Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Malit të Zi që situatën aktuale politike në vend ta tejkalojë vetëm me mjete kushtetuese, në mënyrë që vendi kandidat të mund të vazhdojë rrugëtimin në procesin e integrimeve evropiane.
Mali i Zi është një prej temave të diskutimit gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, që po zhvillohet të hënën në Bruksel.
Sipas paralajmërimeve, për situatën në Mal të Zi pritet të raportojnë së bashku ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.
Ata kanë vizituar Malin e Zi në emër të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Zyrtarët e BE-së thonë se këto vizita të dy ministrave të Jashtëm të dy vendeve anëtare në Podgoricë ishin të suksesshme.
Ata thanë se udhëheqësve politikë në Mal të Zi u është dërguar mesazhi i qartë se situata e tashme mund të zgjidhet vetëm me mjete ligjore, duke kërkuar edhe zgjedhjen e dy gjykatësve, në mënyrë që të funksionalizohet Gjykata Kushtetuese.
Ky do të ishte një parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta në Mal të Zi.
Edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërlliq Radman, ka paralajmëruar se do të flasë për situatën në Mal të Zi, pasi edhe ai, para disa ditësh kishte qëndruar për vizitë atje.
“Ftojmë Malin e Zi që ta kuptojë seriozisht mesazhin e BE-së për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjin e diskutueshëm për presidentin. Ne kemi nevojë për Malin e Zi, na duhet një Mal i Zi stabil, i orientuar në mënyrë të qartë kah vlerat evropiane”, ka thënë ministri i Kroacisë, duke shprehur bindjen se Mali i Zi do të tejkalojë krizën politike dhe do të avancojë në rrugën e integrimeve evropiane.
Mali i Zi është vendi udhëheqës nga rajoni i Ballkanit Perëndimor në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Por, problemet e brendshme politike kanë ndikuar që procesi të ngadalësohet.
Disa burime diplomatike në Bruksel, madje, kanë tërhequr vërejtjen se i tërë procesi mund të ndalet nëse nuk sigurohet sundimi i ligjit dhe funksionalizimi i Gjykatës Kushtetuese. REL
ne europe do hyni si doje europa, mali i zi i perket europes edhe sduhet te ket mal te zi, me pak llafe europa esht ligji i nazizmit, edhe nuk e ka te gjate.
Përgjigju