Ministri Beqaj: Lufta kundër
kancerit, Shqipëria histori suksesi

Ministri Beqaj: Lufta kundër<br />kancerit, Shqipëria histori suksesi
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, mori pjesë dje në Konferencën e Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEA) që po zhvillohet në dt. 14-18 shtator në Vjenë, Austri, ku mbajti fjalën në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në këtë organizatë.
 
Shqipëria ka bashkëpunim të shkëlqyer me Agjencinë, ku deri në Shtator 2015, ajo e ka zbatuar me sukses Programin e saj Kombëtar të Bashkëpunimit Teknik në një shkallë të jashtëzakonshme arritjeje prej rreth 95%, tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj. Bashkëpunimi Teknik ka qenë në linjë me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, duke përfituar mbështetje në disa sektorë të rëndësishëm tematikë, dhe veçanërisht, në atë të kujdesit shëndetësor, por gjithashtu, edhe në ato të mjedisit dhe bujqësisë, - tha ai.
 
Në panelin e punimeve të pasdites – PACT Side Event - së Konferencës, Ministri Beqaj ishte panelist kryesor, në panelin e drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i kësaj organizate, Dr. Yukiya Amano.
 
Shqipëria është Zonë Model e Demonstrimit (Model Demonstration Site) e Programit të Veprimit të Agjencisë për Terapinë e Kancerit (PACT), dhe Ministri Beqaj shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të vazhduar në këtë drejtim edhe në të ardhmen, duke siguruar panelistët për angazhimin e saj të plotë për përforcimin e mëtejshëm të aktiviteteve të kontrollit të kancerit në vend.
 
Ne jemi krenarë që një nga projektet e TC-së është përzgjedhur si histori suksesi me emrin: “Më të fuqishëm së bashku – ANEA dhe partnerët e OKB-së punojnë me Shqipërinë për të luftuar kancerin”, - tha më tej z. Beqaj.
 
Kreu i shëndetësisë shqiptare foli rreth punës dhe përmirësimit të ndjeshëm të cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve të saj të diagnostikimit dhe terapisë së kancerit, duke u shprehu i gatshëm për të ndarë përvojën e fituar në këtë drejtim me Shtetet e tjera Anëtare.
 
Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në shqip dhe anglisht.


Z. President,
 
Më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj si President i Sesionit të 59-të të Konferencës së Përgjithshme të ANEA-s. Ju uroj suksese në përpjekjet tuaja dhe ju siguroj për mbështetjen tonë të plotë.
 
Shqipëria i bashkohet përshëndetjes së vendeve të tjera për mirëseardhjen e Barbados dhe Antiguas, Barbudës dhe Turkmenistanit si vendet më të reja anëtare të ANEA-s.
 
Shqipëria rreshtohet tërësisht përkrah qëndrimit të mbajtur nga BE-ja. Megjithatë, ne do të dëshironim të paraqisnim qëndrimet e mëposhtme në kapacitetin tonë kombëtar.
 
Që nga Konferenca e Përgjithshme e fundit, Agjencia ka bërë përparim të konsiderueshëm në të gjitha fushat e aktiviteteve të mandatit të saj. Raporti Vjetor i ANEA-s për vitin 2014 është një dokument i plotë i punës dhe arritjeve të ANEA-s, të cilat mbështeten nga Shqipëria. Unë do të prek disa prej tyre, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për vendin tim.
 
Programi i Bashkëpunimit Teknik (TC - Technical Cooperation) ka një rëndësi të veçantë për shumicën e vendeve anëtare të Agjencisë. Ai promovon zhvillimin tonë socio-ekonomik. Ne e kemi mbështetur fuqimisht thirrjen e përsëritur të Drejtorit të Përgjithshëm se shkenca dhe teknologjia bërthamore duhet të bëhen pjesë e Axhendës post-2015 për Zhvillim të Qëndrueshëm, për vetë faktin se 13 nga 17 Objektivat e saj kanë lidhje të drejtpërdrejtë me teknologjitë bërthamore. Ne jemi të kënqaur që kjo është tashmë pjesë e këtyre Objektivave. Gjithashtu, ne besojmë fuqimisht se rreshtimi i objektivave të zhvillimit kombëtar të Shteteve Anëtare përkrah Programit TC e përqëndron mbështetjen në sektorët prioritarë me impakt më të madh.
 
Shqipëria ka bashkëpunim të shkëlqyer me Agjencinë. Deri në Shtator 2015, ajo e ka zbatuar me sukses Programin e saj Kombëtar të TC-së në një shkallë të jashtëzakonshme arritjeje prej rreth 95%. Bashkëpunimi teknik ka qenë në linjë me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe do të vazhdojë të jetë i tillë. Ne kemi përfituar mbështetje në disa sektorë të rëndësishëm tematikë, dhe veçanërisht, në atë të kujdesit shëndetësor, por gjithashtu, edhe në ato të mjedisit dhe bujqësisë.
 
Lufta kundër kancerit është një nga përparësitë e axhendës e Qeverisë së Shqipërisë. Ne e vlerësojmë së tepërmi mbështetjen në vazhdim të ofruar nga Agjencia nëpërmjet programit të saj të bashkëpunimit, veçanërisht në kuadrin e Programit të saj të Veprimit për Terapinë e Kancerit (PACT – Programme of Action for Cancer Therapy), për mbështetjen e zbatimit të suksesshëm të “Programit tonë Kombëtar të Kontrollit të Kancerit”. Në bashkëpunim me ANEA-n dhe partnerët e saj, Shqipëria ia ka dalë të zhvillojë, zgjerojë dhe përmirësojë kapacitetin e saj për kontrollin e kancerit nëpërmjet integrimit të mjekësisë rrezatuese në një Program gjithëpërfshirës të Kontrollit Kombëtar të Kancerit (NCCP); ne i kemi përqëndruar aktivitetet dhe investimet në të gjitha fushat e kontrollit të kancerit, përkatësisht, parandalimin, survejancën, zbulimin e hershëm, diagnozën, trajtimin, dhe kujdesin paliativ në sistemin e kujdesit publik shëndetësor.
 
Shqipëria është Zonë Model e Demonstrimit (Model Demonstration Site) e Programit të Veprimit të Agjencisë për Terapinë e Kancerit (PACT), dhe dëshiron të vazhdojë të jetë e tillë edhe për disa vite të tjera, pasi ajo është plotësisht e angazhuar për të përforcuar më tej aktivitetet e kontrollit të kancerit në vend. Ne jemi të gatshëm të ndajmë përvojën e fituar në këtë drejtim me Shtetet e tjera Anëtare.
 
Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve të saj të diagnostikimit dhe terapisë së kancerit. Shërbimet e mjekësisë Radioterapeutike dhe bërthamore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” të Tiranës janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë dhe janë plotësisht operacionale. Njëkohësisht, infrastruktura e Spitalit për mbrojtjen nga rrezatimi është në përputhje me Standardet e Sigurisë së ANEA-s. Ne jemi krenarë që një nga projektet e TC-së është përzgjedhur si histori suksesi me emrin: “Më të fuqishëm së bashku – ANEA dhe partnerët e OKB-së punojnë me Shqipërinë për të luftuar kancerin”.
 
Ne jemi të fokusuar tashmë në përforcimin e mëtejshëm të kontrollit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të kancerit, me një vëmendje të veçantë ndaj fëmijëve dhe grave. Shërbimet e Mjekësisë Bërthamore do t’i zgjerojnë aktivitetet e tyre për pacientët, si dhe për edukimin e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve; shërbimet e radioterapisë do të fuqizohen së shpejti me instalimin e një akseleratori (përshpejtuesi) të ri të rrezatimit të elektroneve. Mbështetja e mëtejshme e ANEA-s për aplikimin dhe konsolidimin e teknoogjisë së akseleratorit linear në onkologji është e nevojshme dhe tepër e çmuar.
 
Do të dëshiroja të përfitoja nga rasti për t’i përcjellë mirënjohjen tonë Agjencisë për mbështetjen në vazhdim, kontributin dhe angazhimin e saj të çmuar për të çuar përpara zhvillimin tonë socio-ekonomik.
 

Z. President,
 
Zbatimi i Planit të Veprimit të ANEA-s për Sigurinë Bërthamore ishte një sukses i madh. Ashtu siç e konstatoi edhe Drejtori i Përgjithshëm, siguria bërthamore nëpër të gjithë botën është përforcuar.
 
Megjithatë, nuk duhet të ketë vend për vetëkënaqësi lidhur me sigurinë dhe kjo duhet të jetë e para. Qeveria ime pajtohet tërësisht dhe është e angazhuar të punojë në këtë drejtim.
 
Në nivel kombëtar, Shqipëria është tërësisht e vendosur për të bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë për plotësimin në kohë të detyrimeve tona që buronë nga Konventat e Agjencisë, e të cilave ne jemi pjesë. 
 
Shqipëria është e vendosur për të bërë pjesën e saj në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë bërthamore, me qëllim garantimin e parandalimit efektiv, zbulimit, frenimit dhe reagimit për sigurinë e materialeve radioaktive. Ne e kemi rishikuar dhe miratuar tashmë Planin e Integruar të Mbështetjes për Sigurinë Bërthamore (INSSP - Integrated Nuclear Security Support Plan) dhe kemi filluar me zbatimin e tij. Janë përgatitur Procedurat Standarde Operative për shërbimin doganor. Gjithashtu, kemi tashmë edhe një kuadër adekuat rregullator, në përputhje me standartet përkatëse ndërkombëtare.
 
Shqipëria ripërsërit mirënjohjen e saj ndaj Agjencisë për mbështetjen e vazhdueshme që synon përforcimin e regjimit të sigurisë kombëtare bërthamore dhe përmirësimit të kapaciteteve monitoruese radioaktive të vendit.
 
Delegatë të shquar,
 
Shqipëria e përgëzon Agjencinë për kontributin e saj vendimtar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare nëpërmjet aktiviteteve të saj të besueshme verifikuese. Shqipëria i jep mbështetjen e saj të plotë Drejtorit të Përgjithshëm Amano për punën dhe aktivitetet e Agjencisë, të cilat synojnë fuqizimin e aftësive për verifikimin e mos-përhapjes së materialeve dhe aktiviteteve të deklaruara bërthamore, dhe të konkludojë se nuk ka materiale dhe aktivitete të padeklaruara bërthamore në 65 shtetet anëtare. Është thelbësore që të ruhet dhe përforcohet efektshmëria e sistemit të sigurisë.
 
Shqipëria ka aktualisht në fuqi një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse të Sigurisë (CSA – Comprehensive Safeguard Agreement) dhe një Protokoll Shtesë (AP – Additional Protocol). Ne përsërisim thirrjen e Drejtorit të Përgjithshëm që të gjithë Shtetet Anëtare duhet të përfundojnë CSA-në dhe AP-në. Ne jemi të inkurajuar nga numri në rritje e AP-ve që hyjnë në fuqi, të cilat kanë arritur tashmë në 126. Ne shpresojmë që Protokolli Shtesë të bëhet universal së shpejti.
 
Ndërsa ndajmë shqetësimet e shprehura në Deklaratën e BE-së për Republikën Demokratike Popullore të Koresë dhe Sirisë, Shqipëria i bashkohet thirrjes së të gjitha Shteteve Anëtare, e cila kërkon që këto vende të bashkëpunojnë plotësisht dhe me përpikmëri me ANEA-n për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura.
 
Qeveria Shqiptare e mirëpret marrëveshjen historike të arritur në Vjenë më 14 korrik 2015 ndërmjet Iranit dhe Kinës, Francës, Gjermanisë, Federatës Ruse, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Planin e Përbashkët përkatës Gjithëpërfshirës të Veprimit. Ky është një tregues i vendosmërisë së komunitetit ndërkombëtar për të adresuar mosmarrëveshjet e mbetura pezull nëpërmjet mjeteve paqësore dhe diplomatike, në të mirë të paqes dhe sigurisë globale. Shqipëria i’u bashkohet thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për inkurajimin e Iranit në ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për të adresuar plotësisht dhe në kohë shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për programin e tij atomik.
 
Udhërrëfyesi i nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i ANEA-s dhe Zëvendës Presidenti më 14 korrik është një hëp tjetër i rëndësishëm drejt sqarimit të çështjeve të pazgjidhura lidhur me dimensionet e mundshme ushtarake të programit atomik të Iranit. Shqipëria e mbështet fuqimisht deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm se dokumenti i udhërrëfyesit është i plotë dhe se ka afate të mirëpërcaktuara kohore. Shqipëria mbetet në pritje të raportit të Drejtorit të Përgjithshëm në 15 dhjetor 2015. Shqipëria është e sigurt në aftësinë e ANEA-s për përmbushjen e kësaj pune të rëndësishme.
 
Shqipëria ende shpreson se Konferenca Ndërkombëtare për Lindjen e Mesme pa Armëve Bërthamore do të organizohet në kohën e duhur; ky do të jetë një hap madhor pozitiv përpara drejt arritjes së çarmatimit global bërthamor.
 
Në përmbyllje të diskutimit, Z. President, dëshiroj të shpreh sërish mbështetjen e fuqishme të Qeverisë Shqiptare ndaj Agjencisë për realizimin e funksioneve të saj statutore nën udhëheqjen e shkëlqyer të Drejtorit të saj të Përgjithshëm.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane