Ka një pamje që të bën të mendosh se drejtësia ka marrë hua skenografinë nga një kopsht zoologjik. Në sallën e gjyqit hyn i akuzuari. Jo thjesht i shoqëruar nga policia, por i vendosur brënda një kafazi sigurie, sikur brenda tij të flejë një dragua që pret vetëm momentin të shpërthejë. Publiku e sheh, gjykatësi e sheh, kamerat e shohin. Kafazi flet para se të flasë vetë njeriu. Ironia fillon kur mëson se protagonisti i kësaj drame nuk ka qëlluar kurrë në jetën e tij. As me çifte gjahu në pyll e as me pushkë uji për peshk. Sipas logjikës së kafazit, njeriu nuk është më i rrezikshëm për atë që ka bërë. I rrezikshëm është për atë që, imagjinata e të tjerëve mendon se ai mund të bëjë. Kafazi është një profet i çuditshëm. Ai nuk parashikon të ardhmen, por e shpall atë. "Ky njeri brënda kafazit mund të jetë i rrezikshëm." Dhe, sapo e fut brenda kafazit, gjysma e sallës bindet se duhet të jetë vërtet i rrezikshëm. Xhami i blinduar ose muri trasparent në sallën e gjyqit ka një autoritet që faktet e kanë zili. Sepse kafazi nuk është më thjesht një objekt fizik; bëhet një shenjë që parashikon, sugjeron dhe ndikon te mënyra se si njerëzit e lexojnë proçedurën gjyqësore. Kafazi nuk flet, por ndikon, nuk mund të vendos, por sugjeron dhe krijon atmosferën e dënimit. Nëse në seancën e ardhëshme do të vendosnin edhe një tabelë "Mos e ushqeni të akuzuarin", ndoshta askush nuk do ta vinte re si teprim. Dikush mund të kërkonte edhe një kujdestar që t'u shpjegonte vizitorëve zakonet e kësaj specieje të rrallë: "Ky ekzemplar ushqehet me prezumim pafajësie, por dieta nuk i jepet shpesh”.
Kafazi i xhamtë është kthyer në “profeti i fajit të parakohshëm”. Profeti zakonisht shpall diçka që do të vijë. Kafazi bën të kundërtën: shpall një përfundim para se të vijë vendimi. Ai nuk thotë: "ky njeri është dënuar", por krijon përshtypjen: "ky njeri duhet të jetë i rrezikshëm". Ai parashikon një faj që ende nuk është provuar. Ai nuk tregon vetëm gjendjen e të akuzuarit; tregon edhe frikën e shoqërisë. Është një mesazh pa fjalë: "Këtu ka rrezik". Kafazi i xhamtë dhe mungesa e kamerave janë një duet i përsosur ironik: i pandehuri ekspozohet pa mëshirë, ndërsa drejtësia mbetet jashtë fokusit. I pandehuri është nën xham, drejtësia jashtë objektivit.
Profetët e zakonshëm shikojnë të ardhmen dhe flasin për atë që do të vijë. Kafazi i xhamtë bën diçka më të guximshme: ai e shpall të ardhmen para se të ketë ardhur.
Ai nuk pret vendimin por, ai e paraprin atë, nuk thotë: "Ky njeri është fajtor." Dhe në këtë rast njerëzit çfaqin një dobësi të vjetër njerëzore, besojnë më shpejt atë që shohin sesa atë që dëgjojnë. Në vitet e para të komunizmit, gjyqet spektakolare kishin nevojë për altoparlantë. Zëri duhej të arrinte deri në shesh, sepse teknologjia nuk dinte të bërtiste vetë. Sot nuk ka më nevojë për altoparlantë. Mjafton një telefon ose një ekran, një rrjet social është i mjaftueshëm. Koha dixhitale është altoparlanti më i madh që ka shpikur njerëzim sepse, ajo mund ta shndërrojë një sekondë fotografi në përjetësi.
E megjithatë, pikërisht në epokën kur gjithçka mund të transmetohet, kamerat ndalohen. Pse? Kjo të shtyn drejt një dyshimi të pakëndshëm. Ndoshta frika nuk është nga i akuzuari. Ai tashmë është i kyçur në kafaz. S'ka ç'të bëjë më shumë? Problemi nuk është kamera, por fakti që ajo nuk negocion me të vërtetën dhe nuk i nënshtrohet harresës. Sepse kamera ka një ves të keq: nuk redakton grimasat, nuk korrigjon fjalitë që mbeten përgjysmë, nuk zbukuron arsyetimet që humbin rrugën nga një paragraf në tjetrin. Kamera në gjyq është dëshmitarja më e pamëshirshme. Nuk komenton, nuk polemizon. Vetëm regjistron. Brutalisht regjistron atë që ndodh.
Në një shoqëri normale, i akuzuari do të ishte ai që do të duhej t'i trembej kamerës. Do të kërkonte qoshen më të errët të sallës, dritaren pa dritë, proçesverbalin mundësisht pa fotografi. Do të lutej që gjyqi të kalonte sa më pa zhurmë. Te ne, në sallat e “gjyqeve të mëdha” po ndodh e kundërta. I akuzuari kërkon dritë. Kërkon transmetim televiziv të gjyqit. Kërkon që gjyqi të dalë në mejdan. Është sikur njeriu brënda kafazit të thërrasë: "Hapeni perden! Le të shohin të gjithë." Ndërsa tellalli... hesht.
Jo ai tellalli i vjetër, që dilte në pazar me kambanë e bërtiste lajmin derisa t'a dëgjonte edhe fshati përtej kodrës. Ky është tellalli modern. Me mikrofon, me kamera, me internet me fibër optike dhe një mijë mënyra të tjera për të folur. Por tellalli ynë ka zgjedhur luksin më të shtrenjtë, atë më komodin, “Heshtjen”. Është një heshtje që kushton më shumë se çdo altoparlant.
Paradoksi bëhet aq i plotë, sa humori i zi nuk ka më nevojë të shpikë asgjë. Mjafton të mbajë shënime.
Ndoshta kamera nuk tremb sepse regjistron të akuzuarin. Ajo nuk filmon vetëm fytyrën e njeriut në kafaz, filmon edhe fytyrën e drejtësisë, e kjo ndoshta trëmb. I trëmben një pamjeje që me vendim gjykate nuk mund të retushohet.
Frika, atëherë, nuk duket se buron nga mundësia që i akuzuari të kryejë ndonjë akt të papritur. Frika duket se buron nga mundësia që publiku të shohë një institucion ashtu siç është, pa interpretim, pa konferenca për shtyp, pa komunikata, pa zëdhënës. Vetëm një sallë, disa njerëz dhe një kafaz prej xhami. Sikur Franz Kafka të shëtiste një pasdite në Tiranë, ndoshta do të hynte rastësisht në atë sallë. Do të shikonte kafazin, kërkesën e të akuzuarit për transparencë, refuzimin për ta transmetuar gjyqin dhe do të mbyllte bllokun e shënimeve.
"Jo," do të thoshte me një buzëqeshje të zbehtë. "Këtë unë nuk mund ta shkruaj. Asnjë lexues nuk do t'a besonte”.
Sepse letërsia absurde e ka një kufi. Realiteti jo. Në fund, kafazi mbetet aty si monumenti më i sinqertë i kohës sonë. Nuk simbolizon domosdoshmërisht rrezikun e të akuzuarit. Simbolizon ankthin e autoritetit përballë syrit të publikut. Dhe kjo, nga të gjitha është shakaja më e hidhur.
Në shekullin e kamerave, nuk kemi frikë se mos publiku nuk e sheh drejtësinë. Ububu, kemi frikë se mos e sheh atë tepër qartë. Një institucion që ka fuqinë të të heqë lirinë, ndonjëherë duket se nuk ka guximin e nevojshëm të përballojë një objektiv kamere. Kjo e bën pyetjen të pashmangshme: kush është më i pambrojtur, njeriu brenda kafazit apo autoriteti jashtë tij? Një paradoks që nuk e shpiku Franz Kafka. Ai vetëm do ta kishte zili. Një institucion që ka fuqinë të arrestojë, të burgosë, të gjykojë dhe të vendosë për lirinë e një njeriu, papritur duket i pasigurt përballë një kamere, një syri prej xhami.
Dhe pikërisht aty fillon ankthi. Sepse pushteti nuk ka gjithmonë frikë nga kundërshtari. Më shpesh ka frikë nga pasqyra. Sa kohë publiku nuk është në sallë, autoriteti juridik e rrëfen vetë historinë e tij. Ai zgjedh fjalët, fotografitë, këndet dhe momentet. Është një roman me një autor të vetëm. Por kamera, dreqi e mori, është një autor i pabindur. Ajo nuk pyet se cili është këndi më i favorshëm për institucionin. Nuk pyet nëse një kafaz duket më pak kafaz nga ana e majtë apo nga ana e djathta. Nuk pyet nëse heshtja tingëllon më dinjitoze se përgjigjja. Kamera është “profesionisti” më i rrezikshëm në një sallë gjyqi.
Autoriteti i sistemit nuk matet me çelësat që mban në brez. Matet në aftësinë për të mos pasur frikë nga sytë që e shohin duke i përdorur.
Nëse një institucion ka besim tek drejtësia e vet, ai nuk e ka problem të jetë i dukshëm.
Nëse dukshmëria e shqetëson institucionin më shumë se i akuzuari, atëherë ndoshta, … “ashtu mos qoftë”, kafazi ndodhet në anën e gabuar të sallës. Nuk po them se realiteti është kafkian, po them se realiteti ka kaluar përtej asaj që letërsia kafkiane mund të përfytyronte.
Është më e saktë të thuash se, po të ishte gjallë Kafka, do të hiqte dorë nga trillimi dhe do të kërkonte punë si kronikan gjykate. Për herë të parë në histori, imagjinata njerëzore nuk arrin ta ndjekë realitetin.
Një roman, sado absurd, duhet të mbetet i besueshëm për lexuesin. Ndërsa realiteti institucional nuk e ka këtë kufizim; ai mund të prodhojë situata që, po t'i shkruante një shkrimtar, do të dukeshin si ekzagjerime të pabesueshme.
Sigurisht, askush nuk e mohon se ka raste kur masat e sigurisë janë të domosdoshme. Ka njerëz që kanë treguar me vepra se përbëjnë rrezik real. Por kur kafazi bëhet zakon, ai pushon së qeni masë sigurie dhe fillon të ngjajë me dekor. Një dekor që i thotë publikut se shfaqja ka vendosur fajtorin para se të nisë dialogu. Në fillim më habiti kafazi. Pastaj më habiti fakti që askush nuk habitej. Kafazi nuk ishte më një përjashtim. Ishte bërë mobilie. Askush nuk pyeste se çfarë bënte aty. Ai ishte po aq i natyrshëm sa tavolina e gjyqtarit. Atëherë kuptova se absurdi nuk fillon kur vendoset kafazi. Absurdi fillon kur askush nuk e sheh më. Në atë çast, xhami i blinduar pushon së qeni xham. Bëhet zakon. Dhe zakoni është forma më e rafinuar e absurdit. Sepse njeriu mund të mësohet me gjithçka. Madje edhe me idenë se liria duhet të presë jashtë derës së sallës së gjyqit, ndërsa kafazi hyn brenda si pjesë e mobilimit. Kjo nuk është më fitore e forcës. Është fitore e zakonit. Dhe zakoni nuk bërtet kurrë. Si çdo gjë që zgjat mjaftueshëm, edhe absurdi fiton statusin e normales. Rreziku më i madh nuk është ekzistenca e kafazit, por momenti kur askush nuk pyet më, pse ai është aty. Në epokën kur gjithëçka mund të transmetohet, kamerat në gjyq ndalohen.
Ndoshta kjo është fitorja më e madhe e absurdit: jo se na merr pronën, jo se na mohon drejtësinë, por se na bind se, pritja pa fund për t'a pranuar atë si të pashmangshme, është një formë normale e jetës. Nuk është e pazakonshmja ajo që duhet të na trembë. Është qetësia me të cilën e pranojmë absurdin institucional. Sepse shoqëritë nuk rrënohen vetëm nga padrejtësitë. Rrënohen edhe nga aftësia për të bashkëjetuar me to pa u çuditur më. Kafazi i xhamtë ekspozon njeriun; mungesa e kamerave mbron sistemin./ Tema
Komente









