Në qeveri janë të shqetësuar për vakancat me gjyqtarë dhe prokurorë në sistemin e drejtësisë dhe për këtë përgjegjësinë e gjejnë në dy organet qeverisëse të sistemit.

“Vakancat në sistem duhet të mbushen një orë e parë”, tha ministri Toni Gogu.

Reformës në drejtësi, sipas Gogut, Komisioni Evropian i ka dhënë një vlerësim maksimal në raportin e fundit për sundimin e ligjit në Shqipëri.

“Askush nuk e ka parë këtë nivel pastrimi në integritet. Raporti i Komisionit Evropian e vlerëson si një etapë historikë dhe si një integritet”, tha ministri.

Për uljen e backlog-ut, Gogu thotë se shkallët e tjera të gjyqësorit duhet të ndjekin shembullin e Gjykatës së Lartë, ndërsa kohën kur drejtësia ndodhet sipas tij është faza e re ku cilësia matet me atë që qytetari ndesh çdo ditë në përballje me institucionet.

Ministri i Drejtësisë një notë pozitive e kishte edhe për zbatimin e amnistisë penale në bilancin që i parë në komunikim me gazetarët.

“Sa i takon amnistisë penale, jemi duke folur për një ligj të zbatuar. Është zbatuar tërësisht me bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë. 553 persona janë liruar, 863 persona kanë përfituar ulje dënimi, 2300 persona kanë përfituar nga shërbimi i provës. Kriteret e amnistisë nuk i cakton ministri, e as opinioni publik, por i cakton Kuvendi”, u shpreh ai.

Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në institucion të shëndetit mendor, tha ministri.

“Po synojmë të peshojmë sigurinë dhe rehabilitimin në burgje. Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga shëndeti evropian në çdo vend evropian. Do të marrë disa vjet”, njoftoi Gogu.

Në fund Gogu pati një njoftim për të gjithë ata që kanë problem me kompensimin e pronave.

“Çdo të mërkurë, të gjithë ata që kanë problem me Agjencinë e Trajtimit të Pronave, drejtori ju pret për kthimin e kompensimit dhe të enjteve për njohjen e pronësisë”, përfundoi ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
Gogu: Prioritet pagat e Policisë së Burgjeve! Drejtoria e Monitorimit do të udhëhiqet nga një magjistrat

 

Përmirësimi i pagave të Policisë së Burgjeve është një nga prioritetet e ministrit të Drejtësisë. Ai tha se kjo do të mundësohet në hapësirën më të parë që do të lejojë buxheti.

“Trajtimi i policisë së burgjeve është në prioritetet e mia që të jetë i njëjtë. Jam në një bisedë intensive që në momentin e parë që na lejon buxheti një hapësirë për të rritur trajtimin financiar të tyre do ta bëjmë këtë gjë”, tha ministri.

I pyetur pse Drejtoria e Monitorimit s’ka ende drejtues, Gogu bëri me dije se do t’i besohet një magjistrati.

Ministria e Drejtësisë meriton të ketë në mesin e saj magjistratë që kanë gjithë aftësinë që të shërbejnë në ministri. KLP, me gjithë mungesat dhe nevojat, kanë aprovuar kërkesën dhe shumë shpejt, ky departament do të drejtohet nga një magjistrat. Puna ka vazhduar, kemi pasur inspektime”, tha ai.