Në Tiranë po mbahet Ministeriali e Korridorit VIII, me fokus avancimin e bashkëpunimit strategjik në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal.

Gjatë fjalës së tij Timčho Mucunski, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, tha se Korridori i VIII është një pikë strategjike që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit në tregun e përbashkët evropian.

“Është kënaqësi që ndodhemi në Tiranë. Korridori VIII është një lidhje mes Adriatikut, Jonit dhe Detit të Zi dhe është një korridor që mund të përshpejtojë integrimin e Ballkanit në tregun e përbashkët evropian. Ne e njohim rëndësinë që ka për NATO-n dhe në kontekstin e BE-së. Na duhet të ecim përpara edhe më shpejt, dhe sot kjo lidhet më tepër me qëndrueshmërinë për të lëvizur me siguri mallrat dhe njerëzit, si dhe për të ngritur kapacitetet tona”, tha ai.

Ai shtoi se Korridori VIII mund të shndërrohet jo vetëm në një aks të rëndësishëm transporti, por edhe në një bosht energjetik, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve energjetike dhe në ndërtimin e infrastrukturës që mbështet tranzicionin energjetik të qëndrueshëm.

“Këto rezultate duhet t’i ndiejnë vetë vendet dhe vetë qytetarët: distanca më të shkurtra, më të shpejta, dhe zbatimi i standardeve evropiane. Korridori VIII mund të shndërrohet jo vetëm në një aks ndërlidhjeje transporti, por edhe energjetike dhe të rezistencës. Mund të forcojmë lidhjet energjetike dhe të ndërtojmë infrastrukturë që e bën tranzicionin energjetik më të qëndrueshëm”, u shpreh ministri.


Lajmi kryesor:

Tiranë/ Ministeriali i Korridorit VIII! Spiropali: Shqipëria nyje e besueshme e këtij projekti! Tajani: Do ju mbështesim që të bëheni pjesë e BE