Ministri i Financave: Në qershor do rishikohet tatimi mbi pagat! Synojmë lehtësimin e tatimit për shtresat e mesme! Dhoma Amerikane: Erëra të mira për vendin, por s’mjaftojnë

Tatimi mbi pagat do të ndryshojë në qershor të këtij viti. Pa dhënë shumë detaje Ministri i Financave Ervin Mete tha se synohet të rritet pragu i pagave që paguajnë tatim të lartë.

"Nisur nga performanca shumë e mirë e të ardhurave, parashikojmë që si një masë lehtësuese për të punësuarit, në sektorin publik dhe privat, duke nisur nga muaji korrik, të rrisim kufirin mbi të cilin aplikohet shkalla e sipërme e tatimit mbi pagën", tha Mete.

Aktualisht tatim 23% paguajnë ata persona që kanë pagë mujore mbi 200 mijë lekë, dhe me këtë ndryshim pritet që ky tatim të aplikohet për paga më të larta. Tatimi 23% aktualisht paguhet nga rreth 23 mijë persona.

Politika fiskale ishte në fokus të Forumit të CEO-ve të Dhomës Amerikane të Tregtisë, pasi ekspertja Alketa Uruçi solli në vëmendje problemet e vjetra të pazgjidhura siç është informaliteti.

“Çështja e parë që është ngritur nga anëtarët e dhomës, prej vitesh, është informaliteti në ekonomi dhe masat që duhet të ndërmarrë qeveria për zgjerimin e bazës së tatueshme. As ligji për tatimin mbi të ardhurat nuk i mbylli shtigjet, pasi kemi diferencime për sektorë të ndryshëm, e disa të tjerë janë të përjashtuar deri në vitin 2029, u shpreh Uruçi.

Ndërkohë presidenti i dhomës Grant Van Cleve, theksoi se duhet të rritet fuqia punëtore e kualifikuar.

“Shqipëria ka potenciale për të zhvilluar në turizëm apo në teknologji inovacioni por ka probleme me fuqinë punëtore të kualifikuar, dhe për këtë duhet të gjendet një zgjidhje”, tha Presidenti i Dhomës.

Në forum u vlerësua se ecuria ekonomike e vendit mbetet pozitive, duke regjistruar vlera të larta investimesh të huaja dhe shifra rekord edhe të ardhurash nga turizmi.

Pavarësisht se ‘erëra të mira’ po fryjnë për Shqipërinë ende nuk mjaftojnë tha presidenti i dhomës.

“Erërat po fryjnë në drejtimin tuaj, duke ju sjellë rritje ekonomike. Por këto gjëra të mira mund të jenë të mjaftueshme për të qenë mirë, dhe jo arrirë atje ku duhet”, tha presidenti.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:31
Ministri i Financave: Nga turizmi ekonomia përfitoi 4.2 mld euro vitin e kaluar

Nga turizmi ekonomia shqiptare ka përfituar vitin e kaluar, 4.2 miliardë euro. Kështu bëri me dije ministri i Financave Ervin Mete në Forumin e CEO-ve të “AmCham”, i cili tha se kishte një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022.

Sa u takon investimeve të huaja, Mete tha se arritën nivelin më të lartë historik, prej afro 1.5 miliardë euro.

‘Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, pozicioni i jashtëm i Shqipërisë është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, i cili gjatë vitin e kaluar solli afro 4.2 miliardë euro të hyra në ekonomi, me një rritje prej 47% krahasuar me vitin 2022. Investimet e huaja arritën në nivelin më të lartë historik në vitin 2023, prej afro 1.5 miliardë euro, sipas të dhënave më të fundit të publikuara ditën e djeshme nga Banka e Shqipërisë.’- tha ministri.

Mete tha se në qershor do të bëjmë aplikimin për t'u anëtarësuar në SEPA, Aderimi në Sistemin Unik Evropian të Pagesave.

'Avancimi i mëtejshëm në procesin e integrimit europian është një shtysë e rëndësishme për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe plani i rritjes i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor presim të shërbejë si mbështetje në këtë drejtim. Aderimi në Sistemin Unik Evropian të Pagesave (SEPA) është një nga mundësitë që i ofrohen vendit tonë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si pjesë e këtij plani. Përfshirja në SEPA, për të cilën Shqipëria po përgatitet të aplikojë në muajin qershor, ul ndjeshëm kostot e pagesave brenda rajonit dhe me BE-në. Për më tepër, anëtarësimi në SEPA na jep akses në sisteme moderne pagesash, më efikase dhe më të sigurta. Përafrimi i sistemeve tona të pagesave me ato të vendeve europiane, do të rrisë atraktivitetin tonë edhe si destinacion investimi.

Momenti i mirë që po kalon ekonomia e vendit, treguesit e përmirësuar makroekonomikë, si edhe vlerësimet e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare nxisin më tej përpjekjet dhe vendosmërinë tonë për të thelluar ritmin e reformave, ku avancimi i mëtejshëm në procesin e integrimit europian do të shërbejë si një ankorë e rëndësishme për realizimin e këtyre objektivave, për të synuar një rritje më të lartë ekonomike, për punësim cilësor, si edhe  përmirësim të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe investimeve të huaja.'- tha Meta.

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'