Ministri Ermal Nufi, pas vizitës në fshatin Tenë të Mirditës, shkoi mbrëmjen e sotme edhe në fshatin Gojan i Madh të Pukës, për të inspektuar nga afër zjarret që kanë përfshirë vendin.
Nufi tha për Report Tv se situata e zjarreve ditën e sotme në këtë zonë ka qenë e vështirë, por shtoi se pas disa orëve luftë më flakët, tashmë situata është nën kontroll.
“Di që keni pasur një situatë shumë të vështirë sot. Ka pasur momente shumë të sikletshme, por falë punës suaj dhe falë koordinimit të mirë që kemi pasur, duket që situata është nën kontroll. Edhe në Mirditë kishim një situatë shumë të vështirë, por edhe ajo u menaxhua”, tha mes të tjerash Nufi.
Ministri Nufi tha gjithashtu se sot ka qenë një situatë e rënduar nga zjarret në të gjithë Shqipërinë, por shtoi se në orët e mbrëmjes, situata paraqitet shumë më e qetë gjithëandej.
“Sot ka qenë një ditë shumë problematike përsa i përket situatës së vatrave të zjarrit në Shqipëri. Situata është shumë më e qetësuar. Këtu në Gojan vazhdojmë të kemi një vatër zjarri që duket në lartësinë e Tërbunit. Nesër në mëngjes do riaktivizohet flota e helikopterëve dhe avionëve për neutralizimin e plotë të vatrave të zjarrit. Ka pasur disa vatra problematike si Dukati, Mirdita, Klosi, Tirana me malin e Dajtit, ku era e ka përkeqësuar situatën e zjarrit. Kemi pasur mbi 270 efektivë të Forcave të Armatosura të angazhuar në të gjithë territorin e Republikës. Vetëm këtu në Gojan kemi pasur 60 forca të Armatosura. Tani janë tërhequr për shkak të qetësimit të situatës. Kemi pasur një situatë të vështirë dje në Milot. Situata tani paraqitet shumë më e qetë", shtoi Nufi.
Më tej Nufi theksoi se shumica e zjarreve në vend dyshohet që të jenë të qëllimshme, teksa shtoi se shteti shqiptar ka qenë mjaft i përgatitur për t'u përballur me flakët këtë vit, krahasuar me vitet e tjera. Ai tha se janë 5 helikopterë dhe 2 avionë që kanë operuar nga ajri në Shqipëri për shuarjen e flakëve.
"Ajo që mund të them është se shumica e vatrave të zjarrit janë shkaktuar nga dora e njeriut. Kemi mbi 5 mjete helikopter dhe 2 avionë që i kemi në dispozicion. Të gjithë efektivët kanë qenë të pajisur me mjetet e nevojshme. Zjarrvënia vë në rrezik jetët e efektivëve tanë dhe të qytetarëve", përfundoi Nufi.
Lajmi kryesor:
Zjarret/ 4 banesa të djegura dhe disa familje të evakuara në Gojan të Pukës! Në Tenë të Mirditës banorët u larguan nga shtëpitë! Situatë më e qetë në mbrëmje (VIDEO)








