Minella Aleksi: Të jetosh një gënjeshtër

Minella Aleksi: Të jetosh një gënjeshtër

Studjuesit vërejnë se pushteti i tërheq njerëzit me personalitet patologjik njëlloj si magneti metalin. Kur këta njerëz janë në funksione shtetërore fillojnë e korruptohen nga frika e humbjes së pushtetit.

Demokracia tepër e brishtë nuk është destinacion por një udhëtim. Jo më kot shtetarët antikë grek thërrasin: dyshoni te të gjithë ata që e kërkojnë pushtetin, duke filluar nga Kryetari i shtetit. Fuqia e madhe ekzekutive dhe Frika e humbjes së këtij pushteti është shkrepsja që ndez motorrët dhe lëviz mekanizmin korruptiv. Prandaj metri me të cilin matet pushtetari është ajo se çfarë bën me Pushtetin, zbulon se kush ai është në të vërtetë.

Shoqëria shqiptare është e mbërthyer në katërkëndëshin Berisha, Meta, Rama, Basha. Tre të parët personalitete patologjikë, i janë ngjitur pushtetit të përthithur nga forca e tij magnetike. Sali Berisha sociopat i çertifikuar disa herë me rrezikshmëri të lartë shoqërore të provuar. Në vendin e tij të origjinës përdorin shprehjen “Me njoftë veten ashtë urti, me qeveris veten ashtë trimni”.

Rasti Sali Berisha është analog me Antoni Salazar, ish Diktatorin portugez që mbas 26 vjetësh në pushtet pësoi goditje në tru. Ashtu i sëmurë nuk e kuptonte dot veten pa qënë në Zyrën e drejtuesit të shtetit. Haloperidoli i tij ishte funksioni i Kryetarit të shtetit që e ushtronte prej shumw vjetësh. E ushqente shpirtin me iluzionin se Zoti e kish zgjedhur për të udhëhequr popullin e tij drejt majave.

Kryetari i ri i shtetit kërkoi që ashtu të sëmurë të mos e largonin nga rezidenca e kryetarit të shtetit. Ngrysej, gdhihej dhe jetonte me gënjeshtrën se vazhdonte të ishte në pushtet. I sillnin të njohur nga zona e tij e origjinës të cilët i ankoheshin për punë të pambaruara dhe ai i jepte porosira lart e poshtë sekretares për të përcjellë shqetësimet e tij te ministrat imagjinar.

Ndonjëherë rastiste që e hapte ai vet derën dhe kur i ardhuri kërkonte të takohej me presidentin e ftonte të ulej dhe i prezantohej: unë jam presidenti. Herë pas here kujdestarja e tij prej 40 vjtësh i përsëriste që, për arsye shëndetësore të jepte dorëheqje ndërsa ai i përgjigjej: “Nuk mund të shkoj. Nuk ka njeri tjetër”..

Kështu thotë Sali Berisha, i vetëm, s'ka tjetër “Sovranist” që mund të ndeshet me Amerikën. Jeton me iluzioninn se jeta e tij merr kuptimin e plotë kur çdo mbrëmje i zbulon grupit të dëgjuesve poshtë ballkonit padrejtësitë, qëndrimet e gabuara të superfuqive, jep këshilla zgjidhjesh të konflikteve në botë, u lexon të verbërve edipianë dhe shurdhëve injorantë projektet e tij ekonomike dhe taktikat e instalimit të qeverisë teknike.

Legjenda “non grata” e PD-së, i përgjëruari për Shqipërinë, “Të Bukurën e dheut” bëri historinë e transformimit të “Së Bukurës” në më “Të shëmtuarën” e botës”. PD-ja e zbërthyer në 4-5 grupe sot më ngjan si grupet komuniste shqiptare të viteve 40-të, që nuk formonin dot një parti të vetme. Edhe aktivistes sovraniste, amerikanes Evi Kokalari që sakrifikoi kohë të gjatë nga jeta e saj në dobi të grupazheve PD-iste nuk i zuri rrënjë fara sovraniste e bashkimit.

Një natë para protestës së fundit Edit Harxhi në TV thoshte me sigurinë e një matematicieneje se shumë shpejt do kemi surpriza në politikë. Do shikoni, duroni. Po lobohet fuqishëm në disa plane për lirimin e Berishës. Kur thoshte këto fjalë bënte një përpjekje të dukëshme për t'u dukur buzëqeshur. Buzagazi i asaj që mbahet si takticenia elokuente e PD-së, në sytë e shikusve ishte si buzëqeshja e dhimbjes mizore. Vuajtja cfilitëse e pushtetit të pamundur.

Zonja Harxhi kishte marrë barrën e përcjelljes së mesazhit të protestës që më kujtonte shprehjen popullore: edhe kjo iku me shoqet, Opozitë të rrofshin lobet. Pyetjes se ç'do të thotë të jesh berishian do i përgjigjesha:

-Nëse je berishian dhe inteligjent, nuk je i djathtë,

-Nëse je i djathtë dhe i ndershëm, nuk je berishian,

-Nese je berishian dhe i djathtë, nuk je inteligjent, (modeli nacionalist pa ideale, Alizoti dhe Gjekmarkaj.).

O njeri, të mburresh se i ke dhënë besën kryetarit të partisë? Mjerë ai popull që nxjerr me shumicë besnikë të kryetarit të partisë, e të pabesë ndaj atdheut.

Me dy gishtat lart, ai nga dritarja dhe ata poshtë ngjajnë si “Liza në botën e ëndrrave”, ose si “rithemeluesit në botën e dëshirave". Të gjithë të mashtruarit rreth Berishës në pamundësi që të ndryshojnë veten, ëndërrojnë që të ndryshojnë Ramën. Utopira të vet-gënjyerish. Mendoj se me Sali Berishën në krye të shtetit dhe në krye të Opozitës vëndi përjetoi një gënjeshtër shumë të madhe, vet-mashtrimin berishian.

Pengu i tij, ai që mëlçinë ia bluan pak nga pak është: “Ai, i gjati, Edvin Kristaq Rama”. Masakruesit bënë gabimin fatal atë natë me shi, kur e rrahën me leva dhe për të zezën e Dr.Berishës gabuan rëndë në përcaktimin e vdekjes. Tani i duhet Saliut që të paguaj për gabimin e tyre. Berisha sa herë ka bërë një të keqe mendon se askush nuk e di. Doktroi i vet-mashtruar që beson shumë te gënjeshtra.

Ndodhitë e pakëndshëm për atë vet, i kthen në burim gënjeshtre të re. Prandaj për çdo ngjarje ka gjithmonë disa të vërteta që ndryshojnë nga njëra tjetra në kohën kur i tregon. Më 22 qershor 1991, dita e mitingut unikal në sheshin Skëndërbej ku Berisha me mbështetje maksimale amerikane u gjënd përkrah Sekretarit të Shtetit James Baker dukej si më proamerikani në planet.

Sot, ajo çfarë Berisha përfaqëson është e kundërta, njeriu i pa dëshiruar për amerikanët dhe BE. Një i vet-mashtruar si më pro-amerikani që mashtroi shumë mirë të tjerët derisa ju gërrye kallaji deri në fund si antiamerikani e antieuropiani defakto.

Statusi i Sali Berishës sot, “Non Grata”, flet me zë shumë më të lartë sesa fjalët.

Ilir Meta personalitet patologjikë, e kërkoi me ngulm pushtetin. “Martir i Kushtetutës” që po vuan nga të gjitha ato çfarë bëri me pushtetin.

Edi Rama i treti, e kërkoi me ngulm pushtetin, me dëshira të mëdha të shpallura publikisht, erdhi si artist që fjalën e lirë në publicistikë e kishte mbresëlënëse. Por në kohën e Berishës fjala e lirë shpërblehej me çarje kafkash. Kuptoi se mund të vinte në pushtet edhe nëpërmjet një partie që nuk e honepste.

Rama ka plot mëkate, se ato të shkreta duam s'duam janë shumë të ëmbla. Sjelljen me pushtetin e ka si një mozaik me pjesë të bukura impresionuese të alternuara me copa mballomash njollash të murrëta. Ka ndërtuar disa gjëra që të bëjnë të ndihesh qytetar si në vëndet përreth.

Për të tjerat, korrupsionin galopant qeveritar, korrupsionin e ndrikullës, atë të porteve me arabët, etj etj, jam i prirur që t'i hamendësoj derisa të shikoj fundin. Do ndjek urtësinë e Solonit, një nga shtetarët e civilizimit grek, i cili kur u pyet nga Mbreti i Persisë Cyrus se, a mendonte që lavdia, pasuria dhe territoret e pafund e bënin atë njeriun më të lumtur, Soloni urtësisht i tha: Më duhet të të shoh fundin pastaj të përgjigjem.

Mbas ca kohe Soloni i kthyer në Athinë mësoi se Mbretin e kishin burgosur dhe në vetminë e burgut përsëriste: “ o Solon, o Solon”. Lulëzimi Bashs asnjëherë i zgjedhur, gjithmonë i ngarkuar kryetar i PD-së, meritën më të madhe i njohin përjashtimin e Berishës. “Përjashtimin e Berishës m'a kërkuan amerikanët. Berisha mbetet legjenda jonë historike”.

Kjo nënkuptonte që Lulëzimi asnjëherë nuk e kalonte nëpër mend që t'a largonte Berishën nga grupi i PD-së, por përpara kokës së vet, me bishtin nën rrotë, e përjashtoi. Lulëzimi shpalosi para 4-5 javësh, 1 vit para votimeve programin elektoral. Risia, shporta e premtimeve ishte punë 100 ekspertësh, vendas dhe të huaj. Shifra 100, as 98 që nënkupton mangësi dhe as 103 që shprehte tepri. Nga ajo shportë premtimesh zgjodha një çështje.

Që e mendoj me interes për votuesit. Qeveria imagjinare e Lulëzimit do shpërblej me 20 mijë euro lindjen e fëmijës së tretë, si shprehje e mbështetjës dhe e mbarështimit familjar shqiptar. Besoj se si jurist Lulëzimi e njeh mirë algoritmin e pemës përfituese trashëgimore kur është fjala për pronat e financat familjare. Mendoj se do vlente që të na shpjegohej në detaje çështja e numrave në përbërje të familjeve.

Psh, familja i ka tre fëmijë dhe mendon se shpërblimi mund të jetë nxitje për fëmijën e katërt. Do e përfshij qeveria e tij këtë të katërtin në shpërblim??. Po sikur burri t'i ketë dy fëmijë me gruan e parë dhe bën të tretin me të dytën, ndahet 20-ta e eurove mes tyre?. Ose anasjelltas për gruan e kurorëzuar dy herë??

Ky premtim mendoj, është i zgjidhur për ata meshkuj që kanë 2-3 gra ku 20-ta i mbetet gruas së radhës plus burrit aktual. Sa mirë do ishte që për fëmijën e katërt çiftet të inkurajoheshin me dhurimin e një lope të mbarsur të racës hollandeze dhe bashkë me fëmijën e katërt të familjes do sillte në shtëpi edhe viçin e njomë të radhës.

Grupit të ekspertëve të Lulëzimit do u kujtoja se te detajet fshihet suksesi. Sa më të detajuara sqarimet aq më shumë afrohet suksesi për Lulëzimin si Kryministër në pritje. Ekspertë të ekonomisë, të lumturuar duke qënë të vet-mashtruar. Mos harroni, se zemra e njeriut që po mbështesni ka arsyet e saj, për të cilat vet arsyeja nuk di asgjë.

S.B/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lelo: 17/07/2024 18:06

    Një analizë perfektë që rrallë mund të kem lexuar për këto fakte që trajtohen shpesh dhe nga autorë si gazetarë dhe analistë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë