Disa ditë pasi minatorët e Spaçit u thirrën në një seancë dëgjimore në komisionet Parlamentare ku numëruan një varg shkeljesh nga kompania private turke, këtë të martë në Komisionin e të drejtave të Njeriut, ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka sqaruar situatën aktuale mes minatorëve dhe kompanisë Tete Albania.
“Pritëm në takimin përfaqësues të shoqërisë dhe minatorë në datën 4.11.2025, përfaqësues të shoqërisë gjatë takimit me informuan dhe prezantuan sipas tyre situatën. Ne i kërkuam shoqërisë kthimin e menjëhershëm të punonjësve të lëvizë në punë, për të mos përkeqësuar situatën. Gjithashtu, ju lashë detyrë strukturave drejtuese, përgjegjëse për marrëdhëniet e punës dhe strukturës së inspektorëve, të organizojnë një takim dialog tre palësh sa më tepër. Takimi u dakordësuar dhe u njoftuar, për ditën e premte në datën 7/11/2025. U njoftuan paraprakisht të gjithë ish të punësuarit dhe Konfederata, dhe nuk u realizua. Përfaqësuesit e kompanisë pranuan të kthenin menjëherë në punë 45 minatorë, ndërsa për pjesën tjetër të tyre të vlerësohet rast pas rasti. Ndërkohë që ministria u angazhua përpara takimit që do të ndiqte procesin nga afër në çdo hap të tij me qëllim sigurimin e rikthimit të të gjithë minatorëve në punë. Më 14 nëntor TETE na ka njoftuar se 15 punonjës kanë kërkuar të kthehen, 8 janë kthyer pjesa tjetër brenda muajit”, tha Ibrahimaj.
Por në komision u pyet nga deputetët si të PD-së ashtu edhe të PS-së për kushtet e punës, nëse janë kërcënuar punonjësit dhe a është inspektuar kjo kompani turke që ka një leje minerare në Spaç.
“A jeni në dijeni që punonjësit janë kërcënuar?”, pyeti deputetja Hoti.
“Nuk jam në dijeni që punonjësit janë kërcënuar punonjësit e SPAC nga strukturat e ministrisë. Kam qenë prezent në takimin që kemi pasur”, u përgjigj Ibrahimaj.
“Minatorët thonë se nuk punojnë në oraret e parashikuara në kodin e punës. Minatorët pretendojnë për pagesa të padrejta dhe të ndryshme në varësi të kombësive pra mes shqiptarëve dhe punonjësve turq dhe kjo është hapur diskriminuese? Nëse rezultojnë të vërteta janë shkelje brutale ndaj punëtorëve. A ka pasur kontroll se çfarë ekstraktohet nga kjo minierë, dhe mbi zbatimin e kushteve nga ana e kompanisë?”, pyeti deputeti i PS Ardit Bido.
“Ne kemi rënë dakord që të bënim gjithçka për ti rikthyer në punë dhe së dyti në vijim të punësimit të tyre, do të merreshim me përfaqësimin sindikal të punonjësve nëse qëndron apo jo pretendimi i kompanisë për sindikatën. Me ndërprerjen e grevës do të hapej rruga që Inspektoriati të bënte kontrolle për kushtet e punës në minierë. Nuk është tagër monitorimi i nëntokës nga Inspektoriati i punës, por është i AKSEM. Ne vendosëm që me përfundimin e grevës të shkonim me një grup të përbashkët monitorimi”, tha Ibrahimaj.
Kurse kreu i Inspektoratit të Punës, Eljo Muçaj tha në Komision se në disa inspektime që i janë kryer kompanisë turke ndër vite, nuk janë konstatuar shkelje të pretenduara nga punonjësit.
“TETE Albania është inspektuar 10 herë, ka vetëm një denoncim për orët shtesë në vitin 2023. Tete është gjobitur 2 herë në vitin 2024, me nga 400 mijë lekë, aksidentet nuk kanë qenë me pasoja për jetë. Edhe për një aksident të dhjetorit 2024 është gjobitur nënkontraktoi. Kushtet në minierë janë normale, por nuk janë tonat. Subjekti garanton shërbim urgjence 24 orë, ka mensë shumë të mirë, dhe në lidhje me pagat e deklaruar, TETE ka paga 20-30% më të lartë se pagat që ka kjo industri. Tek TETE Albania nuk ka diferencime në paga mes punonjësve. Ne shkuam në një takim të përbashkët me TETE Albania, kemi shkuar për ti pritur në takim, por minatorët nuk pranuan. S’kemi asnjë rezultat nga inspektimet që orët nuk janë paguar nga kompania, një punonjës ka punuar 26 ditë në muajin gusht dhe ka marrë 257 mijë lekë”, tha kryeinspektori i Punës Eljo Muçaj.
Por kjo deklaratë për kreun e grupit të PD-së Gazment Bardhi është e papranueshme.
“Ju s’keni ardhur këtu për ti bërë reklamë kompanisë turke, por keni ardhur për të treguar nëse kompania respekton ligjet shqiptare. S’keni ardhur këtu të na tregoni nëse kishte mungesë sinqeriteti. Ju bashkë me kolegët tuaj i keni kërcënuar punonjësit se ata duhet të kthehen në punë se s’keni çfarë bëni se do flaken në rrugë. Nuk dëgjova çfarë masash keni marrë ndaj kompanisë që ka shkarkuar punonjës nga puna për shkak se një i punësuar ka shpallur grevë. Shqetësimet e minatorëve kanë qenë të vazhdueshme për kushtet e punës, punonjësit punojnë 3 turne, s’kanë pushime dhe s’kanë respektim të marrëdhënieve në punë. Këtu vihet në pikëpyetje edhe cilësia e inspektimeve tuaja. Ju duhet t’ia kishit hequr lejen kompanisë sepse ka shkelur kushtetutën”, tha Bardhi.
“Ne nuk kemi një verifikim institucional të pretendimeve të punonjësve, duhet ta kemi, por ne nuk mund të marrim masa pa fakte. Ka ndodhur në të shkuarën dhe kompanitë kanë fituar gjyqe ndaj shtetit, ndaj duhet të kemi të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, tha Ibrahimaj.
“Pse nuk e bëni inspektimin e kompanisë?”, pyeti Tabaku.
“Elementi i parë është që ne jemi njoftuar për grevë dhe elementi i dytë është që ky konflikt ka vajtur në gjykatë, që na pengojnë që të bëjmë një inspektim të thelluar”, përgjigjet Ibrahimaj.
Kurse deputeti i PS-së Erion Braçe tha se kompania nuk duhet të lejohet të shkelë Kushtetutën.
“Nëse pronari do të ketë sindikatë të vetën ta bëjë diku tjetër, është vullneti i punëtorëve për të zgjedhur sindikatën. Konfederatën e keni në këshillin e punës, kush është ajo kompani që e vë në dyshim. Kur ai thotë nuk të njoh se s’dua sindikatë, çfarë negociate do bësh. Nuk negociohet kushtetuta me pronarin e një kompanie”, tha Braçe.
Deputetët listuan ‘në emër’ të minatorëve, edhe një herë në komision të gjitha shkeljet që kompania turke ka bërë.
“Ka dy çështje, është pushuar nga puna përgjegjësi i turnit, si nuk mund të futet një minator brenda pa pasur përgjegjësin për situatën? Kompania pastaj nuk ka pranuar të drejtën e tyre sindikale. 26 ditë pune në atë kodin që lexoni ju legjitimohet. 26 ditë në 30 ditë, i bie më shumë se 6 ditë pune në javë. Ai ka punuar orë pune më shumë sesa njeh kodi juaj i punës, pra ka punuar më shumë se një turn. Ky është problemi, dhe është shumë evident. Të shkelet kodi i punës në këtë farë feje, nuk shkon”, tha Braçe.
“Ka diferencime të frikshme mes punonjësve shqiptar dhe turq. Ata që janë punëtor turq për të njëjtën punë marrin 2-3 herë më shumë”, tha Bardhi, duke ju referuar listpagesës për muajin gusht të minatorëve.
“Në këtë listpagesë që kemi përpara, një inxhinier gjeolog një shqiptar paguhet me 272 mijë lekë, ndërsa një turk paguhet 459 mijë lekë”, tha deputeti i PS Ardit Bido.
Pavarësisht se kompania turke prej muajsh tashmë është në konflikt me punonjësit, përsëri shkeljet nuk kanë ndaluar, pasi Tete iu ka kërkuar punonjësve që të nënshkruajnë disa kontrata personale ku deklarojnë nga të drejtat e tyre ligjore dhe nuk kanë asnjë pretendim për pagesat.
“A jeni në dijeni për deklaratat personale që kanë firmosur dje minatorët ku heqin dorë nga çdo e drejtë e tyre. “Me këtë deklaratë heq dorën në mënyrë të pakushtëzuar, të plotë dhe të parevokueshme nga çdo pretendim apo e drejtë ligjore në të tashmen apo në të ardhmen për të ndjekur procedurë administrative gjyqësore apo çfarëdo lloj kërkese tjetër ndaj punonjësit lidhur me ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke konsideruar të ndërprerë marrëdhënien e punës. Deklaroj se nuk do të ngrejë padi apo kërkesa pranë asnjë institucioni gjyqësor apo administrativ dhe nuk do të pretendoj asnjë dëmshpërblim, pagesë apo përfitim tjetër që lidhet me periudhën e mungesës sime në punë, apo me ndërprerjen e marrëdhënies së punës përpara këtij ri punësimi”, pyet Elda Hoti.
“Unë nuk kam dijeni për këto deklarata personale, do të marrim informacion për ligjshmërinë e kësaj deklarate”, u përgjigj Ibrahimaj.
Prej 13 tetorit minatorët e Spaçit në Mirditë, janë në grevë duke kërkuar kontrata të rregullta, paga të denja e kushte sigurie në punë.
Komente












Po pse moj ministre, ta ka bllokuar njeri rrugen ty qe te futesh ne miniere e te shikosh kushtet? Nuk ju vjen turp qe i keni kthyer prapanicen turqise?
Përgjigju