Reshjet e ditëve të fundit kanë shembur një segment rrugor prej 20 metrash në rrugën e re të rikonstruktuar të fshatit Usojë té bashkisë Mallakastër ndërsa asfalti ka përfunduar në oborrin e një banese private.
Reshjet nxorën në pah atë që banorët kishin frikë prej kohësh , mungesë standartesh dhe të elementëve bazë teknikë, siç janë muret mbajtës për mbrojtjen nga erozioni dhe mungesën e kanaleve kulluese anësorë.
Rrëshqitja e asfaltit ndodhi rreth orës 11:00 të ditës së djeshme duke rrezikuar banesën e familjes Kamaj. Fatmirësisht në ato momente nuk ka qënë asnjë nga anëtarët e familjes siç tregon Bektash Kamaj.
“Dje rreth orës 11 më lajmëruan prindërit për murin që ka rënë. Është një fatkeqësi natyrore, nuk është faji i dikujt. Në banesë ishin vetëm prindërit dhe fëmijët. Shtëpia është mbi 100 vjeçare. Na është shkëputur energjia. Nuk ka dëme brenda, veç inerteve jashtë. Kemi njoftuar Bashkinë dhe presim,” tha ai për mediat.
Aktualisht rruga është e pakalueshme , ndërkohë që përgjegjësi i infrastrukturës në drejtorinë e Bashkisë Mallakastër Kasëm Saliaj, pohon se është duke u punuar për pastrimin e inerteve nga oborri i banesës dhe është lajmëruar firma zbatuese e projektit e cila pritet të ndërhyjë ditën e nesërme.
“Dje rreth orës 11 sapo kemi marrë informacionin për pjesën e dëmtuar të rrugës, kemi ardhur bashkarisht me Drejtorinë e Ndërmarrjes. Kemi marrë masat për të lejuar kalimin e mjeteve. Ishte fat i mirë që nuk ka kaluar asnjë makinë në ato momente. Kemi vendosur shiritin e sinjalizimit, kemi derdhur edhe çakull në të dyja anët e rrugës për ta përforcuar sinjalizimin. Më pas njoftuam firmën dhe brenda ditës së sotme do të bëjnë konstatimin dhe nesër do të fillojnë punën brenda mundësive që na lejon vetë terreni që siç e shikoni është i vështirë. Është fat i madh që nuk kemi njerëz të lënduar. Arsyeja është relievi që është gërryer nga të dyja anët për shkak të lagështirës dhe kjo nuk është rrugë e re. Kjo është rrugë ekzistuese dhe nuk ka investim të madh” tha ai,
Ndërkohë banorët e Usojës nuk fshehin zhgënjimin për rrugën e shembur e cila sipas tyre rrezikon edhe në segmente të tjera.
‘U kam thënë që kur bëni xhadenë ose bëjeni siç duhet ose lëreni. Duhej vendosur mur deri andej, sepse kemi pasur probleme të mëdha këtu. Kjo rrugë do të donte mur por ai i Bashkisë ka thënë ‘ e dimë ne atë punë’. Prandaj shteti të vërë dorë këtu. Nëse nuk bëhet muri, prapë do vuajmë. E bëmë kërkesën, na thonin ‘ik qërohu se e dimë vetë’. Si përfundim këtë kanë bërë. Kemi frikë do ikë një fshat i tërë. Këtu është moçal, është ujë, dhe do të ketë rrëshqitje sërish” tha Gëzim Kama, banor i zonës.
“Ka rrezik të ikë gjithë rruga. Ne kemi shtëpitë lart. Ata të parët na kanë premtuar që do të bënin mur dhe nuk e bënë. Kjo është rrugë ekzistuse, ka qenë rrugë me taban e jo kështu. Këtë uji e ka shkaktuar. Pa kanalizime nuk mbahet asnjë rrugë” tha një banor tjetër.
“Ata që bënë rrugën ta kishin bërë murin. Pardje kalova këtu dhe thashë që do bjerë rruga për shkak të ujit. Rruga e do kanalin në anë. Ata që bënë rrugë nuk bënë kanale. Është pa standarde. Rrugë është kjo pa kanal? Sytë në ballë i kishin! Le ta rregullonin mirë” tha një banore e zonës.
“Vijnë sa marrin normën apo lekun. Vini dorë se është gjynah. Jemi në hall të madh” tha një tjetër.
Segmenti rrugor prej 1.5 kilometër është pjesë e projektit për rikonstruksionin e rrugëve në fshatrat Belistan , Usojë dhe Drenové e Re, punimet e së cilës u realizuan nga kompania “ Llazo sh. p. k” e shpallur fituese nga Bashkia Mallakastër .
Komente











Shume te drejte kané banoret pa murin mbrojtes dhe pa pemëzim mbjellje pishave anes rrugeve , do shemben ! Kjo ndodh kudo ho vetem ne MALLAKASTER por cdo zone! Muri mbrojtes eshte fakt I madh !
Përgjigju