GJERMANI - Ministri i Brendshëm i landit të Nordrhein Westfalen në Gjermani Ralf Jager, ka folur për numrin e lartë të azilkërkuesve nga Ballkani në Gjermani. Në një intervistë për gazetën “Die Welt”, ai tha se asnjë azilkërkues “ekonomik” nuk do të lejohet të qëndrojë në Gjermani.
 
Duke përmendur veçanërisht azilkërkuesit Kosovar, Jager shprehu mirëkuptimin e kryefamiljarëve që marrin këtë iniciativë për të braktisur vendin e tyre për një jetë më të mirë për fëmijët e tyre.

“Unë mund ta kuptoj motivin që kanë refugjatët e varfërisë. Si baba, kryefamiljar në Kosovë, edhe unë do të provoja të vija në Gjermani. Megjithatë ne jemi të detyruar që këtyre njerëzve t`u themi shumë shpejt se ata nuk kanë të drejtë për azil dhe rrjedhimisht, nuk kanë perspektivë që të mbeten këtu në Gjermani. Njerëzit atje shesin çdo gjë që kanë, u paguajnë 2000 euro bandave të trafikimit, qëndrojnë ca muaj këtu dhe pastaj duhet të kthehen në vendet e tyre. Këto janë tragjedi njerëzore. Për këtë arsye ne duhet të bëjmë çdo gjë në mënyrë që të mos e bëjnë të njëjtën gjë më shumë njerëz”,- deklaroi ministri i Brendshëm i NRW. Ralf Jager.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)