Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, viziton sot Kosovën, ku në qendër të takimeve do të jetë tejkalimi i problemit të eksportit të miellit nga Kosova për në Shqipëri.

Sipas Agjencisë KosovaPress, mielli nga Kosova, që është ndaluar për t'u transportuar në Shqipëri, nëse ai ka më pak se 12.5% proteina, ka ngjallur debate në Kosovë, tek institucione përgjegjëse dhe tek prodhuesit e miellit në Kosovë.

Kjo pasi Ministria e Bujqësisë së Shqipërisë kërkon standarde të njëjta me Bashkimin Evropian sa i përket cilësisë së miellit të importuar. E për të tejkaluar këtë problem, ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti, është ftuar në Kosovë në një takim me kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovcin.

"Takimi do të ketë për qëllim tejkalimin e problemit të eksportit të miellit nga Kosova për në Shqipëri. Të ftuar në këtë takim do të jenë edhe përfaqësuesit e bizneseve prodhuese të miellit nga Kosova", thuhet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarsë.

ATSH