Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim me Zëvendës Sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska. Gjatë këtij takimi Hoxha theksoi mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe përgatitjet për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.

Po ashtu u theksua rëndësia e një angazhimi të qëndrueshëm të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan dhe për mbështetje ndaj Kosovës përmes KFOR-it.

Ministri Hoxha gjithashtu prezantoi përgatitjet e Shqipërisë për samitin e parë të nivelit të lartë të NATO-s në rajon, që do të zhvillohet në Tiranë. Hoxha theksoi angazhimin e Shqipërisë për të siguruar një Samit të suksesshëm, duke garantuar një koordinim të ngushtë me selinë e NATO-s.

Postimi i plotë:

Sot zhvillova një takim produktiv me Radmila Shekerinska, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme e NATO-s. Gjatë takimit diskutuam mbi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj Aleancës, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe përgatitjet e Shqipërisë për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë.

Konfirmova linjëzimin e plotë të Shqipërisë me prioritetet e NATO-s në prag të Samitit të Ankarasë. Shqipëria mbetet një aleate e vendosur, duke vijuar modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në vitin 2026, si dhe zhvillimin e industrisë vendase të mbrojtjes përmes investimeve strategjike dhe partneriteteve afatgjata.

Gjithashtu, prezantova përgatitjet e Shqipërisë për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i pari i këtij niveli në rajonin tonë, duke vënë në dukje koordinimin e vazhdueshëm me selinë e NATO-s dhe angazhimin tonë për të garantuar një Samit të suksesshëm dhe me ndikim të rëndësishëm.

Sa i përket BallkanitPerëndimor, nënvizuam rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s për ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe adresimin e sfidave të reja të sigurisë. Po ashtu, rikonfirmova mbështetjen e fortë të Shqipërisë për KFOR-in, duke theksuar rolin e tij thelbësor në garantimin e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie të fuqishme të NATO-s, të bazuar në kushtet e sigurisë