3 milionë lekë subjektet që ofronin shërbime në klubet e natës, diskove, lounge- bareve dhe në çdo lloj shërbimi të kësaj natyre dhe vendosjen e gjobës prej 1 milion lekësh për ata që nuk respektonin detyrimin për ndalimin në çdo mjedis të muzikës pas orës 20:00.

Bashkim Rajku, përfaqësuesi i një lounge-bar në zonën e Currilave në Durrës, pohon se aktualisht po vuan mungesën e frekuentimit nga të rinjtë, për shkak të vendimit për moslejimin e muzikës. “Vendimi po ndikon negativisht te puna jonë. Frekuentimi nga të rinjtë ka rënë, pasi konsumi i alkoolit dhe birrës shoqërohet me muzikë.

Vendimi është i padrejtë, pasi në bar-lounge, muzika nuk është e lartë si në koncerte live, është më e qetë, nuk i shqetëson pushuesit. Xhiroja për shkak të pandemisë ka rënë rreth 30%. Nuk kemi bërë shkurtime të punonjësve, pavarësisht se po sforcohemi shumë për pagesat e tyre, po heqim nga fitimi ynë për t’i mbajtur. Punonjësit janë paguar edhe në periudhën e karantinës, kur aktiviteti ishte i pezulluar.”

Eksperti i legjislacionit tatimor, Armand Mala, thotë se për shkak të pezullimit të aktivitetit, këto shërbime po shkojnë drejt falimentimit. “Do të ishte e udhës që qeveria, ashtu sikundër për çdo biznes tjetër, të hartonte protokolle strikte. Ndoshta duke vendosur kufizime në numrin e klientëve të lejuar apo të tjera kufizime, por t’i lejonte edhe këto biznese të punonin, të mos i jepte goditjen knock-out.

Shumë vende ku koranavirusi mbetet problematik kanë zgjedhur t’i lënë të hapura (Maqedonia e Veriut, Greqia, Bosnja, Britania, etj.), duke vendosur protokolle (Britania p.sh., i lejon pubet por nuk lejon ndërveprimin social brenda tyre,). Në këtë formë shmanget diskriminimi i kësaj kategorie biznesi.”

Tkurret kërkesa për veshje mbrëmjeje dhe zyrtare

Në industrinë e argëtimit, pandemia ka goditur edhe sektorin e veshjeve të përditshmërisë dhe modës. Stilistja Lira Koca, përfaqësuese e një atelie në qytetin e Durrësit, thotë se kërkesa për stilimin e veshjeve fashion ka rënë, nga mungesa e organizimit të festave, eventeve, dasmave, mbrëmjeve të maturës apo ceremonive të tjera.

“Deri në muajin maj, kemi punuar me kërkesat e prenotuara para karantinës, të cilat nuk u anuluan. Për muajin qershor, për shkak edhe të moslejimit të organizimit të mbrëmjeve të maturës, kërkesa u reduktua nga 70 deri në 80%. Para pandemisë, për periudhën qershor deri më 8 korrik, dizajnoja dhe qepja mesatarisht 60 deri në 70 fustane për mbrëmje mature, ndërsa për këtë sezon, kemi qepur 7 deri në 8 fustane. Edhe kërkesat për fustane nusërie dhe mbrëmjesh për dasma të porositura në periudhën shkurt-mars janë anuluar.”

Reduktim të ndjeshëm kanë shënuar edhe porositë për veshje casual (veshje të përditshme dhe pune), sidomos nga shtresa e mesme, si: mësues, mjekë, punonjës të pushtetit vendor dhe gjyqësor. Arsyeja e rënies së kërkesës është reduktimi i të ardhurave nga humbja e vendeve të punës.

“Pas karantinës, shumica kanë hequr dorë nga porositë e veshjeve për zyrë, pasi ndihen të pasigurt për të ardhmen dhe kanë ulur shpenzimet. P.sh., një kliente kishte porositur para muajt mars stilimin për 7 lloje veshjesh. Pas hapjes së ateliesë, anuloi 5 porosi dhe mbajti vetëm 2 prej tyre, për shkak të pamundësisë financiare. Shumica e njerëzve janë të frikësuar edhe për shkak të rrezikut të kthimit të një vale të dytë të virusit në muajin shtator”.

Çmimet për dizajnimin e veshjeve casual variojnë nga 14 mijë lekë deri në 18 mijë lekë. Për veshjet e modës, çmimet janë nga 20 mijë deri në 33 mijë lekë. “Çmimet e qepjes së veshjeve të modës në qytetin e Durrësit janë shumë herë më të lira sesa në Tiranë. Nëse në kryeqytet, një fustan mbrëmje jepet me qira me vlerë 30 mijë lekë, në atelienë tonë, me këtë kosto, një fustan stilohet dhe qepet”.

VIP-at nuk heqin dorë nga veshjet e modës

Stilistja Koca thotë se 20% të totalit të punës, aktualisht e kryen për të përmbushur kërkesat e personave VIP në kryeqytet. “Kërkesa e VIP-ave, spikereve të lajmeve, moderatorëve të studiove televizive nuk ka ndryshuar për shkak të COVID-19.

Kjo kategori vazhdon të porosisë veshje të modës me të njëjtën ritëm, si në periudhë normaliteti, që i përdorin për sete fotografike, për plazh apo mbrëmje familjare.”

Rritjen e kërkesave nga personat publikë për veshje të modës e pohon edhe stilisti Joni Peçi. “Në periudhën e karantinës, kërkesat më të larta për veshje ishin nga spikeret e studiove të lajmeve dhe moderatorët e emisioneve televizive. Njerëzit jopublikë ishin të fokusuar kryesisht te shëndeti, sesa te veshja.”

Aktualisht, interesimi për dizajnim veshjesh është i ulët, për shkak të mungesës së aktiviteteve dhe dasmave. “Në këtë periudhë, gjithçka është e ‘ngrirë’, pasi dasmat, eventet dhe sfilatat e modës janë anuluar. Me shpresën që situata do të përmirësohet, mbajtja e eventeve është shtyrë në kohë. Kërkesat nga individë që po i përdorin veshjet e modës për festa familjare është e pakët.

Duhet theksuar se kjo është një gjendje e panjohur, jo vetëm nga ne, por nga e gjithë bota. Asnjë nuk është përballur me të tillë situatë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, nuk kam zgjedhur të qëndroj në heshtje dhe të ndaloj angazhimet e mia artistike. Jam duke organizuar spotin publicitar për prezantimin e veshjeve të sezonit pranverë-verë 2021.”

Kostumet popullore nuk mbijetojnë dot online

Edlira Sulaj që zotëron mbi 1 mijë kostume popullore të të gjitha trevave shqiptare, përfshirë edhe 10 veshje tradicionale europiane, si: norvegjeze, holandeze, greke, skoceze, të arbëreshëve të Italisë, Malit të Zi etj., me vlerë inventari 500 mijë euro.

Puna e saj lidhet drejtpërdrejt me eventet dhe dasmat që zhvillohen brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe në këtë periudhë pandemie, po shpenzon nga të ardhurat familjare për ruajtjen e traditës 15-vjeçare të përgatitjes të tyre në biznesin e saj.

“Në muajin e parë të karantinës, mendova ta mbyll kompaninë për shkak të vendimit për pezullimin e organizmit të eventeve. Por, duke qenë se vlera e inventarit të produkteve është e lartë, si dhe sakrificat e bëra ndër vite për ruajtjen e zanatit të mjeshtërisë, hezitova të marr këtë vendim të menjëhershëm. Nëse kjo punë 15-vjeçare do të shpërbëhej menjëherë për shkak të pandemisë, do të ishte shumë e vështirë ta ngrije përsëri.

Në kompani janë të punësuar 10 punonjës dhe po sforcohemi shumë të paguajmë mjeshtrit artizanalë. Po punojmë me projekte shumë të vogla për trashëgiminë kulturore dhe për të ruajtur vazhdimësinë e traditës kam investuar të ardhurat familjare. Në këtë periudhë nuk kemi fitime, edhe pse shpenzimet i kemi të larta, si pagesat për qiranë e ambienteve të punishtes dhe dyqaneve të shitjes që shkojnë 3 mijë euro.”

Edlira Sulaj thotë se porositë individuale të prenotuara në fillim të vitit nuk janë anuluar, por pagesat e tyre janë shtyrë në kohë. “Në periudhë normaliteti, kërkesat për kostumet popullore ishin të shumta. Për vitin 2020 parashikonim dyfishim të punës që në 6-mujorin e parë, krahasuar me 2019. Projektuam ngritjen edhe të një muzeu, ku numri i vizitorëve për vitin 2021 pritej të ishte 1500 turistë. Pandemia ndikoi në parashikimet tona dhe deri tani, nuk kemi realizuar as 20% të planeve”.

Për shkak të mungesës së punës, biznesi rrezikon të mbyllet, ndaj zonja Sulaj kërkon që institucionet shtetërore, si: ministritë, qendrat kulturore, bashkitë, shkollat të mos ndërpresin planifikimet paraprake për blerje të kostumeve popullore.

“Në procesin e punës sonë angazhohen edhe një sërë profesionesh të tjera, siç janë punonjësit e tezgjahut, këpucarisë, punuesit e pëlhurave, qelesheve, brezave, qëndismat etj., dhe mbyllja e punës dëmton edhe ata. Për të mbijetuar, po mundohemi të ndërtojmë një platformë online të shitjeve për veshjet popullore, por kemi vështirësi për mungesë fondesh. Pjesa më e madhe e produkteve tona shiten në momentin që zhvillohen aktivitete dhe dasma, brenda dhe jashtë vendit.

Njerëzit duhet të mendohen gjatë për blerjen, pasi një kostum popullor nuk e blen sapo e shikon online. Duhet kohë e gjatë që blerjet online të krijojnë interes.” Çmimet e shitjes së kostumeve popullore për të rritur variojnë nga 180 deri në 3 mijë euro, ndërsa çmimet e qirasë janë nga 1 mijë deri në 10 mijë lekë.

Biznesi i eventeve, drejt shkurtimit të punonjësve

Të ardhurat e kompanisë “Iceberg communication”, që merret me organizimin e konferencave, ceremonive për kompani, koncerte, festivale, në këta 5 muaj pandemi janë reduktuar 70-80%, ndërsa 20 punonjësit po paguhen me pagë minimale. Arsyet e situatës të krijuar, sipas Rafaela Ricës janë pezullimi i punës për shkak të COVID-19, për eventet, ceremonitë dhe konferencat. Stafi i kompanisë po aktivizohet në punë për rrjetet sociale, dizajne, ndërsa punonjësit e eventeve për muajin gusht janë lënë pushim dhe marrëdhëniet e punës nuk janë ndërprerë.

“Të gjitha eventet e planifikuara janë anuluar. Edhe disa prej tyre që u përpoqëm t’i përshtatnim, duke i zhvilluar online, patëm shumë vështirësi, por edhe ndikimi nuk është i njëjtë sikundër një aktivitet që zhvillohet live. Përveç dy muajve të karantinës, ku veprimtaria ishte i kufizuar për të gjithë, në këtë periudhe punonjësit po punojnë me rotacion part-time me pagë minimale. Po përballemi me vështirësi në pagesat e tyre për shkak të mungesës të punës. Përveç kësaj, jemi të shqetësuar edhe për rikuperimin e forcës punëtore, pasi nëse do t’i largonim në këtë periudhë, më vonë do të jetë e vështirë t’i punësojmë sërish.”

Edhe për të ardhmen, parashikimet janë pesimistë për sipërmarrësen Rafaela Rica. “Ecuria për zhvillimin e kësaj industrie deri në fund të vitit nuk pritet të jetë pozitive, gjë që është tepër shqetësuese për ne. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, në muajt shtator-tetor pritet thellim i humbjeve. Kjo situatë do të na detyrojë të marrim edhe vendime drastike, për shkurtim të stafit, pasi me këtë ritëm që po ecën, puna mund të kryhet nga 2 ose 3 punonjës.

Gjithashtu, organizimi i eventeve kërkon përgatitje, konfirmim dhe një aktivitet të cilin e kemi në fillim të muajit tetor me një buxhet minimalit, po përgatitemi ta kalojmë në versionin online. Situata është shumë e paqartë për të ardhmen se kur do të lejohet organizimi i tyre dhe kjo, për punën tonë, është tepër problematike.”
Rafaela Rica thotë se kompania nuk ka mundësi financiare për të paguar detyrimet dhe për këtë kërkon që qeveria të mbështesë sektorin me lehtësi fiskale.

“Është shqetësues fakti që, edhe pse të ardhurat e kompanisë prej 5 muajsh kanë rënë nga 70 deri në 80%, parapaguajmë tatimfitimin, sikur po punojmë në një vit normal. Kemi bërë 3 herë kërkesë që të mos parapaguajmë fitimin, ndërkohë që të ardhurat kanë rënë në mënyrë drastike. Nuk kemi mundësi financiare për të paguar këtë detyrim, pasi edhe ato të ardhura që kishim, i shpenzuam për detyrimet dhe pagat për muajt e karantinës.”/ Marrë nga Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • dada: 22/08/2020 09:52

    deklarojne te ardhura keta kengetare leshi paguajne tvsh apo tatim fitimi .se kerkesat e tyre i kane gati per qeverine por per te dhene gje harrojne

    Përgjigju
  • Mirditor: 22/08/2020 08:19

    Këngtaret e sotit vetem drog, arm, bythen jasht.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja