Zyrtarë të lartë amerikanë dhe iranianë kanë zhvilluar bisedime në Oman, në një moment krize që ka rritur frikën për një përplasje ushtarake mes dy vendeve.
Bisedimet indirekte në kryeqytetin Muskat u zhvilluan ndërsa ushtria amerikane po forcon praninë e saj në Lindjen e Mesme, si reagim ndaj shtypjes së dhunshme nga Irani të protestave mbarëkombëtare kundër qeverisë muajin e kaluar. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se nga këto përplasje janë vrarë mijëra persona.
Duke folur për televizionin shtetëror pas takimeve, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, por e cilësoi takimin si një “fillim të mirë”.
Irani kishte deklaruar më herët se bisedimet do të kufizoheshin vetëm te programi bërthamor. SHBA-ja, e cila kërkon që Irani të ngrijë programin bërthamor dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar, ka insistuar që në diskutime të përfshihen edhe raketat balistike dhe mbështetja iraniane për grupet e armatosura në rajon.
Më herët, Omani njoftoi se ministri i Jashtëm i vendit kishte zhvilluar bisedime të ndara me Araghchin, të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin dhe emisarin e presidentit Trump.
Sipas njoftimit, “konsultimet u fokusuan në përgatitjen e kushteve të duhura për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike”.
Raundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte planifikuar për qershorin e kaluar, por dështoi pas sulmit të befasishëm të Izraelit ndaj Iranit.
Në javët e fundit, presidenti Trump ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse nuk arrihet një marrëveshje. SHBA-ja ka dërguar mijëra trupa dhe atë që Trump e ka quajtur një “armadë” në rajon, përfshirë një aeroplanmbajtëse, anije luftarake dhe avionë luftarakë.
Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi me forcë, duke kërcënuar objektiva ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe Izraelin. Për udhëheqësit iranianë, këto bisedime mund të jenë mundësia e fundit për të shmangur një ndërhyrje ushtarake amerikane që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili sipas analistëve ndodhet në pozitën më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Kërcënimet e Trump erdhën në një kohë kur forcat iraniane të sigurisë shtypën me dhunë protestat masive, të shkaktuara nga përkeqësimi i krizës ekonomike, ku protestuesit kërkonin fundin e Republikës Islamike.
Agjencia e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, me bazë në Uashington, deklaroi se ka konfirmuar të paktën 6,883 viktima, duke paralajmëruar se numri mund të jetë shumë më i lartë dhe se mbi 50,000 persona janë arrestuar.
Kriza aktuale ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e programit bërthamor iranian, që prej dekadash është burim tensioni me Perëndimin.
Irani ka deklaruar vazhdimisht se programi i tij është për qëllime paqësore, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli e akuzojnë se synon zhvillimin e armëve bërthamore.
Teherani thotë se ka të drejtën të pasurojë uranium në territorin e vet dhe ka refuzuar kërkesat për transferimin e rezervës prej 400 kilogramësh uranium të pasuruar në një vend të tretë. Sipas Iranit, aktiviteti i pasurimit të uraniumit është ndalur pas sulmeve amerikane vitin e kaluar.
Zyrtarët iranianë kanë sinjalizuar gatishmëri për disa lëshime, përfshirë krijimin e një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit, një ide e propozuar gjatë bisedimeve me SHBA-në që u ndërprenë pas sulmit izraelit.
Në të njëjtën kohë, Irani ka deklaruar se kërkesat për kufizimin e programit të raketave balistike dhe për ndërprerjen e mbështetjes ndaj aleatëve rajonalë — të njohur si “Boshti i Rezistencës”, që përfshin Hamasin në Gaza, milicitë në Irak, Hezbollahun në Liban dhe Huthit në Jemen — janë të papranueshme dhe shkelje e sovranitetit të tij.
Të martën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se i ka kërkuar Araghchit të “ndjekë negociata të drejta dhe të barabarta” me SHBA-në, “me kusht që të ekzistojë një klimë e përshtatshme”.
Për SHBA-në, ky takim mund t’i ofrojë presidentit Trump një rrugëdalje nga kërcënimet ushtarake, në varësi të rezultateve.
Vendet e rajonit janë të shqetësuara se një sulm amerikan mund të çojë në një konflikt më të gjerë ose në kaos afatgjatë në Iran, duke paralajmëruar se vetëm fuqia ajrore nuk mjafton për të rrëzuar udhëheqjen iraniane.
I pyetur nëse Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duhet të shqetësohet, Trump i tha NBC News: “Do të thosha se duhet të jetë shumë i shqetësuar, po, shumë”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se bisedimet duhet të shkojnë përtej çështjes bërthamore që të arrihet “diçka kuptimplote”.
“Nuk jam i sigurt nëse mund të arrihet një marrëveshje me këta njerëz, por do ta provojmë. Nuk shohim ndonjë dëm në përpjekjen për të parë nëse mund të bëhet diçka,” u shpreh ai.
Bisedimet, që fillimisht ishin planifikuar të zhvilloheshin në Stamboll, janë një përpjekje e udhëhequr nga Egjipti, Turqia dhe Katari për të ulur tensionet.
Megjithatë, Irani kërkoi në momentin e fundit që takimi të zhvendosej në Oman vend që kishte pritur edhe bisedimet e vitit të kaluar dhe që të kufizohej vetëm mes zyrtarëve iranianë dhe amerikanë./BBC
Komente










