TIRANË- Ministri i Drejtësisë Nasip Naço po zhvillon një vizitë pune në Athinë, në kuadër të takimit të parë ku Shqipëria prezantohet si anëtarja më e re e Organizatës Europiane të Legjislacionit Publik.
Në 25 Qershor të këtij viti, vendi ynë aderoi si anëtar i kësaj organizate e cila është në vitin e 10-të të themelimit të saj dhe që e ushtron aktivitetin përmes një axhende programesh që synon ndërtimin e institucioneve demokratike, që do të promovonin vlerat dhe parimet europiane të sundimit të ligjit dhe të së drejtës.
Gjatë fjalës së hapjes, si përfaqësues i shtetit më të ri të anëtarësuar, Ministri Naço shpreh bindjen se pjesëmarrja në këtë organizatë do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme, jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupupsionit dhe
krimit të organizuar. Naço theksoi se EPLO ka në fokusin e saj mbështetjen në aktivitetet shkencore, kërkimore, arsimore, trajnuese, mësimdhënëse, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe aktivitete të tjera, në ofrimin e ndihmës për institucionet demokratike në Evropë dhe në të gjithë botën. Në këtë drejtim ai shprehu bindjen se nëpërmjet kësaj organizate edhe për Shqipërinë, do të krijohen premisa të shkëlqyera për të bashkëpunuar me institucione, organizata dhe organizma të tjerë kudo në botë, në veçanti me organizata në sistemin e Kombeve të Bashkuara, për shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve në ato fusha mbi të cilën kjo organizatë operon.
Ndër të tjera, Ministri Naço theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është boshti kryesor i politikës së jashtme të Shqipërisë, ndaj dhe qeveria shqiptare po përpiqet me energji për të dhënë mesazhe të qarta dhe vizionare, se me reformat e ndërmarra Shqipëria është në rrugën e duhur, përkrah vendeve të BE-së.
Gjatë pjesës teknike të takimit, Ministri Naço është ndalur në disa kërkesa specifike drejtuar EPLOS-s, të cilat mund të përfshihen në programin që kjo organizatë do të parashikojë si asistencë ndaj sistemit të drejtësisë në vendin tonë.
Ministri Naço ka theksuar nevojën e krijimit të një komuniteti shkencor, ku Shqipëria të sjellë kontributet e saj, duke mundësuar më pas ngritjen e një instituti të rëndësishëm për të mbështetur nismat ligjore të vendit tonë.
Gjithashtu z. Naço propozoi edhe që ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe EPLO-s, të nisë një bashkëpunim që do të mundësonte dhënien e asistencës në trajnimin e stafit të Ministrisë së Drejtësisë, trajnimin e gjyqtarëve të Gjykatave Administrative dhe stafit të tyre mbështetës, etj.
Në kuadër të zbatimit në një të ardhme të afërt të Kodit të ri të Procedurave Administrative, Ministri Naço vlerësoi me interes nevojën e trajnimeve mbi çështjet e  "Kontratës/Kontratave Publike", duke qenë se lidhur me këtë temë ofrohen leksione edhe në Akademinë e EPLO-s.
Legjislacioni mbi të drejtat e njeriut si dhe të drejtën mjedisore, mbeten një sfidë madhore, për të cilën Ministri Naço është shprehur se mbetet i angazhuar maksimalisht.
Aderimi si një pjesë integrale në këtë organizatë, do të mundësojë disa nisma me rëndësi sikurse implementimin e programeve dhe projekteve kërkimore apo studimore, në bashkëpunim me institucione të tjera, organizata ndërkombëtare, si dhe Bashkimin Europian./ATSh/